Shqipëria kishte nisur të jetonte makthin komunist dhe izolimi nga bota po bëhej gjithnjë e më i fortë. Si ishin e imazhet e kësaj Shqipërie, në vigjilje të diktaturës? Një mjek kroat, që ishte i pasionuar shumë pas alpinizmit, njëkohësisht kryetari i Këshillit Kroat për Mbrojtjen e Natyrës, kishte mbërritur në Shqipëri dhe kishte realizuar një set të gjerë fotografish.
Ai ishte Branimir Gushiq. “I interesonin veçanërisht alpet dinarike në rajonin kufitar Mali i Zi, Shqipëri, Kosovë, ku udhëtoi shpesh nga vitet 1930 deri në vitet 1960”, thotë albanologu Robert Elsie, e cili sapo e ka publikuar këtë koleksion fotosh të rralla.
Përveç pak fotove që rezultojnë të paidentifikuara, për pjesën tjetër kemi diçiturat esakta. Pamje nga Elbasani, Himara, Gjirokastra, Përmeti, Leskoviku, Voskopoja, Korça dhe Pogradeci sjellin para syve tanë dëshmi të vyera të kësaj periudhe. Së bashku me një shënim të studiuesit të palodhur Robert Elsie, po sjell këtu edhe një pjesë nga ky koleksion i mrekullueshëm fotosh.
[gallery]21411[/gallery]
Shqipëri rreth vitit 1947
Koleksioni fotografik i mjekut kroat Branimir Gushiqit
Branimir Gushiqi (Branimir Gušić: 06.04.1901 - 06.07.1975) ishte pinjoll i një familjeje të vjetër kroate. Mbaroi studimet e mjekësisë në Fakultetin e Mjekësisë të Zagrebit në vitin 1926. Gushiqi ishte figurë e shquar e mjekësisë kroate, i njohur si specialist dhe profesor i otorinolaringologjisë. Në vitet 1945-1947 dhe nga viti 1956 ishte dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Zagreb dhe doli në pension në vitin 1971.
Gushiqi ishte gjithashtu anëtar i Akademisë Jugosllave të Shkencave dhe të Artit.Fushëveprimi i Gushiqit tejkaloi mjekësinë. Ishte alpinist i pasionuar dhe, pas Luftës së Dytë Botërore, ishte kryetari i klubit Sljeme të alpinistëve të Zagrebit, kryetari i shoqatës së alpinistëve të Kroacisë dhe kryetari i Këshillit Kroat për Mbrojtjen e Natyrës. Gushiqi ishte veçanërisht i interesuar për alpet dinarike në rajonin kufitar Mali i Zi, Shqipëri, Kosovë, ku udhëtoi shpesh nga vitet 1930 deri në vitet 1960. Botoi një libër për malin Durmitor (2522 m.) të Malit të Zi, dhe në vitet 1930-1932 bëri një film dokumentar për një ekspeditë aty.
Ngjiti Malin e Kokërdhakes (2508 m.) në Shqipëri dhe kaloi shumë kohë në dhe rreth malit të Jezercës (2694 m.) në Bjeshkët e Nemuna.Përveç kësaj, Branimir Gushiqi shquhej edhe si etnolog. Në vitin 1928 kishte mbaruar doktoraturën në Fakultetin Filozofik të Zagrebit me një disertacion “Geneza i elementi mljetske seljačke kuće” (Gjeneza dhe elemente të shtëpisë fshatare të ishullit Mljet). E shoqja e tij, Marijana Gushiq (1901-1987), ishte edhe ajo etnologe e njohur dhe punoi shumë vjet si drejtoresha e muzeut etnografik të Zagrebit.
Së bashku ata udhëtuan shpesh, jo vetëm në Malin e Zi dhe në Kosovë, por edhe në Shqipëri, edhe para edhe pas Luftë së Dytë Botërore. Marijana Gushiq shquhet për punën e saj etnografike për xhubletën shqiptare dhe mblodhi për muzeun e Zagrebit një koleksion të spikatur veshjesh dhe sendesh popullore të fiseve të Shqipërisë së Veriut.Ky koleksion i fotografive të Branimir Gushiqit duket është bërë gjatë një vizite në Shqipëri rreth vitit 1947. Nga fotot, që për mungesë dokumentacioni nuk janë të gjithë të identifikuara, duket e qartë se ai dhe bashkëpunëtorët e tij ishin jo vetëm në veri, por edhe në jug të Shqipërisë: Elbasan, Himarë, Gjirokastër, Përmet, Leskovik, Voskopojë, Korçë dhe Pogradec.
Gjithmonë e varfër dhe e prapambetur, Shqipëria në vitin 1947 ishte ekonomikisht dhe shpirtërisht e shkatërruar pas luftës civile (1943-1944) dhe pas ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore (1939-1944). Pushtetarët komunistë të vendit kishin ndërprerë pothuajse tëra marrëdhëniet me Perëndimin. Edhe për këtë arsye, fotografitë e Branimir Gushiqit të vitit 1947 janë unike dhe të rëndësishme.
Në periudhën 1945-1948 Shqipëria ndodhej në një aleancë të ngushtë me Jugosllavinë komuniste, gjë sigurisht që mundësoi udhëtimin e Gushiqit. Mirëpo, në verën e vitit 1948 Shqipëria u nda prej Jugosllavisë duke u tërhequr në izolim stalinist, dhe Perëndimi mësoi fare pak për atë.
Fotografitë e Gushiqit nuk tregojnë gjë për terrorin politik të kohës në Shqipëri, por ofrojnë pamje të qartë - disa me një bukuri të rrallë - të qyteteve dhe të peizazheve të vendit, siç i kishte përjetuar fotografi kroat.Për dhënien në dispozicion të këtij koleksioni fotografik jemi mirënjohës Zotit Anton Kaçinari të Zagrebit dhe Zotit Bejtullah Destani të Qendrës së Studimeve Shqiptare (Centre for Albanian Studies) të Londrës.
Robert Elsie
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com