Kjo foto e Franz Gustincich është e shkurtit të vitit 1991. Ishte koha kur shqiptarët u ngjeshën me njëri-tjetrin sa nuk kishte vend edhe për një kokërr ulli dhe protestuan. Ndër vite shqiptarët kanë protestuar përherë, por kohët e fundit po tregojnë se kanë një lloj alergjie nga disa kërkesa dhe thirrje për “marshim”.

Sidomos kur këto kërkesa bëhen mbrëmjeve në disa panele televizive. Dhe në të vërtetë është absurde mbrëmja në televizionet shqiptare: Sheh një debat, kalon te një tjetër dhe pushtohesh nga dëshpërime analistësh të cilët janë zhytur në një pesimizëm të thellë se pse shqiptarët nuk protestojnë! Pse nuk protestojnë dhe nuk ndezin vendin pas një interviste, pas një foltoreje, pas një konference shtypi, pas një hetimi të Spak... dhe përfundimi për ta është fatal: Shqiptarët kanë humbur ndjenjën e përgjegjësisë dhe i janë nënshtruar fatit të zi! Fajin e kanë shqiptarët!

Është interesante se si askush nga këta nuk shikon se përse bëhet fjalë dhe përse në të vërtetë do të duhet të protestojnë: Falë edhe hetimeve të Spak, por edhe punës ndër vite të gazetarëve, në fund të fundit shqiptarët po shohin një spektakël ku në ring janë vendosur zënka politikano-pasanikësh. Kush bërtet se i janë sekuestruar dhjetëra prona e pasuri që dyshohen të jashtëligjshme dhe kush bërtet sepse akuzohet, se ka vënë pasuri të tillë. Në fund të fundit, nuk u mor njeri për ditë të tëra, deri në zgjidhjen e problemit të nënës durrsake me tre fëmijë, e cila duhet të punonte me 2 turne për të paguar qiranë e një apartamenti pa ujë dhe të një zone të përmbytur nga shiu, por edhe nga mungesa e kujdesit të kujt duhet të kishte punuar për komunitetin më mirë.

Edhe me pasanikët, në historinë e Shqipërisë, kemi treguar se si jemi sjellë në vite specifike, por ndryshe nga atëherë, në dallim nga burgjet e torturat për të nxjerrë florinjtë, sot me Drejtësinë e re, shpresohet që drita e hedhur të bëjë punën e qartë për njerëzit dhe të shpjegojë se kush ka vjedhur e hile e babëzi dhe kush ecën përpara, duke respektuar komunitetin, rregullat e ligjet.