Shqipëria do t’i nënshtrohet pas 12 vitesh një Programi të plotë Vlerësimi të Sektorit Financiar (FSAP), i realizuar bashkërisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Anke Weber, shefe e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, u shpreh në një intervistë për “Monitor” se vlerësimi do të kryhet gjatë vitit 2026 dhe do analizojë në mënyrë të thelluar qëndrueshmërinë e sektorit financiar ndaj goditjeve, do të identifikojë cenueshmëritë e fshehura dhe do të vlerësojë efektivitetin e rregullimit dhe mbikëqyrjes financiare, duke siguruar që sistemi financiar i Shqipërisë të mbetet i fortë përballë sfidave në zhvillim.
Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), i themeluar në vitin 1999, është një vlerësim gjithëpërfshirës dhe i thelluar i sektorit financiar të një vendi.
Në ekonomitë e zhvilluara, FSAP kryhet nga FMN-ja, me fokus në vlerësimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar, cilësinë e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës, si dhe kapacitetin për të menaxhuar dhe zgjidhur krizat financiare.
Në ekonomitë në zhvillim, FSAP kryhet së bashku me Bankën Botërore.
Bazuar në gjetjet e tyre, programet FSAP prodhojnë rekomandime me natyrë mikro dhe makroprudenciale dhe rekomandime mbi nevojat e zhvillimit, të përshtatura sipas rrethanave specifike të vendit.
Programi FSAP vjen në një moment kur Shqipëria ka avancuar më tej në procesin e integrimit europian. Në veçanti, vitet në vazhdim do të jenë të rëndësishme për përafrimin e plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator me atë të Bashkimit Europian.
Në fund të vitit të kaluar, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, paralajmëroi se në periudhën 2026-2027, kuadri ligjor dhe rregullator i sektorit bankar do të përafrohet plotësisht me atë të Bashkimit Europian. Guvernatori tha se, në këtë proces, është i domosdoshëm mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i industrisë bankare, në mënyrë që ndryshimet të adoptohen drejt dhe përfitimet të materializohen sa më shpejt.
Ndërkohë, duke iu referuar programit FSAP, Sejko tha se ky vlerësim do të shërbejë si një certifikatë ndërkombëtare për cilësinë e kuadrit të përgjithshëm ligjor dhe nënligjor, praktikave të mbikëqyrjes dhe administrimit të rrezikut për veprimtarinë financiare, duke evidentuar njëkohësisht boshllëqet dhe duke orientuar drejt përmirësimeve të nevojshme.
Rekomandimet e FSAP 2013
Programi i fundit FSAP për Shqipërinë u zhvillua në vitin 2013, ndërsa FMN i publikoi gjetjet dhe rekomandimet kryesore në fillim të vitit 2014.
Në atë periudhë, sektori financiar në vend ndodhej në rrethana të ndryshme nga sot, veçanërisht nën trysninë e krizës së kredive me probleme.
Një nga rekomandimet kryesore të FSAP ishte intensifikimi i përpjekjeve për të trajtuar rritjen e shpejtë të kredive me probleme. Pas një plani masash të qeverisë dhe bankës së Shqipërisë, kreditë me probleme u ulën gradualisht dhe ndodhen sot pranë nivelit më të ulët në 16 vitet e fundit.
Një rekomandim tjetër i FSAP ishte zvogëlimi i rreziqeve sistemike që rrjedhin nga zotërimet e mëdha të letrave me vlerë qeveritare nga bankat dhe fondet e investimeve dhe zhvillimi i tregut dytësor të titujve, me qëllim për të ulur rreziqet e lidhura me likuiditetin.
Në këtë drejtim, ndryshimet deri më sot nuk kanë qenë shumë të rëndësishme. Letrat me vlerë të qeverisë vazhdojnë të zënë më shumë se një të katërtën e aseteve të sektorit bankar, ndërsa trefgu dytësor ngelet i pazhvilluar.
FSAP rekomandonte gjithashtu adresimin e rreziqeve të përdorimit të lartë të Euros. Në veçanti, për të zbutur rreziqet dhe për të zbutur kostot e përdorimit të Euros, FSAP rekomandonte që autoritetet të rrisnin raportet minimale të kredisë ndaj vlerës për kreditë në valutë të huaj dhe të zbatojnë një kërkesë më të lartë likuiditeti për depozitat në valutë të huaj në krahasim me atë që zbatohet për depozitat në Lekë.
Banka e Shqipërisë iu përgjigj këtyre rekomandimeve me një paketë masash për uljen e Euroizimit të sektorit financiar, por megjithatë rezultatet në drejtim të deeuroizimit kanë qenë modeste deri më sot.
FSAP rekomandonte që mbikëqyrja bankare duhej forcuar, duke përmirësuar mbikëqyrjen e bazuar në rrezik (duke përfshirë vlerësimin më ndërhyrës të menaxhimit të rrezikut të kreditit në banka), duke zgjeruar mbikëqyrjen e konsoliduar, duke formalizuar bashkëpunimin me mbikëqyrësit vendas, duke rritur stafin e mbikëqyrjes dhe duke rritur mbrojtjen e tyre ligjore.
FSAP gjithashtu rekomandonte përmirësimin e mbikëqyrjes së institucioneve financiare jo-bankave, duke kërkuar që autoritetet të ndërmerrnin një reformë të madhe të AMF-së për të siguruar pavarësinë e saj financiare dhe operacionale dhe për ta shndërruar atë në një rregullator efektiv të fondeve të investimeve dhe pensioneve, si dhe të tregut të sigurimeve./Monitor
Komente










