Kombëtarja shqiptare U-16 reagoi në mënyrën më të mirë pas ndeshjes së parë, duke regjistruar sot një fitore të thellë 5-0 ndaj Bullgarisë U-16 në takimin e dytë miqësor të zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Armand Dama zhvilloi një paraqitje shumë të mirë, duke dominuar ndeshjen dhe duke treguar cilësi në të gjitha repartet.
Kuqezinjtë kaluan në avantazh në minutën e 12-të me Sebastian Sinën, ndërsa Angelos Como dyfishoi shifrat në minutën e 17-të. Lorenc Perlala realizoi golin e tretë në minutën e 35-të, ndërsa Mattia Xhemali shënoi golin e katërt në fundin e pjesës së parë, duke i dërguar skuadrat në pushim me avantazhin e thellë 4-0.
Në pjesën e dytë, Shqipëria U-16 vijoi të kontrollonte lojën dhe të administronte epërsinë, ndërsa Lorent Zhara vulosi fitoren 5-0 me golin e shënuar në minutën e 58-të.
Dy ndeshjet miqësore ndaj Bullgarisë shërbyen për stafin teknik kuqezi për të vlerësuar nga afër lojtarët dhe alternativat në dispozicion.
Komente








