TIRANË - Shqipërisë iu dha sot statusi i vëzhguesit në Aleancën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA). 
Vendimi për dhënien e këtij statusi u bë i ditur gjatë sesionit të dytë plenar të Kryesisë britanike të IHRA-s, i cili është duke u zhvilluar në Mançester të Mbretërisë së Bashkuar.
Statusi i vëzhguesit në IHRA iu mundëson të gjithë të interesuarve dhe ekspertëve shqiptarë të fushës akademike, historisë, kërkimit shkencor, arkivave, arsimit dhe kulturës që të aplikojnë për projekte të ndryshme kombëtare ose rajonale që promovojnë bashkëjetesën fetare dhe komunitare, tolerancën, paqen dhe ndërgjegjësimin për shmangien e paragjykimeve mbi baza fetare e etnike.
Në fjalën e saj, kryetarja e delegacionit shqiptar në këtë mbledhje, Albana Dautllari, Drejtore për Diplomacinë Ekonomike dhe Publike në MPJ, përveç kontributit shqiptar për shp?timin e hebrejve gjat? Luftës së Dytë Botërore theksoi dhe bashkëjetesën e shkëlqyer fetare në Shqipëri, si shembull i tolerancës së shoqërisë sonë, ku vlerat dhe parimet e besimit i shërbejnë demokratizimit të mëtejshëm të shoqërisë shqiptare në rrugën drejt integrimit evropian./ATSH/