Shqipëria hyn zyrtarisht në 
“srehëzën sekrete” të Titos

Shqipëria hyn zyrtarisht në <br />“srehëzën sekrete” të Titos
TIRANE- Projekti i artit bashkëkohor “D-0 ARK Underground” në vitin 2011 është shënuar si një ngjarje e rëndësishme kulturore e Europës. Vetëm pas katër vjetësh, Shqipëria bëhet zyrtarisht pjesëmarrëse e këtij projekti të artit bashkëkohor, që zhvillohet nën patronazhin e UNESKO-s. Bienalja Projekti i Artit Bashkëkohor, ART D-0 ARK Underground, do të mbahet nga 26 prill 2015 deri më 26 shtator 2015 në Konjic, një qytet i vogël boshnjak. Arsyeja e zhvillimit pikërisht në këtë vend është një bunker i madh, një ish-strehë ushtarake që mban emrin ARK.

Kjo strehë sekrete është ndërtuar nga ushtria jugosllave dhe ka funksionuar nga viti 1953 deri në vitin 1979. Ky vend strehim zë një hapësirë prej 6.500m2 dhe përbëhet nga 12 blloqe të lidhura. Ajo i ngjan një labirinti të komplikuar, me zonat e banuara, salla konferencash, zyra, dhoma e planifikimit strategjik, si dhe hapësira të tjera funksionale. Ekzistenca e këtij bunkeri është mbajtur sekret deri vonë dhe vetëm në vitin 1990, kur ARK-ja u zbulua.

ARK është ndërtuar si një bunker ushtarak nga ish ushtria popullore jugosllave (JNA), me synimin që të kryente funksionin e kupolës kryesore për operacionet ushtarake apo të Komandës Ushtarake dhe si strehë për udhëheqësin Josip Broz Tito, familjen e tij dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, në rast lufte. Më 2011-n, Këshilli i Evropës i jep projekti Art D-0 ARK Underground statusin e një ngjarjeje me rëndësi të madhe kulturore dhe ka mbështetje të fortë e UNESCO-s, me synimin për të ruajtur dhe mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe historike. Ndaj streha sekrete që në vitet ’70 shërbente për mbrojtjen nga lëndët atomike të Titos, duke ruajtur vlerën muzeale, i shërben njëkohësisht krijimit të vlerave artistike në atë vend dhe rivendosjes së lidhjeve të këputura në mes artistëve dhe njerëzve krijues në rajon.
 
Shqipëria i bashkohet “...Underground”-it në Konjic
 
Dje në Ministrinë e Kulturës është prezantuar projekti i Bienales për Artin Bashkëkohor Art D-0 ARK Underground, i cili realizohet nën patronazhin e UNESCO-s. Prezantimi është bërë në praninë e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe drejtori të projektit të bienales, Edo Hozic. Në prill të 2015-s, Shqipëria i bashkohet Projektit  të  Bienales për Artin Bashkëkohor në Konjic të Bosnjës. Drejtoria e Projektit të Bienales ka zgjedhur dhe ka nisur komunikimin me kuratoren e Shqipërisë, Adela Demetja, e cila do të bashkëpunojë me Galerinë Kombëtare të Arteve për këtë pjesëmarrje të rëndësishme të Shqipërisë në Bienalen e Sarajevës. Në konferencë mernin pjesë edhe Margarethe Makovec dhe Anton Lederer, të cilët  prezantuan konceptin e Projektit të Bienales 2015.

“Jemi këtu sot për të prezantuar Projektin e Bienales për Artin Bashkëkohor Art D-0 ARK Underground, i cili na tregon se diplomacia përmes kulturës e kthen një vend të vogël ballkanik në një strehë arti ndërkombëtar, një objekt të destinuar për luftë në një energji arti. Eksperiencat e mëparshme me Bienalen e Arkitekturës 2014, pavijoni shqiptar i të cilit u vlerësua nga shtypi dhe vizitorët, apo ekspozitat Co-Existence dhe pjesëmarrja më e afërt në Bienalen e Venecias përforcojnë më së miri dialogun kulturor shqiptar në arenën ndërkombëtare”, tha ministrja Kumbaro, duke shtuar se “Ministria e Kulturës gjen qasje të njëjta me projektet e rajonit, pasi po ecën me të njëjtat ritme dhe filozofi, po përpiqemi të shfrytëzojmë objekte të së kaluarës të konceptuara për luftë, për t’i kthyer në vende arti”.

Projekti do të vihet në zbatim në bashkëpunim me ministritë e kulturës të Republikës së Serbisë, Malit të Zi, Republikës së Kroacisë, Republikës së Turqisë dhe Bosnje Hercegovinës.  Shqipëria, së bashku me Austrinë janë dy vendet partnere në edicionin e tretë të D-0 ARK Underground. Dje kuratorët prezantuan “D-0 Ark Underground” si një eveniment i rëndësishëm të artit bashkëkohor në rajonin tonë, që zhvillohet në krye të dy viteve në Bosnje & Hercegovinë, në një bunker anti-bërthamor, ndërtuar gjatë viteve 1970.

Ndërsa Edo Hozić, Drejtor  i Projektit të Bienales u shpreh se “ Jemi shumë të lumtur që Shqipëria dhe Austria do të jenë partner për këtë edicion. Ata do ta bëjnë më të fortë projektin tonë. Ju kujtoj se bunkeri i mbyllur, një histori për epokën e Luftës së Ftohtë ka pasur në edicionet e mëparshme rreth 44.000 vizitorë, duke u kthyer në një pikë të rëndësishme të artit bashkëkohor”.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje