Ndonëse ngadalë, shqiptarët po i rikthehen nga pak natyrës, ose të paktën mes të rinjve po spikasin klube guidash që organizojnë udhëtime të shkurtëra në kohë. Janë udhëtime ku njerëz të panjohur mblidhen për të kaluar një ditë ose një fundjavë në një ecje në natyrë të kushtëzuar sipas stinës. Në vjeshtë nëse ndiqni guidën e klubit "Discover Albania" mund të eksplorohet e gjithë zona rreth Tiranës, duke shijuar të gjitha bukuritë e vjeshtës apo të pranverës.

Në verë mund të udhëtohet drejt veriut ndërsa në stinën ku jemi dy itineraret më të preferuara të fundjavës mbeten Voskopoja dhe Dardha. Pavarësisht destinacionit, të gjitha shëtitjet apo ecjet në natyrë janë një aktivitet fizik që synon të largojë sidomos të rinjtë nga qëndrimi ulur në një kafe apo klub për orë të tëra. Janë një thirrje për të kaluar kohën e lirë në një formë më të shëndetshme, më të bukur, më shoqërore dhe më të pasur nga ana shpirtërore. Të paktën kjo është dëshira e Ismail Hoxhës që drejton Klubin e Kampistëve "Discover Albania" dhe për cdo javë bën thirrje të gjithë të rinjve të bashkohen në guidat e tij. Kontakti për të kaluar një fundjavë të bukur? Mjafton të kërkoni faqen e klubit në facebook.

Udhëtimet në natyrë , si është raporti i shqiptare me këtë aktivitet para dhe pas viteve 90?
Udhëtimet në natyrë, sigurisht që kanë ekzistuar para viteve 90, por atëherë pjesëmarrës më së shumti kanë qenë segmente të caktuara të shoqërisë siç ishin (Studentet kryesisht te Histori-Gjeografise, nxënësit dhe ndonjë grupmoshë tjetër), ndërsa ata që shëtisnin në mal kanë qenë të vetëorganizuar. Ne shpeshherë në klubin tonë kemi pjesemarrës që na tregojnë se si funksiononte atëherë. Mendoj që pas viteve 90 ka lindur më shumë nevoja për organizime të tilla, duke qenë se shoqëria po shkon me shumë drejt individualitetit, që do të thotë që mundësitë e organizimit në grup po bëhen gjithmonë e më të vogla (kjo sigurisht krahasuar me para viteve 90). Sot, është më ndryshe, është një shëtitje në natyrë, ku i rëndësishëm nuk është destinacioni, por rrugëtimi, ku herë pas here ndalemi dhe buzë një liqeni, fshati pa emër, për të shijuar këtë pamje. Sot, e duam më shumë natyrën sepse na mungon më shumë. Sot i duam më shumë aktivitetet se jemi bërë më pasivë. Sot e duam me shumë Shqipërinë se e njohim më shumë atë.

Si i zgjidhni itineraret? Sa itinerare keni kryer deri tani dhe cili prej tyre ka qenë më i suksesshmi?
Ne nuk kemi një listë fikse ose të mbyllur të itenerareve. Fillimisht kemi zgjedhur itenerare ku kemi qenë më parë me shoqërinë, duke ditur që janë vende mjaft interesante. Më vonë herë pas here kemi pasur sugjerime nga pjesëmarresit, duke na rekomanduar dhe ndarë me ne eksperiencën e tyre në vende që atyre u kanë lënë mbresa. Kjo ka bërë që lista jonë të jetë mjaft e larmishme dhe shumë e azhornuar. Eshtë bukur kur ke propozime nga anëtarët për ndonjë vend të vecantë, ku ai/ajo për një arsye ose tjetër ka patur mundësi ta vizitojë dhe tani këtë eksperiencë të bukur e ndan me ne. Guidat tona janë të ndara në dy kategori kryesore. Të parat janë guidat e fundjavës.

Deri tani kemi qenë të shtrirë në Veri ku ndër më kryesoret kanë qenë guidat në Theth, Valbonë, Kalimi Valbonë - Theth, Vermosh. Gjatë verës kemi qenë më shumë të fokusuar në jug, ku kampingjet e shumta duke filluar që nga Gjipea e deri në Himarë kanë qenë çdo fundjavë të ndërtuara për anetaret e klubit tonë. Tani është sezoni i dimrit dhe fokusi ynë janë fshatrat turistikë me borë ku ndër më kryesoret janë Voskopoja dhe Dardha në Korçë, si dhe herë pas here kemi dhe guida te ndryshme në Bogë (Kosovë), Mavrovë (Maqedoni), Kolashin (Mali i Zi). Kategoria tjetër janë guidat një ditore që zhvillohen brenda ditës, zakonisht të dielave. Zakonisht nga ora 9:00 - 17:00. Këto janë guida që zhvillohen në përgjithësi, në fshatrat e Tiranës që janë vërtet shumë të veçantë, si dhe në qytetet pranë saj. Mesatarisht jo më tepër se 3 orë rrugëe vajtje- ardhje.

Pasi shkojmë në fshatin që kemi përzgjedhur, nisim marshimin, që varion nga 10 km deri në 25 km. Guidat 1 ditore janë shumë të ndryshme nga njëra- tjetra, disa kanë terren më të thjeshtë disa më të vështirë, disa janë më të gjata, disa janë më të shkurtra, por të gjitha janë të bukura. Gjithmonë pjesmarrësit mahniten me bukurinë e fshatrave të Tiranës dhe të qyteteve të tjera pranë saj. Disa nga guidat 1 ditore që kemi zhvilluar janë Shpella Pëllumbasit, Kalaja e Petrelës, Rera Hedhur, Shëngjin, Kanioni i Brarit, Kalaja e Prezës dhe Liqeni Shark, Shëngjergj - Mali me Gropa, fshati Gurrë, apo ngjitje në malin e Dajtit ku u bë edhe një ngjitje me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë.

Klubi është vetëm për një grupmoshë e caktuar?
Kjo është ndër pyetjet më të vështira, nuk e di pse njerzit mendojnë që ky klub është vetëm me një grupmoshë të caktuar, por është krejt e kundërta. Ka nga të gjitha moshat. Deri tani ne kemi pare nga 16 deri 82 vjeç (ky i fundit është vërtet rekord, dhe u dha një shembull të mirë të gjithë atyre të rinjve që e paragjykuan kur morën vesh moshën e tij). Ne kemi vetëm një kusht për moshën që është: Nuk ka rëndësi sa vjeç je, rëndësi ka që të ndihesh i ri, të jesh enregjik, i qeshur dhe të kesh dëshirë të njohësh më mirë bukuritë e vendit tënd.

Sa sportivitet kanë shqiptarët nëpër udhëtime?
Duhet thënë që pas viteve '90 ka pasur një rënie të konsiderueshme të aktiviteteve sportive në Shqipëri, sidomos tek moshat e reja, kjo për shumë e shumëe arsye, por ajo që mund t'i vinte fre është mungesa e përgjegjësisë shoqërore për të patur një shoqëri të shëndoshë, plot sport dhe energji. Eshtë e patolerueshme që të shohësh rininë shqiptare që ditën e diel ose të gjithë fiundjavën e kalon kafeneve dhe klubeve. Ajo që është më e patolerueshme është fakti që duke qenë pasiv në sport, ata janë pasivë dhe në jetë.

Gjithsesi mendoj që po ndryshojnë, ne shohim që dita- ditës kemi plot të rinj, që ndoshta herën e parë vijnë për kuriozitet, për të provuar diçka ndryshe, sepse kanë dëgjuar që kalohet mirë, dhe më pas rikthehen me dëshirën për të parë një fshat tjetër, për të bërë më shumë ecje në natyrë, për tu ngjitur më lart. Kjo tregon që po ndryshon. Ne jemi munduar që këtë gjë të bëjmë TREND, sigurisht që po ia arrijmë falë anëtarëve tanë, janë ata ambasadorët tanë, janë ata që çdo herë vijnë me të rinj në grup, që u tregojnë për eksperiencat e kaluara dhe që i inkurajojnë të bëhen pjesë, janë ata që herë pas here na mësojnë sesi duhet t'i organizojmë guidat e ardhshme.

Shkrimi u publikua në Suplementin Fundjava, në gazetën Shqiptarja.com(print), 25 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)