Granit Xhaka vazhdon të jetë protagonist jo vetëm në futboll, por edhe jashtë fushës së blertë. Kapiteni i Zvicrës me origjinë shqiptare është bërë pjesë e një projekti filmik në Zvicër, ku shfaqet si kauboj përkrah legjendës së kinemasë, Terence Hill.

Rrjeti i njohur i supermarketeve zvicerane Denner ka realizuar një film të shkurtër promocional me titull “The Socceritos”, në prag të Kampionatit Botëror të Futbollit. Përveç Xhakës dhe Terence Hill, në film marrin pjesë edhe sulmuesi Zeki Amdouni dhe futbollistja kroate Ana Maria Marković.

Sipas skenarit, tre personazhet udhëtojnë nëpër qytete të Perëndimit të Egër për t’u mësuar banorëve vendas lojën e futbollit. Aventurat e tyre komplikohen kur përballen me një kriminel lokal, i cili dëshiron ta ndalojë sportin me çdo kusht.

Konflikti kulmon me një bast të madh që vendos fatin e futbollit në atë zonë. Xhirimet janë realizuar në Spanjë, në të njëjtat skena historike ku Terence Hill ka xhiruar dikur filmat e tij legjendarë.