ITALI – Vrasje e dyfishtë në Akuila të Italisë. Një shqiptar ka vrarë ish gruan dhe të dashurin e ri të saj në parkingun e një qendre tregtare. Ngjarja është cilësuar sipas policisë italiane, për motive pasionante. Të tre personazhet e përfshirë në ngjarje janë shqiptarë.

48-vjeçari Burhan Kapllani ka qëlluar ish-gruan e tij, Orjeta Boshi 36 vjeç ndërsa kjo e fundit gjendej brenda makinës tip Opel Zafira. I dashuri i ri i saj, Shpëtim Hana është qëlluar në shpinë, mbase në një tentativë për t’u larguar.

Mirjeta ishte nënë e 4 fëmijëve dhe ishte ende në proces gjyqësor për ndarjen nga bashkëshorti i saj. Në vendin e ngjarjes ka shkuar menjëherë vëllai i 36-vjeçares të vrarë, së bashku me katër fëmijët e vegjël të saj. Dy ambulanca kanë shkuar gjithashtu në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjes së dyfishtë autori është dorëzuar në polici. Shqiptari gjendet në kazermën e karabinierëve të Paganika, në komunën e Akuilës që gjendet pranë qendrës tregtare, por refuzon që të flasë mbi ngjarjen.

Pistoleta e përdorur në vrasjen e dyfishtë është e kalibrit 22 milimetra e cila u gjet nga karabinierët rreth 300 metra larg vendin të krimit, pranë rrugës shtetërore numër 17, në fraksionin e Bazzano-s, ku ndodhet edhe një supermarket.

Mediat italiane bëjnë të ditur se sipas dëshmive të mbledhura 48-vjeçari Burhan Kapllani kishte një ndërmarrje mermeri në Itali dhe ishte në gjendje të mirë ekonomike.

Ndërkaq, policia ka marrë në pyetje disa dëshmitarë të ngjarjes për të ndërtuar dinamikën e vrasjes së dyfishtë, ku shqiptari i mori jetën ish-gruas dhe të dashurit të saj.

*Foto, qendra tregtare pranë së cilës ndodhi vrasja e dyfishtë

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)