Eduart Rroca ka shënuar golin e parë në Superligën e Turqisë. Istanbulspori i shqiptarëve fitoi me përmbysje 1-2 ndaj Karagumruk për javën e tetë në elitën e futbollit turk. Diagne do kalonte vendasit e Andrea Pirlo në avantazh në minutën e 37, ndërsa në pjesën e dytë futja në lojë e kapitenit shqiptar Rroca te Istanbulspor do ndryshonte gjithçka. 13 minuta pas hedhjes në fushë, 29 vjeçari nga Librazhdi shënoi golin e barazimit nga zhvillimet e një këndoreje. Goditja me kokë e Rrocës është ndalur në rrjetë, për t'i hapur rrugë tri pikëve.
Vetëm pesë minuta pas barazimit, asisti i Valon Et'hemit është shfrytëzuar nga Jetmit Topalli, që ka përmbysur kështu skuadrën e Andrea Pirlo. Me këtë fitore, Istanbulspor shkon në kuotën e tetë pikëve në shtatë ndeshje të zhvilluara (një sfidë mangut), për vendin e 13 në klasifikim. Në fushë për skuadrën e ngjitur këtë vit në elitë luajtën katër shqiptarë, mes tyre edhe Sidrit Guri.