Shqipëri, shqetësim në rritje mbi dhunën në rrjete sociale te të miturit

Shqipëri, shqetësim në rritje mbi dhunën në rrjete sociale te të miturit

Në Shqipëri gjatë vitit të kaluar sipas të dhënave të para, që Ministria e Arsimit ndau me Zërin e Amerikës, mbi 2 mijë raste dhune janë raportuar dhe parandaluar, ku dominon ajo fizike me 34.7%, bullizmi me 26% ndjekur nga dhuna psikologjike me 25.5%. Por gjatë konsultimeve me afro 63 mijë prindër autoritetet kanë konstatuar se kjo dhunë te të miturit nis më së shumti në rrjetet sociale. Ndaj dhe masat janë fokusuar përveç fuqizimit të sigurisë fizike, të rrjetit psikosocial apo ndërgjegjësimit të prindërve, edhe tek ato për sigurinë dixhitale në kuadër të një plani të ri veprimi për fuqizimin e sigurisë në shkolla.

“Janë projekte përtej Ministrisë së Arsimit. Përveç kufizimit të përdorimit të tik-tokut, një prej tyre, do të jetë projekti smart city. Është një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për të vendosur kamera inteligjente në disa qytete të Shqipërisë, që përfshin dhe shkollat. Janë kamera të cilat skanojnë risqet që mund të vijnë nga jashtë, përdorimin e armëve të ftohta apo çdo element tjetër me rrezikshmëri. Ndërkaq për herë të parë ne do të pilotojmë krijimin e qendrave dixhitale të përpunimit të informacionit në shkolla. Është një rol i ri, me studentë të gazetarisë të specializuar në formimin e tyre akademik për mënyrën se si përpunohet informaconi që vjen nga rrjetet sociale, si nxitet agresiviteti dhe bullizmi online apo si mund të kuptohet lajmi i rremë. Këta studentë do të jenë të dedikuar dhe do të merren me trajnimin e mësuesve në shkollat tona” – tha për Zërin e Amerikës Gerti Janaqi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar.

Qendra për të Drejtat e Fëmijëve i tha Zërit të Amerikës se në platformën e saj i Sigurt.al gjatë vitit 2024 u raportuan mbi 400 raste të bullizmit kibernetik dhe gjuhës së urrejtjes ose 3 herë më shumë se një vit më parë. Drejtuesi i kësaj qendre Altin Hazizaj veçon se roli i prindërve sa i takon sigurisë dixhitale të fëmijëve është i rëndësishëm.

“ Mungesa e kontrollit prindëror do të thotë që fëmijët shohin çfarë të duan në internet. Kjo më pas përkthehet, për një pjesë të fëmijëve, në tendenca të tilla që nëse një fëmijë sheh një film të dhunshëm apo një lojë të rrezikshme fillojnë dhe e bëjnë të gjithë se bashku. Një celular, një tablet apo kompjuter në dhomën ku fle fëmija, nëse eshtë i lidhur me internetin dhe nuk është i monitoruar, është gjithnjë një mjet që rrezikon fëmijën. Pra sot rreziku nuk është makina në rrugë apo dikush që të grabit fëmijën në rrugë. Sot rrezikun e ke në internet, por prindërit nuk janë të ndërgjegjësuar sa duhet për këtë”- shprehet Z. Hazizaj.

Zëri i Amerikës bisedoi me prindër dhe gjyshër të disa nxënësve në lidhje me shkallën e përgjegjësisë së familjes në këtë drejtim.

“Prindërit duhet të kenë shumë kujdes, kryesorja janë prindërit. Sot ka fëmijë 3 vjeç që nuk hanë ushqim nëse nuk u vë celularin para”- shprehet Fatbardha Bakiri, gjyshe e një nxënësi.

“ Ka dhe shoqëria një rol të saj por prindi është ai që është aty në çdo moment. Kush ia blen celularin fëmijës, është pyetja”- thotë Elijan Zhini, prind i një nxënësi.

“Nuk është e keqja tek internet por tek prindërit” – thotë Rakip Demiraj, gjysh i një nxënësi.

“Duhet kujdes shumë i madh, sidomos në këtë situatë tani është shumë e vështirë. Prindërit janë në punë gjithë ditën, si do ia bëjnë?" shprehet Albina Biduri gjithashtu gjyshe e një nxënësi.

Një prej masave që parashikon plani i veprimit të qeverisë për sigurinë dixhitale lidhet edhe me fushatat e edukimit dhe ndërgjegjësimit të prindërve. Psikologët nga ana tjetër thonë se qasja e fëmijëve në internet më video të dhunshme të papërshtatshme apo me lojra të rrezikshme shkakton mjaft pasoja.

“Duke filluar nga elementët që kanë të bëjnë me aspekte psikologjike që janë përjetime të ndjenjave të ankthit, të frikës apo dhe depresioni që shfaqen me faktorët fizilogjikë, që kanë të bëjnë më elementin e gjumit dhe me ushqyerjen. Këta janë faktorë të rëndësishëm në zhvillimin dhe mirërritjen e tyre”- thotë për Zërin e Amerikës, Arjana Muçaj, pedagoge e psikologjisë në UT.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike i tha Zërit të Amerikës se janë rritur ndjeshëm raportimet e të miturve në vitin 2024. Nga 216 rastet e raportuara në platformën kombëtare të këtij institucioni Raporto,(për periudhën janar-nëntor 2024) bullizmi kibernetik është incidenti më i raportuar me 109 raste, ndjekur nga hakerimi, shantazhi, vjedhja e informaconit, përmbajtja seksuale apo ekspozimi i fëmijëve. Shumica e raportimeve janë bërë nga adoleshentët e moshës 13-16 vjeç, ku viktima janë kryesisht vajzat. Ndërkaq edhe policia i konfirmoi Zërit të Amerikës, se në vitin 2024 nga veprat penale të kryera në internet u dëmtuan 12 të mitur, ose tre herë më shumë se 5 vite më parë. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike thotë se ka kryer fushata edukuese dhe informuese për sigurinë kibernetike tek fëmijët, dhe se ka përgatitur një manual për këtë qëllim, duke argumentuar se kjo është një betejë me të cilën po ndeshen të gjitha vendet e botës.

Ky institucion ka kryer gjithashtu dhe një sondazh që sjell të dhëna mbi rrjetin social më të përdorur nga fëmijët dhe adoleshentët.

“ Nga rreth një mijë pyetësorë të plotësuar nga nxënës të shkollave 9 vjeçare dhe të mesme është vënë re së rrjeti social më i përdorur prej tyre në masën mbi 70% është TikToku. Tre janë rrjetet sociale më të përdorura, TikToku, instagrami dhe snapchati”- thotë Era Gjata, Përgjegjëse e Sektorit të kordinimit të projekteve ndërkombëtare.

“TikTokun do ta mbyllim për një vit”- tha Edi Rama Kryeministër i Shqipërsë gjatë prezantimit të planit të ri të veprimit nga Mnistria e Arsimit, për sigurinë dixhitale të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Kjo vjen si një masë e përkohshme e qeverisë me synimin për të zbutur elementët e dhunës online tek të miturit. Por pyetja që shtrohet është: Përse rrjetin social tik - tok dhe jo një tjetër?

“Problemi është që TikToku në vendet tona bazohet në një algoritëm që stimulon të gjitha ato gjëra që nuk duhen stimuluar. TikToku në Kinë promovon se si nxënësit të bëjnë mirë mësimet, se si ruhet natyra, se si është tradita etj. Rrugaçërira, perversitete, dhunë, bullizëm, krim, thika, presa, shpata, revole, euro, dollarë nuk sheh në tik-tokun e Kinës. Ndërsa në tik- tokun jashtë Kinës vetëm llum dhe vetëm qenëri. Çfarë na duhet ne kjo? Dhe këtë e bën algoritmi”- argumentoi Z. Rama gjatë takimeve me prindër në fund të vitit 2024.

Zëri i Amerikës pyeti dhe disa nxënës të moshës 11-12 vjeç në kushte anonimati, në lidhje me përdorimin dhe përmbajtjen e rrjetit social TikTok.

“ E kam përdorur. Nuk është një rrjet i mirë për moshën deri në 18 vjeç dhe le të mbyllet. Kishte shumë sharje”- thotë një nxënës.

“E kam përdorur por nuk jam ndjerë ndonjëherë e rrezikuar. Nuk mendoj që është shkaku TikToku për këto që kanë ndodhur”- shprehet një tjetër nxënëse.

“Po e kam përdorur, por tani nuk e përdor më se nuk me lejojnë prindërit. Kur e kam përdorur janë ndjerë pak e pasigurt nga videot që kam pare, për shkak të përmbajtjes së tyre. Trendet e reja ishin të rrezikshme”- thotë një tjetër nxënëse.

“TikTok-un e shikoja për qejf. Më dërgonin shokët video. Ishin budallallëqe”- tregon një nxënës.

Qendra për të Drejtat e Fëmijëve nuk e sheh të bazuar vendimin e zyrtarëve për mbylljen e përkohshme të rrjetit social TikTok, edhe pse ky vendim sipas autoriteteve është marë pas sugjerimeve nga komuniteti i prindërve.

“Prindi që ka humbur luftën më fëmijën, në vend që të shkojë dhe të edukojë fëmijën thotë mbylli “rubinetin, ujin”. Janë 1.5 mln shqiptarë që përdorin TikTokun. Bëjnë biznes, nxjerrin të ardhura dhe paguajnë taksa. Janë miliarda shikime për Shqipërinë dhe turizimin në Shqipëri. Është reklamë falas. Çfarë do të bëjnë këta fëmijë të paedukuar që bullizojnë njëri – tjetrin? Nga TikToku do shkojnë tek Instagrami apo akoma më keq në Snapchat dhe Telegram që janë platformat me të rrezikshme për shfrytëzimin seksual të fëmijëve në të gjithë botën”- argumenton Z. Hazizaj.

Nga ana tjetër dhe vetë disa nxënës thonë se janë drejtuar tek forma të reja komunikimi online. Ata pranojnë për Zërin e Amerikës se po përdorin një aplikacion tjetër të ngjashëm me TikTokun që quhet Clapper.

Gjithsesi autoritetet qeveritare e kanë pranuar se mbyllja e TikTokut është një ndihmë por jo zgjidhje. Ndërkaq e pyetur nga Zëri Amerikës Agjencia për Media dhe Informim nuk bëri asnjë koment mbi shqetësimin e ngritur se mbyllja e tik tok mund të dëmtojë edhe mjaft biznese, ndërsa Autoriteti për Sigurinë Kibernetike konfirmoi se rrjeti social TikTok është në proces vlerësimi, duke mos dhënë detaje se si do të veprohet për mbylljen e tij.

E megjthatë thuajse të gjithë aktorët bien dakort kur thonë se beteja me çdo formë e dhune online tek fëmijët dhe adoleshentët kërkon një angahazim të gjerë shoqëror, me përfshirjen e Institucioneve shetërore, komunitetit të prindërve, organizatave jo qeveritare dhe medias./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë