TIRANË- Javën e ardhshme Shqipëria do të bëhet shteti i dytë në botë që do ta shpallë Iranin “shtet financues të terrorizmit”. Pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën në vitin 1984, një projektrezolutë e  depozituar në Kuvend nga socialistët, sanksionon se “Kuvendi i Shqipërisë shpall Republikën Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme”.

Në projekt-rezolutën e paralajmëruar më herët edhe nga Kryeministri Rama, i kërkohet qeverisë shqiptare që menjëherë pas miratimit nga Kuvendi, ekzekutivi të vijojë me deklarimin terroriste edhe të dy prej organizatave me famëkeqe të regjimit iranian.

"Të shpallë menjëherë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste. Të shpallë gjithashtu Hezbollah si një organizatë terroriste proxy të Republikës Islamike të Iranit.", thuhet në pr.rezolutë.

Drafti, që do të votohet në Kuvend seancën e javës së ardhshme, dënon gjithashtu sulmet kibernetike të kryera kundër institucioneve të vendit nga Irani, dhe i bën thirrje të gjitha vendeve të tjera demokratike apo organizatave ndërkombëtare që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.

Në rezolutë Kuvendi do të dënojë  me termat më të ashpër veprimet e Qeverisë së Republikës Islamike të Iranit që mbështesin, mundësojnë ose kryejnë akte terrorizmi, operacione hibride dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës si dhe shpreh solidaritetin e plotë me vendet mike të Gjirit Persik dhe me Turqinë, të cilat janë shënjestër nga aktiviteti terrorist i sponsorizuar nga Qeveria e Republikës Islamike të Iranit.

Vjeshtën e vitit 2022 Shqipëria vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe të dëbojë diplomatët iranianë në Tiranë, pasi vërtetoi se regjimi i Teheranit fshihej pas sulmit kibernetik ndaj shërbimeve dhe sistemeve shtetërore shqiptare. Kryeministri Rama tha këtë të premte se sulmet nuk janë ndalur asnjë ditë që prej mbi 3 vitesh.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:41
Balla depoziton projekt-rezolutë për shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në emër të grupit socialist ka depozituar sot në Kuvendin e Shqipërisë një projekt-rezolutë për shpalljen e Republika Islamike e Iranit si shtet sponsor të terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste.

Projekt Rezoluta parashikon gjithashtu shpalljen e Garda Revolucionare Islamike si organizatë terroriste.

Sipas propozimit, përmes kësaj rezolute u bëhet thirrje vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të Shqipërisë që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.

Nismëtarët shprehen se presin që rezoluta të marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Pas miratimit, ajo do t’i përcillet Qeverisë shqiptare, qeverive aleate si dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ora 13:03
Rezolutë për Iranin, Rama: Javën e ardhshme e shpallim sponsor të terrorizmit, Pasdaranët dhe Hezbollahu organizata terroriste

 

Javën e ardhshme Shqipëria do të votojë një rezolutë që Republika Islamike e Iranit të shpallet shtet sponsor të terrorizmit, bëri me dije kryeministri Rama në konferencën për shtyp. Njëkohësisht Garda Revolucionare e Iranit dhe Hezbollahu do të shpallen organizata terroriste.

“Javën që vjen parlamenti i Shqipërisë do të ftohet të votojë një rezolutë për ta shpallur Republikën Khomeiniste të Iranit, unë me gojë nuk e them dot, islamike, sepse ajo republikë s’ka asnjë lidhje me islamin sipas asaj që unë di dhe çmoj tek islami, shtet sponsor të terrorizmit. Bashkë me këtë, do të shpallet organizatë terroriste Garda Revolucionare e Iranit dhe Hezbollahu, që të dyja”, tha Rama.