Kush kundërshton diçka, duhet të njohë mirë pikësëpari atë që kundërshton e më pas ka një detyrë shumë të vështirë: Të bindë shumicën për atë antirregull që propozon. Nuk ka ndodhur revolucion, ndryshim në botë pa pasur në thelb këtë rregull të artë, këtë bërthamë të diamanttë në bazë të çdo evolucioni e përmirësimi.

Revolucionarët, rebelët duhet të dinë më shumë se kushdo, duhet të njohin përtej asaj që shumica sheh e dëgjon. A bazohet në këtë dritë dëshira e disave mes nesh që bërtasin për revolucion, ndryshim, rrëzim, përmirësim, korrigjim?

Për fat të keq jo! Nuk bëhen revolucionet nga dritare Facebook-u nga ku tregojmë atë që duam të shesim duke e zbukuruar apo shëmtuar, nga kafene luksi Tirane të lustruara me para’ informale , nga kolltuqe studiosh televizive të ngrohura nga disa rroga nëpër bordero’ bordesh, biznesesh, evazioni apo krimi. Shqipëria deri më sot, e mbushur plot "rebelë" hileqarë që të gabuarën duan ta zëvendësojnë me më të keqen që kemi parë. E sidomos, nuk bëhen revolucione e ndryshime nga seli partish më të korruptuara sa edhe më i korruptuari i imagjinuar nga letërsia më fantazioze e botës.

Atëherë? Duam ndryshim dhe përmirësim? Sjelltë 2022 rebelin apo rebelen e dëshiruar! Sjelltë atë të ri apo të re që ka një zemër të artë dhe të drejtë. E sidomos, të pastër e të pakorruptuar. Deri tani, para syve tanë kemi parë “revolucionarë e revolucionare” që vetëm kanë propozuar zëvendesimin e një lumi , me ujërat e llumta të një tjetri që kemi parë, njohur e provuar.  Deri atëherë, është e kotë që këmbëngulin me forma të ndryshme, të njëjtët persona me seriozitet të kompromentuar. Shqipëria e 2022-s pret rebelin/rebelen e munguar!