TIRANË - Shqipëria do jetë pjesë e koalicionit për mbështetjen e qeverisë irakene kundër terroristëve të të ashtuquajturit Shtet Islamik i Irakut dhe Levantit. Përmes një deklarate zyrtare, Qeveria e Shqipërisë bën të ditur se do të mbështesë me armë dhe municione qeverinë irakene.

Si një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka dhënë kontributin e vet në luftën kundër terrorizmit dhe ka qenë pjesë e koalicioneve ndërkombëtare, në Afganistan, Irak e më gjerë, bashkë me vende të tjera aleate dhe partnere.
 
“Praktikat barbare të ISIL dhe situata humanitare katastrofike në Irak na vënë të gjithëve para përgjegjësisë morale për të bërë ç’është e mundur kundër errësirës që përpiqen të sjellin mbi njerëzimin forcat e verbra të terrorizmit.”-thuhet në deklaratë.
 
Gjithashtu më tej bëhet e ditur se çdo vendim dhe kontribut i Shqipërisë në këtë drejtim, është i mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe i sinkronizuar me partnerët tanë strategjikë e aleatët tanë në NATO e në BE.
 
Deklarata e plotë e Qeverisë shqiptare 
Qeveria e Republikës së Shqipërisë do të jetë pjesë e koalicionit për mbështetjen e Qeverisë së Irakut me armë të lehta dhe municione në luftën kundër terroristëve të të ashtuquajturit Shtet Islamik i Irakut dhe Levantit (ISIL). Si një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka dhënë që prej orës së parë kontributin e vet në luftën kundër terrorizmit dhe ka qenë e do të jetë  pjesë e koalicioneve ndërkombëtare, në Afganistan, Irak e më gjerë, bashkë me vende të tjera aleate dhe partnere.

Praktikat barbare të ISIL dhe situata humanitare katastrofike në Irak na vënë të gjithëve para përgjegjësisë morale për të bërë ç’është e mundur kundër errësirës që përpiqen të sjellin mbi njerëzimin forcat e verbra të terrorizmit.

Çdo vendim dhe kontribut i Shqipërisë në këtë drejtim, është i mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe i sinkronizuar me partnerët tanë strategjikë e aleatët tanë në NATO e në BE.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)