Shtatorja, përdhoset
Ismail Qemali dhe Pavarësia

Shtatorja, përdhoset <br />Ismail Qemali dhe Pavarësia
Janë skandaloze dhe akoma më qesharake se monumenti për 100- vjetorin e pavarësisë bocetet kushtuar konkursit për realizimin e 3 shtatoreve kushtuar tri figurave të rëndësishme historike Ismail Qemalit, Mbretit Ahmet Zog dhe Hasan Prishtinës. Bocetet janë ekspozuar dje në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe me plot gojën janë bërë "gazi i botës". Banaliteti me të cilën serviren konceptet figurative, estetike dhe ideore nuk kishte fund. Duke vizituar sa njërin bocet në tjetrin, vizitorët dhe të pranishmit kanë shpërthyer në të qeshura dhe sarkazma. Sidomos më qesharak se asnjë tjetër ishte trajtuar boceti i vetë themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit. Për këtë, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve Rubens Shima deklaroi se i ka çuar Ministrit të Kulturës për prezantim vetëm dy bocetet fituese, atë të Ahmet Zogut dhe të Hasan Prishtinës, ndërsa bocetet për statujën e Ismail Qemalit i ka kthyer mbrapsht. Edhe pse sipas një logjike të thjeshtë i bie që pesë skulptorët e përzgjedhur të kenë "ngelur në klasë" për nivel të dobët artistik, drejtori i galerisë dhe juria u jep të drejtë që ta përsërisin garën. Për jo më shumë se një muaj kohë në dispozicion ata do të luajnë me baltë, siç bëjnë fëmijët me kukullat në mësimet e para të skulpturës. Do të zhbëjnë e do të bëjnë sërish "Ismail Qemalër". Edhe vetë drejtori Rubens Shima dje qeshte me të madhe me bocetet…! Kur ai qesh, kuptojmë qartë se nuk ka frikë nga përgjegjësitë zyrtare e ligjore. A do ta mbajë vallë qeveria me komisionin e saj të festimeve turpin dhe skandalin e atyre që po bëhen në emër të përvjetorit të pavarësisë?!.

Duke parë ekspozitën, burrat e shtetit si palaço
Le të komentojnë disa prej boceteve që janë ekspozuar. Në një piedestal Ismail Qemali ngjante si reper. Kishte ngritur dhe gishtin tregues jo drejt si një "vizionar", por thyer nga brenda pëllëmbës si karrem peshku, saqë vizitorët u shkrinë gazit. Një tjetër Ismail Qemal kishte hedhur një flamur shpatullave si tifozët e kombëtares sonë. Në një vend tjetër dikush që s'i ngjante fare Ismail Qemalit majë shtizës me flamur kishte menduar që të rrinte një shqiponjë, por ajo ngjante si sorrë e tulatur. Nuk kanë të mbaruar banalitetet dhe çudia e këtij skandali. Ndërsa jemi të shqetësuar, jo vetëm për ato statuja fituese me shije vulgare që popullojnë Tiranën, për Ismail Qemalin ka të ngjarë të mbetet fare pa statujë. Statujë-bërësit më të njohur nuk duan të marrin pjesë dhe kanë të drejtë. Ismail Qemali ishte figura më e keqtrajtuar prej gjykimit të jurisë, injorancës artistike dhe si pasojë edhe prej mosnjohjes së personalitetit të kësaj figure historike. As detajet më të thjeshta natyrale të portretit të Ismail Qemalit, as veshja, as qëndrimi nuk kanë arritur të realizohen nga skulptorët. Madje kishte një Ismail Qemal me një flamur të palosur në dorë, që i rrinte varur si petull picash. Në Shqiptarja.com për të zbuluar se çfarë e ka sjellë këtë gjendje kemi përballur në dy intervista drejtorin e Galerisë së Arteve dhe skulptorin e njohur Vladimir Llakaj. Ky i fundit rrëfen disa nga arsyet që kanë shkaktuar skandalin e radhës me konkursin e pavarësisë. Akuzat e hapura të artistit Vladimir Llakaj për kohën e pamjaftueshme, për mungesën transparencës dhe konfliktet e interesave, në qerthullin e këtij konkursi, dëshmojnë se 100-Vjetori i Pavarësisë me themeluesin e saj Ismail Qemalin po përdhosen në vend që të festohet. Ndërsa u shpreh se po nuk e bëjnë dot artistët tanë Ismail Qemalin do "të bëjmë konkurs ndërkombëtar", drejtori Shima ia ka mbushur mendjen vetes se "e ka kryer detyrën e tij".

Zoti Shima, a janë shpallur të gjithë fituesit e vendeve të para për të tria shtatoret?
-Juria ka marrë vendim të shpallë fituesin për shtatoren e Mbretit Zog dhe për atë të Hasan Prishtinës. Këto ia ka nisur Ministrit të Kulturës, zotit Aldo Bumçi, dhe Komisionit Shtetëror për Festën e Pavarësisë, i cili do të bëjë edhe shpalljen publike të fituesit.

Po për shtatoren e I. Qemalit pse është kthyer mbrapsht konkursi?
-Juria pasi pa tek shtatorja që kishte një mosnjohje të personit si në aspektin historik, ashtu dhe në psikologjinë e karakterit dhe në fizionominë e tij vendosi të ribëhej konkursi. Pasi iu bëri një seleksionim të gjitha prurjeve vendosi që vetëm pesë artistëve, vepra e të cilëve kishte një lloj pretendimi t'u japi të drejtën të vazhdojnë konkurrimin për një fazë të dytë, duke i lënë një muaj e gjysmë kohë përsëri dhe të vinë me bocete të reja kushtuar Ismail Qemalit. Juria nuk ishte e bindur që brenda këtyre zgjedhjeve mund të kishim një zgjidhje përfundimtare se cila do të jetë shtatorja e Ismail Qemalit.

Cilët janë fituesit e shtatores së Zogut dhe Prishtinës?
-Juria ka dhënë vendimin për fituesit e dy statujave. Nuk e bënë publike ende. Do presim këtë të Ismail Qemalit dhe do të bëhet shpallja.

U bë mirë u shmangën bocetet pa vlerë, por si shpjegohet që në këtë konkurs kombëtar pranohen diletantizmi dhe banalitetet e shprehjes artistike. A nuk është qesharake shqiponja si sorrë, ai gishti "idiot"?
-Ka jo vetëm një mosnjohje të Ismail Qemalit si figurë historike, por u vu re edhe në figurat e tjera. Te Ismail Qemali kemi rastin e moskonsultimit me rekuizita të kohës së personazhit që gjenden me shumicë edhe te fototeka "Marubi". Ka probleme në lidhje me paraqitjen e Ismail Qemalit, në lidhje me veshjen që ai mban. Paraqiten bocete me veshje imagjinare të shpikura dhe disa e kanë veshur si palaço cirku.

I kushton shtetit dhe GKA-së kthimi mbrapa i konkursit?
-Jo

Po vonesa sa të bëhen bocetet, nuk prish punë?
-Jo.

Po nëse edhe në fazën e dytë artistët prezantohen në këtë gjendje?
-Në rast se ndodh kështu, do mblidhemi dhe nëse nuk marrim vendim për fituesin, atëherë do të bëjmë një konkurs ndërkombëtar që të na vijë një koncept dhe ide më e mirë ndoshta nga jashtë…

(dhh/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut