Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, mori pjesë në Ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor, të zhvilluar në Brdo pri Kranju të Sllovenisë. Takimi u përqendrua te forcimi i bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri, si dhe te sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni.

Nufi theksoi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar pjesëmarrjen në nismat rajonale dhe ndërkombëtare. Ai përmendi Task Forcën Mjekësore Ballkanike si shembull të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit për zhvillimin e kapaciteteve dhe rritjen e ndërveprueshmërisë.

“Shqipëria vijon e palëkundur dhe në mënyrë aktive kontributin e saj në çdo iniciativë të përbashkët rajonale dhe ndërkombëtare. Task Forca Mjekësore Ballkanike është një prej tyre, si një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit rajonal, zhvillimit të kapaciteteve dhe ndërveprueshmërisë në drejtim të integrimit euroatlantik.”, u shpreh Nufi. 

“Në një mjedis sigurie gjithnjë e më kompleks, mbetet prioritare nevoja për një koordinim sa më të ngushtë ndërmjet aleatëve e partnerëve me qëllim forcimin e mbrojtjes kolektive dhe garantimin e paqes" theksoi ai.