RUMANI - Ernest Merdanaj dhe Ibrahim Hidri i dhuruan të tjera medalje ari Shqipërisë në taekwondo.
Në Kampionatin Ballkanik të mbajtur në Rumani, me pjesëmarrjen e rreth 460 sportistëve, Ernest Merdanaj shkëlqeu në të 3 ndeshjet e tij në peshën deri 58 kilogramë.
Fillimisht përballë kundërshtarit nga Serbia, më pas ndaj sportistit nga Turqia dhe në finale mundi sportistin nga Kosova, duke u kurorëzuar me titullin Kampion i Ballkanit.
Në bazë të pikëve të grumbulluara dhe ndeshjeve me nivel të lartë, Ernest Merdanaj u shpall sportisti më i mirë i aktivitetit dhe trajnerja Arjola Kasaj, trajnerja më e mirë e Kampionatit Ballkanik.
Paraqitje shumë të mirë bëri edhe Ibrahim Hidri që fitoi gjithashtu medalje ari. Në total Shqipëria në këtë aktivitet mori 10 medalje.