Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, priti mbrëmjen e së martës, gazetarë, diplomatë dhe ekipin drejtues të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, në një takim fundviti, gjatë të cilit, u ndal te rruga europiane e Shqipërisë, prioritetet për vitin 2026 dhe objektivat strategjikë të qeverisë.

Në fjalën e saj, Spiropali theksoi se integrimi europian mbetet zgjedhja e vetme strategjike e vendit. 

“E gjithë energjia jonë dhe të gjitha kapacitetet tona do të investohen në arritjen e objektivit strategjik: mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade”, u shpreh ministrja.

Ajo e cilësoi rrugën drejt BE-së si një proces thellësisht transformues dhe vokacion kombëtar për shqiptarët.

“Rruga jonë europiane është e nxitur nga një ide e thjeshtë, që sot është zgjidhja dhe zgjedhja jonë e vetme: Shqipëria në Europë”, tha Spiropali.

Duke bërë një bilanc të vitit 2025, ministrja vlerësoi se ky ishte një vit shumë pozitiv për diplomacinë shqiptare.

“33 kapituj të hapur në 13 muaj. Askush nuk ka ecur kaq shpejt më parë”, deklaroi ajo, duke shtuar se në vitin 2026 synohet që shpejtësia e negociatave të shoqërohet me avancimin e reformave dhe mbylljen e grupkapitujve.

Spiropali u ndal edhe te roli i diasporës shqiptare, duke theksuar rëndësinë e ligjit të ri të diasporës. Sipas saj, për herë të parë është krijuar një mekanizëm i qartë koordinues që lidh institucionet në Tiranë me diasporën shqiptare nga Kalifornia deri në Sidnej, si dhe mekanizma të rinj për mbrojtjen e gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë kombëtare.

Ministrja vuri theksin edhe te ligji i ri për shërbimin e jashtëm dhe përmirësimi i statusit dhe kushteve financiare të diplomatëve, të cilat, sipas saj, do ta vendosin diplomacinë shqiptare në pozitat e duhura për të udhëhequr procesin e integrimit europian.

“Në vitin 2026 duhet të bëjmë të mundur që grimcat e së ardhmes sonë europiane të mos jenë më thjesht reflektim, por përditshmëri dhe normaliteti ynë i ri”, përfundoi Spiropali.