'Shqipëria ishte një botë burrash, e vetmja mënyrë për të mbijetuar ishte të bëheshe e tillë', historia e Gjystinës, një prej burrneshave të fundit! BBC shkon në Alpe

'Shqipëria ishte një botë burrash, e vetmja mënyrë për të mbijetuar ishte të bëheshe e tillë', historia e Gjystinës, një prej burrneshave të fundit! BBC shkon në Alpe

Gjystina Grishaj, foto nga BBC

Si një vajzë 23-vjeçare që jetonte në malet e veriut të Shqipërisë, ajo mori një vendim që do t'i ndryshonte jetën. U betua se nuk do të martohej dhe premtoi se do të jetonte pjesën tjetër të jetës si burrë. Kjo është historia e veçantë e Gjystina Grishaj, për të cilën media e njohur ndërkombëtare BBC i ka kushtuar një reportazh fenomenit të “burrneshave shqiptare”.

“Shqipëria ishte një botë burrash, e vetmja mënyrë për të mbijetuar ishte të bëheshe e tillë”, thotë Gjystina Grishaj.

Familja e Gjystinës prej më shumë se një shekulli jeton në rajonin e Malësisë së Madhe të Lëpushës. Një luginë e futur thellë midis maleve të thepisura, është një nga zonat e pakta ku ekziston ende tradita e burrneshës, një praktikë shekullore në të cilën gratë betohen pleqve të fshatit dhe jetojnë si burra, shkruan BBC.

Këto gra njihen si burrneshat, ose virgjëresha të betuara.

"Ka shumë të pamartuar në botë, por nuk janë burrneshat. Një burrnesha i përkushtohet vetëm familjes, punës, jetës, për të ruajtur pastërtinë e saj", thotë Gjystina, tashmë 57 vjeç.

Për shumë gra të lindura në kohët e mëparshme, shkëmbimi i identitetit të tyre seksual, riprodhues dhe social ishte një mënyrë për të shijuar liritë që vetëm burrat mund t'i përjetonin, shkruan BBC në artikullin e saj.

Bërja burrnesha i lejoi grave të visheshin si burra, të vepronin si kryefamiljare, të lëviznin lirshëm në situata sociale dhe të merrnin përsipër punë tradicionalisht të hapura vetëm për burrat.

Si një e re sportive, aktive, Gjystina ose Duni, siç njihet nga njerëzit më të afërt, ishte e vendosur të ishte e pavarur. Ajo kurrë nuk e imagjinonte një jetë tradicionale për veten e saj të martesës, punëve të shtëpisë, veshjes së fustaneve. Në vend të kësaj, pas vdekjes së babait të saj, ajo vendosi të bëhej një virgjëreshë e betuar, në mënyrë që të drejtonte familjen dhe të mund të merrte përsipër punë për t'i mbështetur financiarisht.

“Ishim jashtëzakonisht të varfër… babai më vdiq, nëna ime kishte gjashtë fëmijë, kështu që për ta bërë më të lehtë për të, vendosa të bëhesha burrnesha dhe të punoja shumë”, thotë ajo.

Gjystina jeton në një fshat të largët. Në rastin më të mirë dhe dimrat e ashpër bëjnë që rruga për në Lepushe shpesh të jetë e bllokuar nga bora dhe të ndërpritet energjia elektrike. Ajo drejton një bujtinë dhe punon tokën dhe kujdeset për kafshët e saj.

Si burrnesha dhe kryefamiljare, është mjeke popullore dhe përgatit çajra dhe vajra shëruese, një aftësi që e ka trashëguar nga babai i saj.

"Ai kujdesej shumë për barërat medicinale dhe mësimet ma përcillte mua. Dhe dua që këtë praktikë ta trashëgojë edhe mbesa ime Valerjana, edhe pse ka zgjedhur një rrugë tjetër", thotë Duni.

Gjystina nuk u detyrua të bëhej burrnesha, përkundrazi, ajo e zgjodhi jetën për vete. E rritur në Shqipërinë komuniste, ajo ndjeu se burrat në atë kohë kishin shumë më tepër liri, shkruan BBC.

“Kishte shumë momente që ti konsideroheshe të pabarabartë”, thotë ajo. “Gratë ishin shumë të izoluara, ishin të kufizuara në punët e shtëpisë dhe nuk kishin të drejtë të flisnin”.

Familja e saj,  veçanërisht nëna e saj  nuk e miratoi zgjedhjen e saj, e shqetësuar se ajo po sakrifikonte mundësinë e saj për mëmësi dhe një familje të sajën. Për Gjystinën, sakrifica u shpërblye.

“Kur vendosa të bëhem burrnesha, fitova më shumë respekt”, thotë ajo.

"Tani nuk ke nevojë të jesh burrnesha për të shijuar liritë. Si një grua moderne nuk ka nevojë të betohesh".

Gjystina nuk fokusohet te çmimi që pagoi për respektin, sakrifikimi i identitetit të saj femëror, por te liria që i dha vendimi i saj.

“Nuk do të ketë më burrneshat, unë do të jem i fundit”, thotë ajo.

Ajo pranon se ndonëse mund të mos merrte të njëjtin vendim sot, nëse do të mund të kthehej pas në kohë do t'i bënte të gjitha përsëri.

“Ndihem krenare që jam burrnesha, nuk jam penduar”./BBC

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë