Shqipëri-BE, dështon miratimi
i deklaratës së përbashkët
 

Shqipëri-BE, dështon miratimi<br />i deklaratës së përbashkët<br /> 
STRASBURG-Takimi i shtatë i Komitetit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri në Strasburg, ka përfunduar me miratimin e pjesshëm të një deklarate të përbashkët, ku nënvizohet ruajtja e dialogut politik në vend dhe i bëhet thirrje mazhorancës qeverisëse dhe partive të opozitës të mbështesin reformat kyçe që nevojiten për integrimin europian.

Kjo ka shkaktuar edhe akuza dhe kundër akuza mes opozitës dhe mazhorancës. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta se ata janë përgjegjës për mos miratimin e plotë të deklaratës, ndërsa deputeti socialist Taulant Balla tha se Berisha shpif dhe ai është i vetmi shkaktar i bllokimit. Amendamentet e opozitës, Balla i quajti të paarsyeshme.
 
Në deklaratë theksohet mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ndërsa shprehet keqardhje për vendimet e Këshillit në dhjetorin e vitit 2013.
 
Deklarata Shqipëri-BE, vlerëson angazhimin e qeverisë për reformën gjyqësore.

Takimi është fokusuar dhe në çështje të tjera ku përfaqësuesit e delegacionit shqiptar kanë ndarë këndvështrime të ndryshme në lidhje me to. I përberë nga 14 ligjvënës të pozitës dhe opozitës, debatet janë përqendruar kryesisht dhe tek përmbushja e reformave nga ana e Shqipërisë në marrjen e statusit në muajin Qershor. Deputetët socialistë kanë kërkuar të diskutohet rreth reformës territoriale, gjë e cila është kundërshtuar nga deputetët e opozitës.

Në deklaratë bëhet thirrje për ndaljen e veprimeve obstruktive dhe bojkotin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë. Nxitet dialogu konstruktiv ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Për propozimet e opozitës u ra dakord të vazhdojë diskutimi në Tiranë.

Opozita e ka argumentuar qëndrimin e saj kundër me hedhjen e disa propozimeve të pamiratuara në komitetin e Stabilizim-Asociimit. Ato kishin të bënin me blerjen e votës në zgjedhjet e pjesshme lokale, uzurpimin e institucioneve si ILDKPKI, AMA etj; cenimin e ndarjes së pushteteve, apo dhe plotësimin e vendeve të lira në KQZ.

BALLA: BERISHA SHPIF, AI ËSHTË SHKAKTARI I VETËM I BLLOKIMIT
“Shpifje” i ka quajtur deputeti i PS-së, Taulant Balla akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha sipas të cilit kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta janë përgjegjës për miratimin e pjesshëm të deklaratës Shqipëri- BE sot në  takimin e shtatë të Komitetit të Stabilizim Asocijimit në Strasburg.
 
Në një postim në Facebook, deputeti Balla ka falënderuar edhe deputetët e opozitës, që sipas Ballës kanë mbajtur që njëjtin qëndrim sa i përket deklaratës Shqipëri-BE.
 
Sipas Ballës bllokuesi “Sali Berisha vetë në fakt shkaktari i bllokimit të miratimit të plotë të deklaratës ashtu siç e propozoi PE-ja, për shkak se imponoi disa propozime të paarsyeshme, jashtë kontekstit normal të një dokumenti pozitiv në mbështetje të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.”
 
Deputeti socialist në një postim në FB thotë se propozimet e PD-së ishin të parasysheme dhe në këtë mënyrë nuk morën miratimin nga mazhoranca.

JA REAGIMI I PLOTË I TAULANT BALLËS
 
Reagim lidhur me shpifjen e radhes te Sali Berishes

Si bashke-Kryetar dua te falenderoj te gjithe ata qe moren pjese ne takimin e shtate te Komitetit te Stabilizim Asocijimit BE- Shqiperi ne Strasburg. Deshiroj te falenderoj ne menyre te vecante zonjen Doris Pack, e cila kete takim e kishte te fundit sepse prej Majit nuk do te jete me anetare e Parlamentit Europian, pas 38 vjetesh eurodeputete. 

Jo pa qellim falenderova edhe deputetet e opozites, me te cilet ndame te njejtin qendrim per rendesine e miratimit te deklarates, deri ne momentin kur nga Tirana erdhi emaili qe rrezoi teresisht draftin e propozuar nga Bashke-Kryetari i Komitetit zoti Eduard Kukan dhe Sekretariati i Parlamentit.

Nga deputetet e Partise Demokratike u informuam se emaili erdhi nga vete Sali Berisha. Mirkuptuam koleget e Partise Demokratike per situaten e veshtire ne te cilen u vendosen. 

Pra ai qe akuzoi pak me pare Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit, per bllokim te miratimit te deklarates finale, ishte vete ne fakt shkaktari i bllokimit te miratimit te plote te deklarates ashtu sic e propozoi PE, per shkak se imponoi disa propozime te pa-aresyesshme, jashte kontekstit normal te nje dokumenti pozitiv ne mbeshtetje te procesit te anetaresimit te Shqiperise ne Bashkimin Europian.

Propozimet qe PD solli nga Tirana ishin teresisht te pa-arsyeshme, per kete qellim ato nuk mund te miratoheshin ne formen e paraqitur.

Pas diskutimeve te gjata u arrit te miratohet pjeserisht deklarata e perbashket. Ne paragrafet e miratuar sot pershendetet dialogu i nivelit te larte BE-Shqiperi dhe pjesemarrja e opozites ne kete dialog. Mbeshtetet anetaresimi i Shqiperise ne Bashkimin Europian dhe shprehet keqardhje per vendimin e Keshillit ne dhjetor 2013 per shtyrjen e vendimit per dhenien e stutusit te vendit kandidat Shqiperise ne qershor te ketij viti. Nje pike mjaft e rendesishme e miratuar me konsensusin e te gjitheve ishte pika 3 sipas se ciles: "U nenvizua nevoja e ruajtjes dialogut politik ne vend dhe i behet thirrje mazhorances qeverisese dhe partive te opozites te mbeshtesin reformat kyce te nevojitura per integrimin Europian; u inkurajuan autoritetet pergjegjese t'i implementojne efektivisht ne nje menyre gjitheperfisherese dhe konstruktive dhe te prezantojne nje liste rezultatesh konkrete perpara mbledhjes se Keshillit te Qershorit; iu kerkua te gjitha partive politike te heqin dore nga retorika mosrepektuese dhe te shmangin bojkotimin ose bllokimin e punimeve te Kuvendit".

Ne paragrafin kater pershendetet angazhimi i Qeverise per reformen ne gjyqesor dhe ne luften kunder korrupsionit. 

Per propozimet e opozites ofruam dakordesine qe te vazhdojme diskutimin ne Tirane sepse propozimet deputeteve demokrate u vleresuan si te pa-arsyeshme ne formen e paraqitur, madje ne disa raste propozimet ishin edhe me emra konkrete personash, apo qe kerkonin anullim te vendimeve te Kuvendit.

Lidhur me procesin e miratimit te deklarates finale duhet te sqaroj se ne perfaqesuesit e Partise Socialiste dhe te LSI shprehem qe ne fillim gatishmerine qe draft deklarata te miratohet ne variantin e propozuar nga bashke-Kryetari i Komitetit Eduard Kukan. Ne dhame konsensus te plote per draftin e propozuar nga Parlamenti Europian dhe treguam vullnet pozitiv ndaj amendamenteve te opozites pavaresisht frymes destruktive te tyre. 

Me deshiren e mire per te patur nje deklarate finale, rame dakord qe per amendamentet e propozuara nga deputetet e PD, te vazhdoje shqyrtimi ne nje mbledhje ne Tirane gjate javes se ardhshme.

Pas miratimit keto amendamente do te perfshihen ne deklaraten perfundimtare te mbledhjes se shtate te Komitetit te Stabilizim-Asocijimit Shqiperi-BE.

Shpresoj qe ne Tirane deputeteve te Partise Demokratike t'iu jepet mundesia qe te vijne me propozime te aresyeshme.
 
DEKLARATA SHQIPERI-BE: TE RUHET DIALOGU POLITIK
Takimi i shtatë i Komitetit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri në Strasburg, ka përfunduar me miratimin e pjesshëm të një deklarate të përbashkët, ku nënvizohet ruajtja e dialogut politik në vend dhe i bëhet thirrje mazhorancës qeverisëse dhe partive të opozitës të mbështesin reformat kyçe që nevojiten për integrimin europian.
 
“Në paragrafët e miratuar sot përshëndetet dialogu i nivelit të larte BE-Shqipëri dhe pjesëmarrja e opozite në ketë dialog. Mbështetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe shprehet keqardhje për vendimin e Këshillit në dhjetor për shtyrjen e vendimit për dhënien e statusit te vendit kandidat Shqipërisë në qershor të këtij viti. Një pikë mjaft e rëndësishme e miratuar me konsensusin e të gjitha palëve ishte pika 3 sipas të cilës: “U nënvizua nevoja e ruajtjes dialogut politik në vend dhe i bëhet thirrje mazhorancës qeverisëse dhe partive të opozite të mbështesin reformat kyçe që nevojiten për integrimin Evropian; U inkurajuan autoritetet përgjegjëse t’i implementojnë efektivisht në një mënyrë përfshirëse dhe konstruktive dhe të prezantojnë një listë rezultatesh konkrete përpara mbledhjes së Këshillit të Qershorit; iu kërkua të gjitha partive politike të heqin dorë nga retorika mosrespektuese dhe të shmangin bojkotimin ose bllokimin e punimeve të Kuvendit; thirrje për ndaljen e veprimeve obstruktive dhe bojkotin e punimeve të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e publikuar nga zyra e shtypit e Partisë Socialiste.
 
Ndërkaq, në njoftim thuhet se “bashkëkryetari i Komitetit, Eduard Kukan dhe Sekretariati i Parlamentit Evropian kishin përgatitur një deklarate finale për miratim nga anëtaret e Komitetit. Në kohën e diskutimit te kësaj deklarate, përfaqësuesit e PD kërkuan me shume kohe ne dispozicion, duke shtyre dhe orarin e përfundimit zyrtar të takimit. “megjithëse nuk ishte e parashikuar ne procedure dy bashkëkryetarët Eduard Kukan dhe Taulant Balla e miratuan ketë kerkesë. Pas rifillimit te punimeve deputetet e PD përmes zotit Aldo Bumçi paraqiten një tekst pothuajse të ndryshuar tërësisht nga teksti fillestar i propozuar nga Parlamenti Evropian. Përsëri edhe ky propozim u pranua nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe nga bashkëkryetarët Kukan dhe Balla”.
 
Ndërkaq, theksohet se në paragrafin katër, kjo deklaratë përshëndetet angazhimin e qeverisë shqiptare për reformën në gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit.
 
Sa i takon propozimeve të opozitës, në njoftim shpjegohet se “u ra dakord të vazhdojë diskutimi në Tiranë sepse propozimet e deputetëve demokratë u vlerësuan si të paarsyeshme në formën e paraqitur, në disa raste ata ishin edhe me emra konkretë, apo që kërkonin anulim të vendimeve të Kuvendit”.
 
“Lidhur me procesin e miratimit të deklaratës finale duhet sqaruar se përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe te LSI shprehen që në fillim gatishmërinë që draft-deklarata të miratohet në variantin e propozuar nga bashkë-Kryetari i Komitetit Eduard Kukan. Mazhoranca dha konsensus të plotë për draftin e propozuar nga Parlamenti Europian dhe tregoi vullnet pozitiv ndaj amendamenteve te opozitës pavarësisht frymës destruktive të tyre.
 
Me dëshirën e mirë për të pasur një deklarate finale, ra dakord që për amendamentet e propozuara nga deputetet e PD, të vazhdojë shqyrtimi në një mbledhje në Tiranë gjatë javës së ardhshme, që do të drejtohet nga bashkryetari i Komitetit, Taulant Balla”, thuhet në njoftim.
 
Pas miratimit këto amendamente do të përfshihen në deklaratën përfundimtare të mbledhjes së shtatë të Komitetit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE. Deklarata e plotë propozuar nga PE
 
21 JANARI, FAJON NE STRASBURG: S'KA AUTORE, E PAPRANUESHME
Vrasjet e 4 protestuesve më 21 janar të 2011 janë ngritur si çështje shqetësuese në Strasburg gjatë zhvillimit të takimit dyditor të Komitetit të Shtatë Ndërparlamentar të Stabilizim-Asocimit me Shqipërinë.

Eurodeputetja Tanja Fajon ka ngritur pyetje në lidhje me çështjen e 21 janarit.

“Është e papranueshme që nuk ka ende autorë,” ka thënë Tanja Fajon. Deklaratën e bërë në Parlamentin Europian Fajon e ka postuar në "Twitter".
Reagim ka ardhur edhe nga deputeti i PD-së, Aldo Bumci, i cili siç raportojnë mediat, ka pohuar se "duhet të dënohen nxitësit dhe ushtruesit të dhunës të 21 janarit". Ai ka përsitur qëndrimin se "Rama në 21 janar, donte pushtimin e kryeministrisë".
 
MAJLINDA BREGU:  NESE NUK NDRYSHON QENDRIM SHQIPERIA HUMB PERSERI STATUSIN 
Nga ana e saj deputetja e PD-së Majlinda Bregu është shprehur se opozita i ka kërkuar qeverisë t’i qëndrojë standardeve europiane ndryshe do humbasë përsëri statusin në qershor.
 
“Ne po i kërkojmë qeverise ti qëndrojë standardeve europiane dhe kritereve të Kopenhagenit. Ne do ta mbeshtesim që të jenë ambicioze nëse respektojne standardin. Por nëse qeveria vendos se s'ka asgjë për të ndryshuar në veprimet e saj, kam frikë se do të humbasë përsëri statusin në qershor".

Takimi në Strasburg nisi pasditen e djeshme me miratimin e agjendës së diskutimeve 2-ditore, e cila radhit ende 12 pika, mes të cilave “ndjekja e rekomandimeve” nga takimi i mëparshëm i 29 Tetorit në Tiranë si dhe “progresi në zbatimin e ligjit të ri për shërbimin civil”. 

Në seancën parlamentare të 20 shkurtit 2014 Kryeministri Edi Rama propozoi sjelljen e një prokurori të huaj për hetimin e vrasjes së Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës para kryeministrisë. Ndërkohë  Kryeprokurori Adriatik Llalla deklaroi më 20 janar 2014 se çështja është komplekse dhe hetimi është gjithëpërfshirës.  Llalla: Çështja komplekse hetim është gjithëpërfshirës
 
Edhe pasditen e djeshme ka pasur debate mes eurodeputetëve të PE-së për institucionet e pavarura në Shqipëri. Në debate është përfshirë edhe raportuesi për Shqipërinë, Nikola Vuljaniç.

Debatet janë zhvilluar mes Doris Pack dhe Viktor Boshtinarut. Eurodeputetja Pack ka deklaruar se ajo që po ndodh aktualisht në Shqipëri me institucionet e pavarura është e patolerueshme. Debatet në PE

 

Redaksia online
(e.s/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Gjermania do të ridislokojë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot në Poloni

Gjermania do të ridislokojë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot në Poloni