Rrugët për në Angli/ 20 mijë paund me kamion dhe 3 mijë me gomone, apo me pasaporta false nga Irlanda, ofertat në mediat sociale! Vëzhgimi i Report Tv

Britania i ka shpallur luftë profileve që përdoren për emigrim ilegal në rrjetet sociale vitet e fundit, megjithatë, disa prej tyre janë ende aktive. Report TV me anë të një vëzhgimi online konstatoi një grup privat me mbi 50 mijë anëtarë ku bëhen oferta për udhëtim drejt Anglisë me kamion apo me gomone kundrejt pagesës.

Rasti më i fundit është më 11 nëntor, dhe çmimet nuk janë më 10 apo 12 mijë paund, por shkojnë deri në 20 mijë paund, ose 24 milionë lekë të vjetra.

“Konkurentët” më të mëdhenj të transportuesve me kamion janë trafikantët e gomoneve. Pas pandemisë fluksi i emigrantëve që rrezikonin jetën për të udhëtuar nga Calais i Francës drejt Doverit në Angli, përfshirë shqiptarët, u rrit ndjeshëm.

Çmimet nisën me 2000 euro për të tërhequr sa më shumë klandestinë dhe arritën të dyfishohen brenda vitit 2022, por sërish vërehet një ulje e çmimit nga 4000 në 2500 paund, ndërsa 1 sekser arrin fitime deri në 5000 paund në muaj.

Për të shmangur rrezikun e këtyre udhëtimeve, trafikantët kanë gjetur rrugë të tjera. Ata falsifikojnë pasaporta të shtetësive të ndryshme duke përshtatur vetëm gjeneralitetet dhe kështu emigrantët udhëtojnë drejt Irlandës.

Nëse nuk diktohen në aeroport, rruga nga Dublini në Liverpul me taksi është më pak e rrezikshme se kamioni apo gomonia, por çmimi është 3000 paund. Ajo çka vihet re në postimet e publikuara muajin e fundit, janë komentet e shumë shqiptarëve që u këshillojnë bashkëatdhetarëve të mos ndërmarrin rreziqe për të udhëtuar drejt Britanisë, pasi jeta atje është vështirësuar.

Vëzhgimi i Report TV konstatoi shumë persona që kërkojnë punë, madje, edhe gra që kërkojnë ushqim për fëmijët e tyre. Britania ka arrestuar disa prej trafikantëve, ndërsa rasti më i fundit është ai i shqiptares Ujeza Kurmekaj, 32 vjeçe, e arrestuar vitin që shkoi.

Ajo u dënua me 7 vjet e 6 muaj burg pasi në telefonin e saj u gjetën mesazhet e shkëmbyera me grupin e bashkëpunëtorëve që kalonin ilegalisht nga Franca në Angli persona të ndryshëm përfshirë edhe gra e fëmijë kundrejt pagesave.

 

S.S/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur