Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali iu përgjigj në një konferencë për media të gjitha akuzave se Shqipëria do duhet të paguajë 1 miliardë dollarë për të qenë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën. Spiropali tha se ky është trillim, duke theksuar se një ftesë e tillë është diçka e jashtëzakonshme me përmasë dhe peshë historike për vendin tonë të vogël.
Për Spiropalin, kjo ftesë është një përgjigje direkte nga Trump për opozitën, e cila prej kohësh artikulon se raportet mes dy vendeve nuk janë të mira e madje se Shqipëria u fut në listën e zezë me vendimin për pezullimin e vizave migratore për 75 vende. Spiropali tha se ata që u turrën të helmojnë publikun e kanë marrë përgjigjen direkt nga Trump, i cili ka nënshkruar se në letër se Shqipëria është partner i mrekullueshëm.
“Ne nuk e dimë ende sa janë udhëheqësit e ftuar nga Presidenti Trump, në kohë e kapacitete të ndryshme, për t’ju bashkuar nismës së tij globale, por dimë me siguri që as në Argjentinë e as në Turqi, ku udhëheqësit e atyre vendeve ku e ku më të mëdha se sa vendi ynë e kanë njoftuar publikun për ftesën, nuk ka pasur kurrëfarë debati mbi madhësinë e numrit të anëtarëve të Bordit të Paqes. Përkundrazi, përfshirja e vendit ndër të ftuarit është konsideruar diçka pozitive, e mirëpritur dhe e pranuar me falenderim.
E nëse për ato vende dhe të tjera në përmasat e në peshën e tyre të madhe gjeopolitike, kjo është diçka pozitive, për Shqipërinë e vogël kjo është diçka e jashtëzakonshme, me një përmasë e peshë historike. Bordi i Paqes përfaqëson një qasje të re, të ndryshme nga modelet tradicionale të trajtimit të konflikteve dhe mekanizmat ekzistues të menaxhimit të krizave. Ai lind në një kohë ndryshimesh të mëdha për botën dhe ofrohet si një prirje e re që sfidon inercinë në terrenet e konflikteve të shtresëzuara me dekada të tëra, duke synuar ndërtimin e një paqeje që funksionon dhe i reziston kohës.
Ne e shohim këtë nismë si një përpjekje të fortë dhe fisnike për të shkuar përtej deklaratave politike apo angazhimeve formale, në kërkimin e zgjidhjes së qëndrueshme të konflikteve. Përvoja jonë si vend që ka dalë nga një errësirë e thellë, ka lënë pas raporte të vështira dhe ka investuar në paqe, bashkëjetesë dhe bashkëpunim rajonal pa kufinj, por më lejoni të shtoj, edhe modeli ynë i jashtëzakonshëm i bashkëjetesës fetare, janë një vlerë e shtuar që Shqipëria do të çojë në tryezën e lartë të Bordit të Paqes, me statusin e Anëtarit Themelues, i cili i jep Shqipërisë një mundësi historike në formësimin e vizionit, parimeve dhe zgjidhjeve të Bordit të Paqes në të mirë të njerëzimit.
Sipas Statutit, anëtarët themelues kanë zë të barabartë dhe peshë reale në drejtimin strategjik të këtij organizmi, prandaj kjo ftesë nuk është vetëm një nder i madh, po është edhe një përgjegjësi e lartë shtetërore. Madje mbi të gjitha një përgjegjësi e madhe shtetërore. Më vjen vërtet keq për nevojën për të komentuar edhe politikisht, nuk do doja, kur në fakt ky i Bordit të Paqes s’ishte fare rasti për t’i mbushur kanalet e portalet me opozitarizmin e shiut e të borës, po ishte në rastin më opozitar momenti për të heshtur.
Por besoj se kjo ftesë është e mjaftueshme për të zhbërë të gjitha fabrikimet, që kanë qarkulluar kohët e fundit lidhur me qasjen e administratës së Presidentit Trump ndaj qeverisë sonë apo vetë kryeministrit Rama, të cilat kulmuan me agresionin dizinformues ndaj vendimit të brendshëm të SHBA-ve për të rishikuar politikën e vizave të qëndrimit e lejeve të punës në Amerikë për gati gjysmën e vendeve me të cilat SHBA-të kanë marrëdhënie diplomatike.
Të gjithë ata që pa asnjë përgjegjshmëri publike, u turrën ta helmojnë publikun me parrullën “SHBA-të vendosën Shqipërinë në listën e zezë”, duke komentuar me ngazëllim gënjeshtrën se vendimi në fjalë, na lidhej me ndëshkimin e narkoshtetit të tyre imagjinar, e kanë marrë përgjigjen as më shumë e as më pak, po direkt nga Presidenti Donald Trump, i cili ka nënshkruar në letrën e tij se, Shqipëria është një partner i mrekullueshëm dhe Edi Rama është një udhëheqës i respektuar botërisht”, tha Spiropali.
Lajmi kryesor:
Shqipëria në Bordin e Paqes për Gazën/ Spiropali: Ftesa e Trump vlerësim i lartë! Tregimet se do paguajmë miliarda dollarë, trillime të opozitës











