Shqipëria dhe Bullgaria janë dy vende me numrin më të ulët të humbjeve njerëzore në Europë nga COVID-19 në raport me numrin e popullsisë 9 e 8 humbje për një milion banorë. Treguesit më të rëndësishëm të gjendjes së pandemisë, kontrollit dhe përballimit të saj në përgjithësi në Shqipëri u dëshmuan sipas pritshmërive optimiste. Përmes një buletini të publikuar në Relacionin e E-group-it ndërdisiplinar “Në ndjekje të pandemisë” nga Akademia e Shkencave tregohet sesi pandemia COVID-19 është zhvilluar në vende të ndryshme të globit.
Europa shënjoi numrin më të ulët të shtimit të të sëmurëve në ditë deri më sot, si dhe të jetëve të humbura në një ditë: 380 veta më pak se një ditë më parë. Në Shqipëri treguesi i vdekshmërisë ka zbritur në 3.8 për qind. Ky tregues në shumë vende europiane varion nga nën 1 për qind në Islandë deri në mbi 13 për qind në Belgjikë, Itali dhe Francë. Në rajonin tonë vdekshmëria për shkak të pandemisë COVID-19 luhatet nga nën 2 për qind në Serbi dhe Mal të Zi, deri në mbi 5 për qind në Slloveni e Greqi.
Sa i takon numrit të humbjeve njerëzore për një milion banorë, edhe për këtë tregues vërehet një kontrast midis vendeve perëndimore dhe atyre të Lindjes e vendeve të rajonit tonë. Shqipëria e Bullgaria kanë treguesin me pozitiv, me 9 dhe 8 humbje për një milion banorë. Në vendet e Ballkanit vdekshmëria për një milion banorë shkon deri 28. Në Francë, Spanjë e Itali ky tregues varion nga 350 deri në 430, ndërsa në Gjermani e Austri, vendet me indeksin më të ulët në Perëndim, humbjet janë dëshmuar në nivelet 70 e 60 për një milion banorë.
Gjatë ditës së djeshme u konturuan qartë specifikat e ecurisë së pandemisë tek ne: një rritje ditore e numrit të të sëmurëve rishtas në kufijtë e 2 përqindëshit në shkallë vendi; Rritje minimale në Tiranë e qendrat kryesore; Krijimi i një vatre të re në Krujë-Kurbin. Ritëm i kënaqshëm shërimesh, çka ka bërë që niveli i të shëruarve të jetë: 62.4 për qind në Tiranë, 54 për qind në Shkodër dhe nga 70 deri qind për qind në qarqet e tjera ku nuk ka përhapje vatra e re.