Shqiptarja.com zbardh mbledhjen e
PS që ndryshoi qëndrimin për Sulin

Shqiptarja.com zbardh mbledhjen e<br />PS që ndryshoi qëndrimin për Sulin
TIRANË - Mandati i Rakip Sulit nuk do të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa e PD-së e cila kërkon ndërprerjen e mandatit të deputetit të Tiranës me argumentin se i biri ka përfituar fonde publike, u rrëzua me 77 votat kundër të mazhorancës, teksa mori vetëm 35 vota pro të opozitës. Ky ishte një vendim surprizë i mazhorancës, pasi seancën e shkuar, vetë deputeti Suli i ftoi kolegët e tij që ta votonin dërgimin e çështjes në Kushtetuese, por palët e shtynë votimin për këtë javë me argumentin e riformulimit të kërkesës. Këtë javë pritej dërgimi i mandatit të tij në Kushtetuese sikundërse ndodhi në rastin Kokëdhima, por para votimit, PS kërkoi një pushim për mbledhjen e grupit parlamentar.

Burime për Shqiptarja.com, bëjnë me dije se kjo ka qenë mbledhja e kthesës, në të cilën, kreu i grupit socialist, pasi është konsultuar me juristët e partisë, u ka shpjeguar deputetëve se pse nuk duhet ta dërgojnë në Kushtetuese mandatin e Rakip Sulit. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i dhënë së fundmi që rrëzoi vendimin e Kuvendit për mosdërgimin e mandatit të deputetit Kokëdhima, i referohet nenit 70 pika 3 e Kushtetutës, nen i cili flet për rastet kur vetë deputeti ka përfituar fonde. Në këtë rast Kuvendi është i detyruar që në respektim të vendim të gjykatës, çdo çështje ku është i akuzuar një deputet drejtpërdrejt, çështjen ta dërgojmë në Kushtetuese.

Rasti i deputetit Suli, nuk përfshihet në nenin 70 të Kushtetutës, ku pretendohet se një familjar i deputetit ka përfituar fonde. Në këtë rast, në të cilin përfshihet z. Suli, gjykata nuk është shprehur. Në këto kushte, ne nuk kemi pse ta dërgojmë atje çështjen në fjalë”-mësohet të ketë thënë kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi. Po çfarë thotë neni 70 i Kushtetutës, që shpëton të paktën për pak kohë, Rakip Sulin? “Neni 70/ 1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues. 2. Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave.

Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj. 3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. 4. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë”-thotë Kushtetuta. Në këto kushte, opozita mund ta dërgojë këtë vendim të kuvendit përsëri në Kushtetuese, sikundërse bëri me Kokëdhimën, dhe historia do të duhet të përsëritet.

Për Berishën, votimi i djeshëm i socialistëve nuk ishte surprizë. “Rakipi është një nga peshqit e vegjël këtu, por ata mbrojnë plaçkën e madhe që ka bërë kryeministri i tyre Edi Rama me koncesionet, me CEZ, me TVSH që po merr tani dhe shumë afera të tjera. Futën në mes edhe “madam lokomotivën”. Koçoja iu kërciti dhëmbët se tha “më votuat pa më njoftuar”, e dëgjuat vetë ju. Kështu që, këta të tjerët pastaj janë ushtarë të bindur të partisë, ç’të themi për ta.

Ne e dinim shumë mirë që ky votim do ishte. Ne erdhëm për ti treguar shqiptarëve qëndrimin tonë. Këta vazhdojnë puçin antikushtetues, marrin pushtetin e Gjykatës Kushtetuese, nuk zbatojnë vendimin e saj dhe në këtë rast popullit i lind e drejta ti qërojë një minutë e më parë nga pushteti këta puçistë që s’njohin ligj e as Kushtetutë”-tha Berisha pas daljes nga salla plenare.

Opozita/ Paloka: Rama promovon krimin
PD vijon bojkotin e kushtëzuar me rastin “Prenga”  
Edhe këtë të enjte, opozita ka vijuar bojkotin e saj të kushtëzuar të parlamentit, duke mos marrë pjesë në diskutime, por vetëm në votimin e kërkesës së saj për ndërprerjen e mandatit të Rakip Sulit. Në fillim të seancës parlamentare mori fjalën kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, që risolli në vëmendje kushtet e opozitës për normalizimin e marrëdhënieve me parlamentin. Rasti “Prenga” është një kusht i pandryshueshëm. “Pse nuk votohet amendamenti ynë?

Një gjë fare evidente elementare që zyrtarë, deputetë të cilët janë kapur në flagrancë me krime të rënda ndaj jetës së njeriu si plagosje apo vrasje deri në një vendim gjykate, të mos vazhdojnë të kryejnë funksionet e tyre zyrtare. Nuk e di a mund të ketë një njeri normal që ti dalë kundër këtij amendamenti përveç,  Edi Ramës. Unë dhe opozita e dimë që Edi Rama e ka dhënë tashmë urdhrin edhe për këtë amendament.

Nuk do ta votojnë. Dhe hajde ta gjejmë pse. Është evidente për këdo. Njeriu që promovon çdo ditë krimin”-tha Paloka. Ai akuzoi kryeministrin Rama se mbështet krimin dhe tha se qëndrimi i opozitës nuk do të ndryshojë. “E dimë të gjithë se edhe ligjin për dekriminalizimin e miratoi i detyruar dhe të nesërmen e filloi paradën me kriminelët duke i nxjerrë nga njëri qytet në tjetrin në krah të tij për ti thënë që ligjin e miratova por juve nuk ju çoj.

Edhe sot siç ju kemi vënë në dijeni publikisht, grupi ynë do të vazhdojë të mbajë qëndrim të kushtëzuar ndaj këtij parlamenti. Ne do të marrim pjesë në votimin e akteve që kemi kërkuar vetë por nuk mund  të  vazhdojmë të marrim pjesë në aktet që i shërbejnë grabitjes së qytetarëve të këtij vendi”-tha Paloka. Gjithashtu, ai ironizoi edhe deklaratat e ministrit Tahiri, që kritikonte gjykatat.

Ja me çfarë i krahason Balla deklaratat e Berishës
Deputeti socialist, Taulant Balla, duket se nuk është mjaftuar me prononcimin e tij për mediat jashtë Kuvendit, pas largimit të opozitës nga seanca, por ka vijuar të polemizojë edhe në rrjetet sociale me ish kreun demokrat, Sali Berisha. Në Facebook, Balla ka postuar një foto tualeti, ku ilustron dhe imazhin e Berishës. Deputeti socialist ka zgjedhur këtë formë reagimi pas deklaratave kërcënuese të Berishës se përgjigjen do ia japin shqiptarët në sheshe Ramës. “Saliu foli përsëri sot. Shprehni vlerësimin tuaj për retorikën e Saliut në një nga katër mundësitë e fotos më poshtë”, shkruan Balla.


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë