Në mbledhje merr pjesë, kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, administratorët e njësive administrative dhe përfaqësues të policisë së shtetit.
Rreth 150 forca të ndërmarrjes së bashkisë Fier dhe mjetet e rënda janë në terren për përballimin e situatave emergjente në rast përmbytjeje.
Shtabi i Emergjencave Civili po mban në vëzhgim shtratin e Lumenjve, ndërkohë që janë lajmëruar të gjithë banorët e zonave që rrezikojnë, të jenë të gatshëm në çdo situatë.
Më të rrezikuara janë njësitë administrative të Ferrasit dhe Bishanit.
Në rast emergjence për prurjet e lumenjve Seman dhe Vjosë, iu është bërë thirrje kryepleqve të fshatrave dhe banorëve që të njoftojnë paraprakisht Shtabin e Emergjencave.
Shtabi i Emergjencave bën me dije se në dispozicion janë vënë disa objekte për të pritur banorët e evakuuar në rast përmbytjeje dhe janë siguruar baza ushqimore dhe veshmbathje.
Deri më tani situata është normale, ndërkohë që 4 hidrovorët janë në gatishmëri dhe kanë edhe burime energjie alternative në rast të problemeve me energjinë elektrike.
Gjithashtu Shtabi i Emergjencave është ngritur edhe në Sarandë, ku po bëhet inspektimi i argjinaturave dhe bashkërendimi për sigurinë rrugore.
Në mbledhje është kërkuar nga OSHEE që të mbajë nën kontroll linjat elektrike të hidrovorëve dhe pompat e ujësjellësit.
Er.K/Shqiptarja.com












