Edhe disa orë na ndajë nga ardhja e vitit të ri 2026 në Shqipëri. Festimet tashmë kanë nisur në qytetet e vendit, ndërsa sheshet kryesore janë mbushur plot me njerëz dhe turistë për të ndjekur nga afër aktivitetet festive.

Të shumtë janë dhe turistët në Shkodër, të cilët shprehen shumë të kënaqur nga atmosfera festive. Kryeqyteti i Tiranës gjithashtu është i mbushur plot me qytetarë e të ardhur nga vendet fqinje, të cilët kanë zgjedhur të presin ndërrrimin e viteve në sheshin 'Skënderbej'.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:04
Në prag të ndërrimit të viteve, sheshi ‘Skënderbej’ i mbushur me qytetarë e emigrantë: Do e presim 2026 këtu, gëzuar (VIDEO)

Të shumtë janë qytetarët që kanë zgjedhur sheshin “Skënderbej” për të pritur ndërrimin e viteve. Mes tyre janë dhe emigrantë, të cilët i janë bashkuar familjes ose kanë udhëtuar drejt kryeqytetit së Shqipërisë për të festuar.

“Ju uroj gjithë të mirat e kësaj bote, shëndet, lumturi, paqe. Vetëm gëzim dhe harmoni. Jam nga Struga, do e pres këtu në shesh ndërrimin e viteve. Ka disa vite që festojmë në Shqipëri”.

“Gëzuar festat, qoftë një vit i mbarë për të gjithë dhe qofshin të bekuar. Vij nga Greqi dhe do e pres këtu ndërrimin e viteve. Është hera e parë që vij”.

“Qoftë një vit sa më i mbarë. Unë jam nga Tirana do e pres këtu ndërrimin e viteve. Kemi dalë familjarisht për ta pritur vitin e ri këtu”.

Ora 16:20
Aromë festash nga Shkodra, qyteti i mbushur me turistë për fundvit: Është shumë bukur, plot me njerëz (VIDEO)

Atmosfera këtë muaj festiv në Shkodër ka qenë vërtet e jashtëzakonshme. Qyteti është mbushur me njerëz, drita dhe emocione.

Qytetarët e Shkodrës, emigrantët e kthyer për festat, por edhe turistët, shprehen se po i shijojnë maksimalisht këto ditë festive. Për të gjithë, dëshira e përbashkët është që viti 2026 të sjellë më shumë shëndet, paqe dhe mbarësi.”

“Atmosfera është magjike por këtë vit e kanë zbukuruar më tepër. Ka të ftuar specialë çdo natë.”

“Jam nga Pakistani. Është shumë bukur.”

“Ka shumë njerëz më pëlqen shumë. Jam nga Parisi, është shumë bukur”.

Shkodra e mbyll këtë vit mes dritave, festës dhe shpresës, me urimin që 2026 të jetë një vit edhe më i bukur për të gjithë.

Ora 13:40
Festimet e Vitit të Ri në Sheshin Skënderbej! Zbardhet axhenda e Bashkisë së Tiranës: Koncerte, spektakël me dronë dhe fishekzjarre deri në orët e para të mëngjesit

Tirana do ta presë ndërrimin e viteve në Sheshin Skënderbej me një atmosferë të zjarrtë falë programit të larmishëm festiv të Bashkisë së Tiranës. ku gjatë gjithë mbrëmjes së 31 dhjetorit do të zhvillohen koncerte dhe spektakle me dronë dhe fishekzjarre 

Në një intervistë për Report TV, Iva Beharaj, Drejtoreshë e Rinisë në Bashkinë e Tiranës, bëri të ditur se aktivitetet festive do të kulmojnë sonte, nga ora 22:00 deri në orët e para të mëngjesit.

“Bashkia e Tiranës edhe këtë vit është organizuar për të sjellë një mbrëmje festive për qytetarët. Sonte, nga ora 10 e darkës, në Sheshin Skënderbej do të ngjiten në skenë artistë si Valbona Mema, Ardit Cuni, Fifi dhe Bleona Qerreti, me të cilën do të presim ndërrimin e viteve. Më pas koncerti do të vijojë me Alban Skënderaj dhe DJ, deri rreth orës 02:00 të mëngjesit”, u shpreh Beharaj.

Sipas saj, një nga risitë e këtij viti do të jetë spektakli me dronë, që do të zhvillohet në orën 23:30, pak para mesnatës.

“Për herë të parë në Sheshin Skënderbej do të kemi një spektakël me qindra dronë, të cilët do të ngrihen nga tarraca e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe do të formojnë figura dhe motive festive”, tha Beharaj.

Në orën 00:00, në skenë pritet të ngjitet kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, së bashku me ekselentët e qytetit, për urimet e Vitit të Ri. Menjëherë pas mesnatës, do të zhvillohet edhe  spektakli i fishekzjarrëve, i cili sipas Bashkisë do të  jetë i magjishëm dhe do të zgjasë më shumë se vitet e kaluara.

"Këtë vit kemi rritur numrin e fishekzjarrëve për të ofruar një spektakël ndryshe, duke synuar të përmbushim pritshmëritë e qytetarëve”, tha ajo.

Beharaj theksoi se, pavarësisht temperaturave të ulëta, pritet një pjesëmarrje e lartë e qytetarëve në shesh dhe siguroi se janë marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë gjatë aktivitetit festiv