Koncerte, fishekzjarrë dhe ritme festive mund të gjeni sot në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe në sheshet e qyteteve të ndryshme në vend. Rubrika “Ciceron”, ju njeh si është planifikuar të pritet Viti i Ri në të gjithë Shqipërinë.
Spektakli i fishekzjarrëve dhe koncert në sheshin ‘Skënderbej’
Festa e fundvitit është kthyer në një traditë që zhvillohet në zemër të kryeqytetit. Në mesnatë mund të shikoni spektaklin e fishekzjarreve në qendër të Tiranës dhe të shijoni koncertin e madh në Sheshin “Skënderbej”, me artistë të njohur vendas, dhe të merrni pjesë në numërimin mbrapsht për ardhjen e Vitit të Ri. Në Tiranë këngëtarë si Vlabona Mema, Fifi, Bleona Qereti apo Alban Skënderaj do të performojnë për qytetarët duke filluar nga ora 10 e deri në orët e para të 1 janarit.
Fishekzjarrë dhe koncert në sheshin e Katedrales në Korçë
Sot, Sheshi i Katedrales në Korçë shndërrohet në skenën më të bukur të festës për të pritur Vitin e Ri me muzikë fantastike, emocione dhe spektakël të paharrueshëm. Venera Lumani e Lind Islami vijnë në një koncert që do ta mbushë sheshin me energji, gëzim dhe ritme festive.
Muzikë, gëzim dhe festime në sheshin ‘Gensher’ në Elbasan
Gjatë gjithë ditës së sotme e në mbrëmje, sheshi “Gensher” në Elbasan, mes shtëpizave festive do të jetë vendi ku mund të përcillni Vitin e Ri me muzikë dhe energji pozitive. Të pranishmit mund ta mbyllin vitin me një koncert nga Ylli Baka & Band, Young Zerka, Kelly etj.
Vlora feston ndërrimin e viteve me muzikë dhe argëtim
Me muzikë të mirë dhe atmosferën festive do të pritet Viti i Ri në zemër të qytetit të Vlorës. Duke filluar nga ora 22:30, në sheshin “Tre Rracat” do të ketë një koncert me Ronela Hajati, Sardi Strugaj e Lorenc Hasrama. Rruga nga kryqëzimi te Ambulanca deri te Sheshi 'Tre Rracat' do të jetë e bllokuar për qarkullimin e automjeteve nga ora 22:00 – 02:00.
Fier, koncert e spektakël fishekzjarrësh në ndërrimin e viteve
Në Fier mund të prisni ardhjen e Vitit të Ri me një koncert festiv dhe spektakël të madh fishekzjarrësh në sheshin qendror të qytetit.
‘Shkodra n’festë’, koncerte me këngëtarë të njohur në shesh
“Shkodra n’festë” vijon me një sërë aktivitetesh. Sot në mbrëmje, në sheshin e qytetit do të mbahet koncert nga Sidrit Bejleri.
Sarandë, viti i ri pritet me muzikë e koncert nga Soni Malaj
Në Sarandë mund të prisni ndërrimin e viteve me një koncert nga Soni Malaj në sheshin e qytetit.
Komente











