Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari thotë se Shqipëria është nga vendet me përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë.

Në konferencën me temë “E drejta për liri dhe siguri personale-nga Strasburgu te zbatimi në nivel kombëtar”, Lamallari u shpreh se gjysma e të personave që ndodhen në paraburgim, nuk kanë vendim të formës së prerë.

"Të dhënat flasin qartë: përdorimi i tepruar i masës së paraburgimit nuk është vetëm një problem statistikor,  por një problem thelbësor i të drejtave të njeriut, i prezumimit të pafajësisë dhe i proporcionalitetit të ndërhyrjes së shtetit. Për fat të keq, Shqipëria vazhdon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë. Aktualisht, rreth 58% e personave në institucionet penitenciare janë të paraburgosur dhe kohëzgjatja mesatare e qëndrimit të tyre në paraburgim llogaritet në 253 ditë, krahasuar me 155 ditë në vendet evropiane, apo 63% më e lartë! Pra, mbi gjysma e personave që ndodhen në burgjet tona janë ende pa një vendim të formës së prerë, për më tepër, për një kohë shumë herë më të gjatë se ajo e zbatueshme në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, në Bashkimin Evropian mesatarisht vetëm 1 në çdo 5 persona në sistemin penitenciar është i paraburgosur", tha ministri Lamallari.

Sipas tij, Kodi i Ri Penal do duhet të reflektojë marzhet e dënimit të zbatueshme në BE për të njëjtat vepra penale.

Ministri shtoi se edhe Kodi i Procedurës Penale duhet ndryshuar, sipas standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe se duhet të ndahemi nga politika e ashpër penale.

"Tema e kësaj konference na fton të bëjmë pikërisht këtë, dhe koha më e mirë është tani: Kodi i Ri Penal do duhet të reflektojë marzhet e dënimit të zbatueshme në Bashkimin Evropian për të njëjtat vepra penale; Kodi i Procedurës Penale, do duhet ndryshuar për të garantuar qartë dhe pa ekuivok të njëjtat garanci procedurale për lirinë dhe sigurinë e personit, sipas standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut", deklaroi Ministri i Drejtësisë.

Lamallari theksoi se bashkëpunimi me Këshillin e Evropës dhe partnerët ndërkombëtarë është thelbësor në këtë rrugë.