Shqiptarët mes “Lekut të
Ri” dhe “Lekut të Vjetër"

Shqiptarët mes “Lekut të<br />Ri” dhe “Lekut të Vjetër
Si është e mundur që shqiptarët vazhdojnë prej një kohe shumë të gjatë të lexojnë kartëmonedhat e t’i shqiptojnë ndryshe nga sa shkruhet në të tetë pozicionet e të dy faqeve, ku vlera shkruhet dhe jepet në shifra? Në çmimet e tregut, në rroga e pagesa të tjera, në shërbimet publike e private, në qeratë, etj., me gojë shqiptohet 1000 lekë por duhet të kuptosh e të shkruash 100 lekë. Për të shkoqitur këtë histori, duhet të kthehemi 50 vjet pas, në vitin 1964, kohë kur u pre emisioni i ri që zëvendësonte atë të vjetrin. Ky u quajt nga populli "Lekë i ri". Por për të mbërritur këtu vlen të përshkojmë shkurtimisht një copë rrugë ku ka ecur njësia monetare kombëtare.
 
Historik për emërtimin e kartëmonedhës kombëtare
Në përgatitjen për themelimin e Bankës Kombëtare nga Qeverija e Përkohëshme e Vlorës, në muajin tetor 1913, si njësi monetare  kishte shpallur Frang-un Ar, që mbështetej në Unionin Monetar Latin,   emërtim që synonte hapur orientimin europian të një Shqipërie të pavarur. Në rrethanat që pasuan fatin e të Përkohshmes, të qeverisë së Vidit dhe të Luftës së I Botërore që pasoi, nuk u themelua dot as banka dhe nuk u përgatit as monedha e kartëmonedha Frang. Ndonëse Frangu nuk qarkulloi, pullat postare të emisionit dhjetor 1913 ishin prodhuar e qarkulluan në frang (1 frang) e divizionalet e saj, qindarin (2, 5, 10, 25 e 50 qindar). Si emërtim gjeti përdorim përpos se në kartmonedhat lokale gjysëm e një frang të të ashtuquajturës “Shqipëria vetëqeveritare” dhe “Republika Shqiptare”, emëtuar në vitin 1917 nga Bashkia e qytetit Korçë.

Emërtimi Frang u pasua në vitin 1920 nga emëtimi lokal i Bashkisë së qytetit Shkodër e cila prodhoi e qarkulloi një vlerë prej 50 mijë franga në prerjet 5, 10, 20 e 50 Qindar si dhe Bashkia Vlorë në vitin 1924 me prerjet 1 e 2 franga. Kartëmonedha me emërtimin Frang prenë edhe bashkitë e Gjirokastrës, Elbasanit dhe Fierit. Ende pa dalë kartëmonedha kombëtare, ndër të parat letra me vlerë që ka emëtuar një qeveri shqiptare, janë ato të huasë së brendshme, në maj të vitit 1920. U prenë bileta obligacioni të vlerës 50 franga, gjithsej 2 milion franga ari, të caktuara për t’u shlyer së bashku me interesat gjatë tre vjetëve.

 Në 16 mars të vitit 1922 Parlamenti i Shqipërisë përgatiti ligjin për emëtimin e një serie kartëmonedhash kombëtare në sasinë prej 3 milionë Franga Ari. Po në këtë ditë, në parim u caktua edhe Leku, si zgjedhje e emërtimit të ri që do të kish monedha kombëtare e që do zëvendësonte emërtimin Frang. Madje u caktua që seria të përbëhej nga 1, 2, 5, 10 dhe 25 lekë. Ndonëse ligji nuk hyri në fuqi, pullat e taksës së postës dolën në vitin 1922 me emërtimin Lekë dhe nënndarjen e saj, qindar, çka shënon edhe fillesën e përdorimit të një emëri të ri, i cili, kur në vitin 1926 dolën dhe u përdorën monedhat 1/4, 1/2 e 1 lekë, ishte bërë në qytete deri diku familjar. 
 
Mbi ndryshimet që i janë bërë njësisë monetare
Nga viti 1926, që shënon fillimin e historisë së monedhës të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, ka ndodhur disa herë të bëhet ndërrimi i njësisë monetare. Frang-u ar, si njësia bazë dhe leku si nënndarje, ishin emërtimet e para, që u përdorën deri në fund të vitit 1944. Në vitin 1945, me propozim të Dhimitër Paskos, nëpunës i financës, pasi do nxirreshin nga qarkullimi kartëmonedhat ekzistuese, me një vulë katërkëndëshe, që përmbante shkrimin “Banka e Shtetit Shqiptar” dhe simbolin kombëtar, shqiponjën, u vulosën bileta 20 franga e vitit 1926 dhe 20 e 100 franga të serisë së vitit 1939 e 1940. Këtyre kartëmonedhave ju shtua në majin e vitit 1945 seria 1, 5, 20, 100 e 500 franga, të shtypura në Berlin. Emërtimi lekë nuk është më. Raporti i këmbimit të këtij frangu u caktua 5 franga të vjetra = me 1 frang të ri.

 S’kaluan pak muaj nga kjo reformë dhe u vendos që jo frangu por leku do ishte monedha kombëtare. Ndërrimi i njësisë monetare nga franga në lekë u planifikua të bëhej që në vitin 1946. U vendos të bëhej në raportin 1 frangë = me 9 lekë e cila përkonte me interest e dinarit të ri jugosllav. Dhimitër Pasko është i shtrënguar të japë dorëheqjen nga Ministria e Financave në gusht të vitit 1946, pasi nuk pranoi kursin e këmbimit të caktuar nga shteti shqiptar mes lekut dhe dinarit.  Ai e kish parashikuar gjëmën që do i ndodhte ekonomisë së dobët shqiptare nga ky unifikim.

Më 16 maj 1947 atë e arrestuan dhe e dënuan si “Armik i Popullit” me 5 vite heqje lirie.  Pasko u lirua nga burgu në maj 1949 me falje, pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, kur megallomania pushtetore kish kuptuar se ai kish patur të drejtë. Gjithsesi askush nuk i kërkoi falje. Pas kësaj, Pasko, i vetmi specialist shqiptar i fushës, i vetmi me titullin Doktor për sistemin bankar, nuk punoi më në ekonominë e financave. Emëri i tij nuk u dëgjua më. Bota e letrave ku gjendej tashmë e quanin Mitrush Kuteli.
 
Leku i “vjetër”
Në muajin korrik të vitit 1947 mbërriti nga Jugosllavia dhe u hodh në qarkullim seria e përbërë nga vlerat 10, 50, 100, 500 e 1000 lekë. Në 11.VII.1947 kartmonedha frang doli nga qarkullimi dhe nuk u përdor më si emërtim në veprimet e shit-blerjes dhe ato bankare. Enver Hoxha dhe Partia Komuniste e Shqipërisë, në kushtet e vasalitetit e të nënshtrimit, pranoi propozimet e "vëllezërve" jugosllavë për bashkimin doganor dhe unifikimin monetar Lekë-Dinar. Emisioni i vitit 1947, i shtypur në Jugosllavi, mori kursin 100 lekë = 100 dinarë, pasojat e të cilës ishin shkatërrimi i tërë tregut shqiptar. Ekonomia ra në kolaps.

Me dinarin e pushtuar prej inflacionit, me të cilin në Jugosllavi nuk mund të blije asgjë, në Shqipëri mund të blije shumëçka që gjendej. Me kursin 100 dinarë jugosllav = 100 lekë, Shqipëria u plaçkit haptazi. Nga ky ndërrim i njësisë monetare, ajo u zhvesh dhe u zbraz nga mallrat ushqimore, nga rezerva industriale që kishin mbetur nga lufta, nga konfeksionet e të tjera produkte, deri (siç mbërrijnë nga kujtimet gojore) te filmat me të cilat ishin mbushur kinematë e vëndit, bobinat e të cilave përfunduan në kinematë e Beogradit dhe Zagrebit. Opozita e kohës, sado formale dhe e dobët që ishte, kundërshtoi, çka i kushtoi asaj jetën.

 Pas prishjes së Bashkimit Sovjetik me jugosllavët, PKSH ndoqi kursin politik sovjetik, edhe vëndi ynë u prish me Titon. Shqipëria detyrohet ta ndërrojë kartëmonedhën. U hodh në qarkullim emisioni i ri i vitit 1949, i shtypur në Bashkimin Sovjetik, pa asnjë ndryshim në kurs. Nevoja për kartëmonedha e shtyu Bankën të prodhojë të njëjtin emision në vitin 1957, po në B.S. pa asnjë ndryshim në vlerat 10, 50, 100, 500 dhe 1000 lekë. Pra, kur ne themi sot "Lekë i vjetër", kemi parasysh këtë seri kartëmonedhash, që vazhdon të ndjekë padashur kursin e saj me dinarin jugosllav.

Është emisioni i Bankës Kombëtare të Shqipërisë i vitit 1957, që idem, pa asnjë ndryshim në pamje dhe kurs, ka zëvendësuar emisionin e mëparshëm, atë të vitit 1949. Ky është leku me të cilin ne vazhdojmë të flasim. E keqja e mbartjes së kësaj mbeturine atavike i ka rrënjët te "Leku i ri", emisioni i vitit 1964, i shtypur në Kinë dhe që filloi të vihej në qarkullim në vitin 1965. Kursi i këmbimit 1 lekë i ri = 10 lekë të vjetër, lehtësoi administratën shtetërore dhe librat e saj të llogarisë, por bëri atë që nuk i gjen shembull tjetër në botë.

Po bëhen tre breza që tjetër lexojnë në kartmonedhë e ndryshe flasin. Kjo ndodh kudo, në markete, në autobuzë, në llotari, në zyrat e financës, në restorant, në kafe, madje ndonjëherë dhe vetë Banka Kombëtare e Ministria e Financave jo pak herë i referohen shifrave të lekut të vjetër. Sikur në 25.6.1965, në ligjin nr. 4021, Banka e Shtetit Shqiptar të mos kish vendosur kursin 1 me 10, ky përdorim alogjik nuk do ekzistonte. Merret me mend se kursi ishte i përcaktuar jo nga banka por nga lart. Banka e Shtetit i kish humbur disa funksione. Ishte bankë emëtimi, por vendimin për prerje e emëtim nuk e merrte ajo por qeverija, e cila vendoste për shtimin ose pakësimin e kartëmonedhës në qarkullim; nuk ishte më bankë kreditimi në kuptimin e mirëfilltë, kreditonte ndërmarrje e kooperativa bujqesore, por jo subjekte private; nuk ushtronte më politika monetare. Në një farë mënyre ishte një shtojcë e administratës, një arkë e shtetit. Kaq e vërtetë ishte kjo saqë dhe një nga çelsat e derës së thesarit mbahej në Kryeministri.

 Me rendin demokratik, në kushtet e ekonomisë së tregut, Banka e Shtetit Shqiptar u zëvendësua, me ligjin nr.7559, datë 22 prill 1992, me Bankën e Shqipërisë. Me këtë ligj banka fiton të gjitha funksionet, ku shumë e rendësishme është se vetëm ajo përcakton politikën e kursit të këmbimit. Ndonëse në vitet 1993, 1994, 1996, 2001, 2007 dhe 2011 banka ka prerë kartëmonedha të reja, ajo asnjëherë nuk është kujtuar që të ndryshojë kursin, si mënyra e vetme për të hequr nga përdorimi termin popullor “Lek i vjetër”. E pse duhej t’i hynte këtij “telashi” që kërkonte prerje të re emisioni, shoqëruar natyrshëm me koston e përgatitjes e prodhimit?!
 
Ku mbështetet kursi dhe sa rëndësi kishte për bankën në komunizëm mbulimi i kartëmonedhës
Kur Shqipëria në parim kish vendosur si monedhë kombëtare Frangun Ar, që mbështetej në Unionin Monetar Latin, frangu ose mbulesa e kartmonedhës duhej të kish peshën 0.2900322 gram ar. Në themel të politikës së Unionit qendronte interpretimi se kartëmonedhat janë një kërkesë-vërtetim për monedhat e arta që ke të depozituara në bankë. Në periudha të ndryshme, sidomos pas Luftës së I Botërore, ky tregues i Unionit pati luhatje. Frangu u lidh dhe ishte i ndërvarur nga Lira e Italisë, Banka Kombëtare e Shqipërisë ishte kryesisht zotërim italian dhe mbulesa në ar ndodhej në bankat italiane. Si rrjedhim kartëmonedhat shqiptare franga pranoheshin në çdo sportel sepse ishin të garantuara në lingota ari.

Kjo funksionoi deri në prill të vitit 1939, kohë më pas kur franga shqiptare ndoqi veçse fatin e inflacionit të Liretës italiane, e cila thuhej se ishte garante e mbulesës së qarkullimit. Kjo mbulesë realisht s’mund të ndodhte sepse në periudhën 1939-1943 sasia e kartëmonedhës frang në qarkullim u rrit 38 herë në krahasim me vitin 1938. Më pas çdo gjë ndryshoi, mbulesa në ar përfundoi nga Roma në Berlin dhe çdo prerje kartëmonedhe që ka pasuar nuk garantohej në ar. Në këto rrethana kursi i ndërrimit në vitet e pasluftës nuk kishte detyrimin të mbulohej në ar. Kur SHBA-ja, garantuesja e sistemit financiar ndërkombëtar, pezulloi në gusht të vitit 1971 konventueshmërinë e dollarit në ar, autoriteti i kartëmonedhës hyri në një rrugë plot me të panjohura e dyshime.

 Si rregull zëvendësimin e kartëmonedhës dhe kursit duhet ta diktojnë shkaqe të rendësishme ekonomike e financiare. Në rastin tonë më shumë mbizotëron arsyeja politike. Kështu, kartëmonedha e vitit 1947 ndryshoi në vitin 1949 sepse u prishëm me Jugosllavinë, vëndi ku ishte shtypur emisioni. Kartëmonedha e vitit 1956 ndryshoi sepse u prishëm me Bashkimin Sovjetik, vëndi ku ishte shtypur emisioni. Kartëmonedha  e vitit 1964 u zëvendësua me një rishtypje në Zvicër sepse të parat ishin shtypur në Kinë, me të cilën tashmë ishim prishur. Vetëm në vitin 1992 kartëmonedha ndryshoi e motivuar dhe diktuar nga tronditjet e tregut dhe zhvlerësimi që ndodhi, me shkak përdoruesin e jo atë zyrtar. Për pasojë, kartëmonedha në qarkullim në vitin 1994 ishte 6 herë më e madhe se viti 1990.

Monedha Lekë që u rivendos në vitin 1947, s’pati ndonjë vlerë të deklaruar këmbimi në ar, ndryshe nga leku i vitit 1926, ku 1 Lekë ishte ekuivalent me 0.20 Franga Ar. Në vitin 1964 ishte i përcaktuar 10 lekë 1957 = 1 lekë 1964, thjesht që të kuptohej si vlerësim e forcim i monedhës, por pa e krahasuar me ekuivalentin botëror. Vetëm në vitin 1977 kur u hodh në qarkullim riprodhimi i emisionit të vitit 1964, në dekretin nr.5529, neni 3  cilëson se, “Banka e Shtetit Shqiptar hedh në qarkullim bileta banke  dhe monedha metalike, të cilat garantohen nga shteti me mallra, me ar, me metale të tjera të çmueshme, me valuta të huaja dhe me aktivitete të tjera të bankës”(?!).

Në ligjin nr.7759, datë 22 prill 1992 vetëm sa theksohet në nenin 13, se “...kartëmonedhat dhe monedhat e emëtuara nga Banka e Shqipërisë garantohen nga shteti”, por pa qartësuar politikën në kursin e këmbimit. Pikërisht, në vitin 1992, (por dhe më pas) me prerjet e reja të emisionit duhej të kish ndryshuar edhe kursi i këmbimit të kartëmonedhës që hiqej me atë që dilte e re. Përkundazi, Banka nuk ju fut këtyre “telasheve”. Këmbimi i të vjetrës me të renë ngeli 1 me 1, duke lënë kështu paradoksalisht përsëri në përdorim anomalinë, “Lekë të vjetra”.

 A ka zgjidhje kjo punë plot keqkuptime? Natyrisht që po, por nuk duan, mbase dhe nuk dinë! Do mjaftonte një ligj i ri, për të përcaktuar një kurs të ri, le të themi apriori 1 me 2, 1 me 4 apo 1 me 5 ose anasjelltas. Ky veprim, që do kërkojë një shpenzim për prodhimin e kartëmonedhës së re, do pak vullnet nga ministrat e financës që shkojnë e vijnë pa iniciativë ligjvënëse; do dhe një guvernator që të marrë vesh nga kjo ndodhi e domosdoshme për ndryshim dhe përfundimisht ai të hyjë në histori si njeriu që shkuli një praktikë të keqe. Mbi gjithçka, shpreh bindjen se do një parlament të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm, i bindur se duhet të largojë përfundimisht përmes ligjvënjes këtë marrëzi që shoqëron shoqërinë shqiptare pa rreshtur.

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Europa League/ 36 skuadra sot në fushë, spikat Tottenham - Roma! Në Stamboll ndeshje delikate për sigurinë

Europa League/ 36 skuadra sot në fushë, spikat Tottenham - Roma! Në Stamboll ndeshje delikate për sigurinë