Kryeministri Edi Rama po premton hyrjen në BE me PS-në në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kjo tematikë u trajtua sot në “5 Pyetjet nga Babaramo”, ku të ftuar nga Report Tv ishin deputeti i koalicionit Djathtas për Zhvillim, Dashamir Shehi, deputeti i PS, Etjen Xhafaj, Besart Xhaferri nga PD dhe Erald Kapri nga “Mundësia”.
Deputeti Shehi tha se premtimi i Ramës është një mirazh i vjetër dhe një mashtrim elektoral, pasi për të hyrë në BE duhet të plotësosh disa detyra.
“Është premtim, por një ditë do hyjmë ne, s’ka rrugë tjetër. Ky zotëria s’ka premtim tjetër. Sepse rrugët u vodhën, çfarë do thotë, shëndetësinë, arsimin, kështu që përdor një mirazh të vjetër. Historinë e vjetër, regjimi i vizave, gardhi i vjetër. Kur premtojmë Europën duhet të ofrojmë standarde si të Europës. A e bën dot sistemin arsimor, shëndetësor, ekselentët. Ky po krijon mirazhin se me mua do hyjmë në Europë dhe me të mirat europiane do vijnë për ju. Por siç e tha edhe Kreshnik Spahiu, bashkë me të mirat vijnë edhe disa detyrime. Pra duke parë situatën ai ka gjetur këtë narrativë, se kjo nuk ka problem. Kjo s’ka të keqe, por pretendimi se e bën vetëm ky është gënjeshtër e madhe, është e turpshme dhe politike. Këtu ishte 12 vjet, pse nuk e bëri. Është narrativë elektorale, premtime për gjëra të pakapshme. Por pas 12 majit situata në Ballkan mund të përkeqësohet dhe kjo situatë të rrëzohet. Shqipëria duhet të përgatitet për realitete që mund të jenë edhe të rrezikshme”, tha Shehi.
![]()
Kurse deputeti socialist Etjen Xhafaj, u shpreh se premtimi i kryeministrit Edi Rama bazohet në realitet, pasi grupkapitujt janë hapur dhe vendi ndodhet shumë pranë BE-së për anëtarësim.
“Unë mendoj se vetëm PS mund ta realizojë këtë, e në këtë prizëm është edhe premtimi i kryeministrit Edi Rama. Nuk është regjim por është një standard balancash për qeverisje, ka dhe faktorë gjeopolitikë”, tha ai.
Kreu i FRPD-së, Besart Xhaferaj e kundërshtoi, duke kujtuar aferat qeveritare dhe dosjet në SPAK. Xhafaj në krahun tjetër i kujtoi dy liderët e opozitës nën akuzë nga SPAK. Madje mes tyre pati shkëmbime akuzash të forta dhe replika politike.
“Bie dakord që është mirazh. Nuk realizohet me një mandat, pra Rama po kërkon dy mandate në parim. Por ka shumë problematika në Shqipëri, që shkojnë paralel me grupkapitujt e hapur, si krimi, korrupsioni, arsimi, shëndetësia, drejtësia dhe të tjera. Duhen plotësuar njëherë kriteret dhe kapitujt dhe pastaj të hysh në BE. Hapja e negociatave nuk është fakt, fakt është NATO dhe heqja e vizave. Qeveria është e zhytur në afera korruptive”.
Kurse përfaqësuesi i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, vuri në dukje se edhe pas 30 vitesh shqiptarëve u bëhet i njëjti premtim.
“Historia e Sabri Godos është ende domethënëse, ku pas 30 vjetësh ende premtohet pasaporta e BE-së, përveç të tjerave. Rama njëherë premtoi me tërmetin, kurse tani me pasaportën europiane. Rama po u premton BE-në. Si mund të futemi në BE, kur i vjedhim fondet e BE-së. Po për pronat dhe lirinë e tregut, ekonomike. Po çmimet e produkteve që janë më të shtrenjta se në vendet e BE-së”, tha ai.
Deputeti Etjen Xhafaj i kundwrshtoi Kaprin dhe Xhaferrajn duke kujtuar se praktika e tyre ishte "hedhja e disa shashkave" dhe devijimi i realitetit.
Kreu i koalicionit “Djathtas për Zhvillim”, deputeti Dashamir Shehi, u shpreh se ka bindjen se rotacioni politik do ndodhte më 11 maj, pasi situata duhet të ndryshojë dhe është koha e duhur.
Kurse ‘dashurinë’ Basha-Rama me video-postime dhe këngë në rrjetet sociale ai i quajti groteske dhe si garë për klikime.
Shehi sugjeroi se nëse duan më shumë klikime, Basha dhe Rama të dalin lakuriq se marrin më shumë, teksa shprehu edhe keqardhjen për të parin që ka rënë në nivelin e kryeministrit, i cili shquhet për batuta.
“Unë them se do ketë rotacion, sondazhet nuk kanë shumë peshë për mua, duke parë atë që ndodhi në SHBA. Grupet alternative do mbledhin votat dhe do bëjnë të mundur rotacionin. Te ne duhet rotacion vertikal, ta përmbysi situatën. Ka kapacitete në Shqipëri për t’u arritur. Na kanë qeverisur dy vetë, Rama-Berisha, ka nevojë për ndryshim. Tre dekada të njëjtët njerëz”, tha ai për situatën elektorale.
Kurse për replikat “repiste” mes kryeministrit dhe ish-kreut të PD-së shprehu keqardhje dhe dha një këshillë.
“Kjo është grotesk. Mua më vjen keq që edhe Basha ka rënë në këtë gjendje, edhe pse politika e ka edhe humorin. Kjo është për të marrë klikime. Por për këtë gjë më mirë të dalin lakuriq se i klikojnë më shumë, ose Big Brother. Nëse është kjo politika me makina, në sensin e humorit politik, mua më vjen keq për Bashën se Rama e ka pasur të tijën batutën, e ka përdorur shumë. Por kjo është estradë, humor del e bën te lokali lagjes”.
Komente

