Siç raporton agjencia “BalkanInsight”, një dokument i brendshëm i Kombeve të Bashkuara, publikuar nga rrjeti norvegjez NRK, tregon se “Shqipëria renditet mes 8 vendeve si destinacione të mundshme për arsenalin kimik sirian. Mes këtyre vendeve është vetë Norvegjia, Belgjika dhe 5 anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, SHBA, Rusi, Kina, Franca dhe Britania e Madhe”.
Por ka reaguar Aleanca Kundër Importit të Plehrave, grupi që loboi suksesshëm kundër importit të mbetjeve në Shqipëri. Sipas AKIP, “transferimi i armëve kimike të regjimit të Bashar Al Assad është kundër ligjeve dhe interesave të vendit”.
“I bëjmë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë që të refuzojë këtë kërkesë të Kombeve të Bashkuara për transferimin e armëve kimike siriane për shkatërrimin në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e AKIP, siç raporton “BalkanInsight”.
“Transferimi i rezervave të armëve kimike siriane bie ndesh ndaj ligjeve të Shqipërisë dhe interesave të vendit”, vijon deklarata.
Bazuar në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar në shtator, arsenali i armëve kimike të presidentit Assad, duhet të transferohen jashtë Sirisë Brenda janarit 2014 dhe të shkatërrohen përpara qershorit të po këtij viti.
Pas një presioni të fortë ndërkombëtar, Damasku ra dakord të heqë dorë nga armët e tij kimike, një arsenal i cili nuk njihet ende me saktësi.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për më shumë se 1 mijë ton armë të tilla.
Vetë Norvegjia e ka refuzuar këtë kërkesë duke deklaruar se, ka pengesa ligjore dhe mungesë të aftësive teknike.
Por ndërkaq Shqipëria, e listuar mes vendeve destinacion për shkatërrimin e këtij arsenali, në 2007-ën u bë vendi i parë që shkatërron plotësisht rezervat e saj duke përmbushur detyrimet e sipas traktatit të çarmatimit dhe Konventës së Armëve Kimike.
Një proces i kryer me ndihmën dhe financimin e qeverisë amerikane, ku në total janë eleminuar 16 678 kilogramë agjentë kimikë, me një kosto prej 34,8 milionë euro.
Rezervat u zbuluan rastësisht në një bunker të braktisur në dhjetor të vitit 2002 dhe besohet të jenë importuar nga Kina në mes të viteve 1970 nga regjimi i Enver Hoxhës, megjithëse kurrë nuk është gjetur ndonjë dokument mbi praninë e tyre.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)