Çmimet e larta të apartamenteve po i zhytin shqiptarët në kredi. Vjet janë regjistruar shifra rekord borxhi të marrë nga qytetarët nëpër banka ‘për tu bërë pronar të një banese’.
Pavarësisht kufizimeve të vendosura nga Banka e Shqipërisë për kredinë për pasuri të paluajtshme, përsëri shifrat tregojnë se në 2025-ën u morën 645 milionë euro hua për të blerë banesë, me rritje prej 97 milionë euro krahasuar me vitin 2024.
Ndërsa stoku i kredisë për këtë qëllim në fund të 2025-ës arriti në shifrën rekord prej 2.3 miliardë euro. Pra rreth 25% e portofolit të kredive bankare është për ‘blerje banese.
Çmimet e larta përveçse po shtojnë kërkesën për kredi, nga ana tjetër kanë vështirësuar edhe shitjen e një prone, për të cilën duhen mesatarisht 12 muaj për tu shitur thotë Banka e Shqipërisë.
Kryeqyteti është bërë i ‘pakapshëm’ me çmime nga 1000 euro/m² periferia e deri në 5000 euro/ m² qendra.
“Në të gjitha zonat që janë brenda unazës së Tiranës është një çmim që për mendimin tim nuk ka logjikë. Çdo çmim që shkon në ndërtim mbi 1000€ m² për mua nuk ka logjikë. Kosto e ndërtimit mund të jetë 500-600€ nuk shkon më tepër se 700 euro”, thotë sipërmarrësi Zef Shtjefni.
Shkaku kryesor i shtrenjtimit të apartamenteve sipas sipërmarrësit Zef Shtjefni janë pronarët e trojeve.
“Ata që e mbajnë tregun lart janë pronarët e trojeve. Mbajnë deri në 35-40% stok sepse e kanë më mirë sesa t'i kenë para në bankë. Mbajnë pasuri të paluajtshme stok nuk i shesin. Dhe këtu është faji i qeverisë që këta duhet t'i taksojë shumë më tepër. Ti në qoftë se bën 20-katesh edhe 40% ta merr pronari truallit automatikisht është kosto jashtëzakonisht e rëndë”, thotë Shtjefni.
Blerjet nga të huajt thotë Shtjefni po ashtu kanë ndikuar, por njëkohësisht kanë shtuar edhe rrezikun për një goditje në sektor.
“Meqë po i blejnë të huaj o burra të çojmë çmimet, si me turizmin. Filluan me rrit çmimet, po në fund të fundit pastaj bëjmë autogol. Në bregdet mendoj se do zgjas në qoftë se do vazhdohet të ndërtohet mirë. Kurse nëpër qytete unë nuk e shoh se mund të zgjasë shumë. Prandaj duke përfshirë dhe Tiranë, nëpër qytete do të kemi goditje të tregut, do të ketë ulje të çmimeve. Atë që e kemi pak a shumë frikë të gjithë dhe shkon poshtë kostove. Sigurisht ajo pasohet pastaj poshtë kostove pasohet me falimentime të ndryshme”, thotë sipërmarrësi.
Ky vit pritet të ketë stabilizim në çmime për shkak të rivlerësimit të pronave që ende nuk ka nisur, por nga ana tjetër do të shoqërohet me referenca të reja për pronat në 60 bashkitë e vendit, me përjashtim të Tiranës.
Komente










Të gjith të korruptuar nga koka deri te këmbët .prandaj bëhen kto rritje çmimesh artificiale. E mban ky popull bravo . Shtet shitës
Përgjigju