Lëvizja Shqipëria Bëhet ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion një kallëzim penal mbi keq administrimin dhe abuzimet në sektorin e naftës.
Nënkryetarja e partisë Dorina Prethi tha se nga SPAK kërkohet të hetohet fitimi i shtetit nga tregu i naftës si dhe të gjitha kontratat për të kuptuar nëse ka pasur ose jo korrupsion nga zyrtarë apo persona që operojnë në këtë biznes.
“Aktualisht në kallëzim kemi kërkuar që të hetohen të gjitha situatat që i takojnë shpërdorimit të detyrës, shkatërrimit të pronës dhe ndotje të ujit, ajrit dhe tokës. Jemi të gjithë dëshmitar që sot kemi çmimin më të lartë të naftës në rajon dhe pse jemi një vend që prodhon naftës, dhe sërish një pjesë e konsiderueshme derdhet në lumenj, në tokë dëmton ekosistemin. Kemi kërkuar që të behet një hetim, të kuptojmë sesa ka fituar shteti shqiptar nga këto dhe i kërkojmë SPAK që të hetojë imtësisht gjendjen e kontratave të naftës, edhe nëse ka pasur korrupsion nga zyrtarët e latë apo qytetarët që kanë abuzuar me nëntokën tokë. Kemi bashkëngjitur dhe provat”, tha Dorina Prethi.
Kryetari i Shqipëria Bëhet tha se Shqipëria duhet të marrë nën kontroll pasuritë e veta dhe se do të vijojnë me grumbullimin e provave të tjera për faktimin e pretendimeve.
“Është e rëndësishme që Shqipëria të marrë nën kontroll pasuritë e veta. Ne do të vijojmë me hetim administrativ me mbledhjen e fakteve”, tha Lapaj.
Aktualisht për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i shitjes së hidrokarbureve përcaktohet nga Bordi i Transparencës. Sot nafta shitet me 197 lekë/litri ndërsa benzina 172 lekë për 1 litër.
Komente










