Shifrat për konsumin e lartë të barnave në Shqipëri vjen jo thjesht për shkak të rekomandimit të mjekut, por edhe sepse shumë barna mund blihen në farmaci pa recetën e mjekut. Kjo e bën popullsinë shqiptare të ketë një nivel shumë të lartë shpenzimesh për medikamente. Tendenca e konsumimit të ilaçeve po vjen në rritje edhe pse popullsia po shkon drejt tkurrjes. Në 8 muajt e parë të këtij viti, u importuan plot 3 374 tonë produkte farmaceutike ose 15.9 miliardë lekë.
Në krahasim me vitin e kaluar, importi i ilaçeve është rritur me 7%, që do të thotë se shqiptarët kanë konsumuar më shumë ilaçe për këtë vit. Faktorët që ndikojnë në rritjen e konsumit janë: plakja e popullsisë, rezistenca ndaj ilaçeve për shkak të përdorimit të tepërt dhe rritja e sëmundshmërisë. Farmacistët e pranojnë se imuniteti ndaj ilaçeve është në rritje. Përdorimi i shpeshtë rrit rezistencën, për pasojë i sëmuri ka nevojë të konsumojë më shumë medikamente. Edhe ushqimet e pakontrolluara, apo dhe jeta sedentare kanë ndikuar në uljen e reagimit të trupit ndaj virozave.
Instituti i Shëndetit Publik ka gjetur nëpërmjet një anketimi se antibiotikët merren në 24 për qind të rasteve pa recete mjekësore. Marrja në këtë mënyrë e antibiotikëve nga përdoruesit i ka bërë shumë prej tyre rezistentë ndaj veprimit të tyre. Në veçanti, 73% e individëve gabimisht konsideruan se dhimbjet e fytit mund të trajtohen me antibiotikë. Për më tepër, 69% e pjesëmarrësve deklaruan se ftohjet e zakonshme dhe gripi duhet të trajtohen me antibiotikë.
Gjithashtu, 41% dhe 34% të individët konsiderojnë të përshtatshme përdorimin e antibiotikëve për dhimbje të përgjithshme të trupit dhe të kokës./monitor/
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com












