Për herë të parë, Shqipëria mori pjesë zyrtarisht në edicionin e 27-të të BMTA, ngjarja më e rëndësishme ndërkombëtare për turizmin arkeologjik, e cila u zhvillua në Paestum, Itali.
Në partneritet me AICS Tirana, u prezantua projekti i Parkut Arkeologjik Kombëtar të Bylisit, si shembull suksesi i bashkëpunimit mes Bashkimit Europian, Italisë dhe Shqipërisë. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka ndarë edhe pamjet nga aktiviteti.
Në sesionin e hapjes morën pjesë: Edmondo Cirielli, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë; Lira Pipa, Zëvendësministre e Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë; Marco Riccardo Rusconi, Drejtor i AICS; Ugo Picarelli, Drejtor i BMTA si dhe përfaqësues të lartë nga Siria dhe Shqipëria.
Në fjalën e saj, Lira Pipa theksoi se projekte si Bylis dhe Antigonea tregojnë se bashkëpunimi mesdhetar kthen trashëgiminë në mundësi zhvillimi ekonomik, turizmi të qëndrueshëm dhe përfshirjeje të komuniteteve lokale. Përgjatë vitit 2025, mbi 1.3 milionë turistë kanë vizituar sitet tona arkeologjike e kulturore, duke treguar interesin gjithmonë e më të lartë për turizmin kulturor në Shqipëri.
Gjatë panairit, patëm kënaqësinë të takonim Mounir Bouchenaki, personalitet i kulturës, Këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO dhe njëkohësisht, President i Nderit të Panairit, ku diskutuam për pjesëmarrjen vitin e ardhshëm, si dhe organizimin e një konference mbi trashëgiminë dhe turizmin arkeologjik në Shqipëri.
Komente








