Një fazë e re e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë paralajmërohet të nisë më 16 dhjetor. Sipas mediave greke, Athina është gati për një udhërrëfyes të ri të marrëdhënieve me Tiranën të cilin ministri i Jashtëm helen do ta hartojnë së bashku me homologen së tij Elisa Spiropali më 16 dhjetor, në vizitën e parë zyrtare të saj në kryeqytetin grek. 

Në krye të axhendës së takimit të dy ministrave të jashtëm në Athinë muajin e ardhshëm do të jenë diskutimet mbi “Çështjen e Detit”, përcaktimin e Zonës Ekonomike Ekskluzive që mbetet ende një dosje e pazgjidhur mes dy vendeve.

Në 2020-ën Shqipëria dhe Greqia ranë dakord që t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por asnjëra prej palëve deri më tani nuk ka ushtruar presionin e nevojshëm për të shkuar drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes.

Në aspektin procedural dosja ka mbetur në sirtaret e presidentit të Shqipërisë i cili duhet të mandatojë ekipin që do të përfaqësojë vendin në Hagë, por qartazi, çështja nuk është teknike, kërkon vullnet politik nga të dyja palët.

Në udhërrëfyesin e ri, procesi i integrimit Evropian të Shqipërisë si dhe ndërlidhja mes dy vendeve pritet të jetë në fokus të marrëdhënieve dhe bisedimeve mes Ministrit të Jashtëm Grek, Giorgos Gerapetritis dhe Ministres Elisa Spiropali.

Në 2027-ën, kur Shqipëria ka shpallur ambicien për të mbyllur procesin teknik të negociatave me BE-në, Greqia, në gjysmë e dytë të vitit do të mbajë Presidencën e radhës së Këshillit Evropian, duke vendosur një foks të veçantë të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinës zyrtare.