“Direktiva Evropiane për riatdhesimin e shtetasve të vendeve të treta që qëndrojnë pa autorizim, nuk toleron legjislacionin e Italisë, i cili parashikon burgim të qytetarit që rikthehet në Itali pasi është riatdhesuar në vendin e tij të origjinës”.
 
Ky është sygjerimi i një avokate polake në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, që do të thotë se emigrantët e dëbuar nga vendet e Bashkimit Europian nuk mund të dënohen me burg, nëse shkelin afatin e dëbimit apo kapen në këto vende.
 
Rasti është një shtetas shqiptar, Skerdjan Çelaj, i dënuar në vitin 2012 për tentativë grabitje. Prefekti i Firences ka lëshuar një urdhër dëbimi dhe Policia e Firences një urdhër largimi (duke i ndaluar rihyrjen në Itali për tre vjet) dhe shoqërimin e menjëhershëm në kufi (pasi ekzistonte rreziku i arratisjes, për shkak se nuk ka pasur dokumente që provojnë disponueshmërinë e strehimit).

Duke pasur parasysh mospasjen e një avioni dhe pamundësinë për ta mbajtur Çelajn në një qendër paraburgimi, nuk është bërë shoqërimi i detyrueshëm në kufi, por komisioneri ka urdhëruar që Çelaj të lërë Italinë. Shqiptari ka qëndruar në Itali, duke u larguar vullnetarisht më vonë në vitin 2012. Në vitin 2014 ai u kthye në Itali dhe u arrestua për shkelje të dekretit të ligjit. 286/1998. Prokurori ka kërkuar për Çelajn tetë muaj burgim, për shkeljen e urdhërit të Questurës së Firences të 17 prillit 2012, që i ndalonte atij hyrjen në territorin italian përgjatë tre vitve.

Kjo e ka venë në dilemë Gjykatën e Firences, e cila iu drejtua Gjykatës së BE-­së për të vendosur mbi pajtueshmërinë me dispozitat e Direktivës 2008/115 mbi riatdhesimin e shtetasve të vendeve të treta që jetojnë në një vend i Bashkimit Europian. Komisioni Evropian dhe qeveritë e Republikës Çeke, Gjermanisë, Greqisë, Italisë, Norvegjisë dhe Zvicrës kanë paraqitur vërejtje me shkrim.
 
Ansa shkruan se pas analizës së çështjes Çelaj Gjykata e Luksemburgut ka dalë me përfundimin se një shtet anëtar i Bashkimit  Europian nuk mund dënojë me burgim një shtetas të tretë thjesht për faktin se ai ka qëndruar ilegalisht në territorin e tij. 


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)