Nora, ky personazh ikonik i Ibsenit, e futur në lëkurën e aktores Klodi Kadillari, u kthye shumë shpejt në një histori suksesi në Itali
Artistja shqiptare me ftesë të Drejtorit Artistik Leonardo Omar Onida u nis drejt një festivali. Ajo ishte në natën e mbylljes se festivalit POP-“Progetto Ottobre in Poesia”. Edhe pse nuk ishte një garë e renditur mes dy emrave të njohur të artit italian dhe më gjerë vetë Italisë, si Beppe Dettori dhe Claudio Cojaniz, e bënte atë të ndiente përgjegjësi morale dhe përgjegjësi për vendit që përfaqësonte. Festivali "Progetto Ottobre in Poesia” që do ta çel siparin më 18 tetor. Në edicionin e 14-të të tij, në naten finale organizatorët kanë zgjedhur shfaqjen e monodramës së Klodi Kadillarit “Shtepi Kukulle"
“U nisa nga Tirana më 8 gusht për në Sardenjë, këtë herë jo për pushime, jo si rezidente ne Sassari, por si një artiste ku me vete mora përgjegjësinë dhe peshën për të interpretuar monodramën “Shtëpi kukulle” të Henrik Ibsen, e përshtatur për skenë. Natën e parë e Çeli Beppe Dettori me një zë që zgjonte edhe perënditë. Aty zemra filloj të më rrihte duke ndjerë emocione por njëkohësisht edhe një dialog i brendshëm mund ta quaj një bashkëbisedim me vetveten:- Klodi a do ja dalim...?”, rrëfen në një intervistë për “Shqiptarja.com” aktorja shqiptare.
“Në natën e dytë të festivalit isha e qetë, por njëkohësisht edhe krenare të isha pranë Claudios një artist me vlera të mëdha, jo vetëm artistike, por edhe njerëzore, muzika Jazz e Cojaniz ne Parkun e Molineddu të bënte të harrojë gjithë vështirësitë që njeriu ka kaluar gjatë jetës, dhe thashë me vete- E çfarë është jeta...të dëgjosh këtë muzikë, të shohësh gishtat e artistit si lëvizin mbi pianoforte dhe të ndjesh fëshfërimat e pemëve të mbjella rreth amfiteatrit.”, rrëfehen Kadillari.
Nata e tretë, pikërisht data 7-shtator i përkiste Klodi Kadillarit. Promocioni dhe reklamat e mëdha me emrin e saj dukeshin në gjithë qytetin e Sassarit, madje edhe pranë shtëpisë ku jetonte...Oh zot, a do ia dalë, këta njerëz më kanë besuar të jem unë në natën e mbylljes së festivalit POP-‘’Progetto Ottobre in Poesia’’.
Leonardo Onoida, Drejtori Artistik besoj te aftësitë e saj, duke e konsideruar si një artiste me vlera internacionale...”
Sa kohe të duhej për ta përgatitur shfaqjen, pasi e interpretuat në gjuhën italiane?
-Ishte një projekt që u kërkua përpara një viti, por që unë nuk e realizova dot për shkak të shumë arsyeve organizative...Ndërsa në qershor isha e ftuar në çeljen e një ekspozite në Ossi, ku emri im në këtë ambient ishte i njohur, ndërsa unë pak informacione kisha rreth artistëve që përfshiheshin në këtë ambient. Pasi vizituam gjithë ekspozitën, ku isha e shoqëruar nga mikja ime Sandra Simula, kostumistja e shfaqjes time, aty takohem me shumë artistë dhe ndër ta ishte edhe Presidenti i shoqatës Kulturore Molineddu z. Onida, i cili kishte marrë shumë informacione mbi emrin tim si artiste dhe me propozoi për ta sjell shfaqjen time në këtë festival, ku kuptohet përgjigjia për te qenë pjesë, erdhi mbas 20 ditësh mbasi komisioni dhe anëtarët e tjera kishin votuar që në këtë festival të ishte edhe një artiste nga Shqipëria. Kisha në dispozicion vetëm 2 muaj dhe kaq...një panik brenda meje se a do me premtoj koha...Në Tiranë qëndrova vetëm një muaj dhe ju dedikova vetëm shfaqjes ku me ndihmuan shume instruktoret e mi Erdi, Roan, Merise, Felisia dhe Eglis....Besomë se kjo shfaqje nuk mund të arrihej, nëse nuk do kisha ndihmën e familjes time... e vështirë të përgatisësh një shfaqje për dy muaj në gjuhe të huaj, por me vullnetin tim dhe me dashurinë e zotit uneë ia dola.
Si u ndjeve para se të fillonte shfaqja?
-Oh çfarë nuk ndjeva...nuk është hera e parë që jam jashtë vendit me evenimente të ndryshme, por këtë herë ishte ndryshe për mua...Ishte ndryshe, sepse nuk kisha publikun tim, nuk flisja me gjuhen e mëmës, nuk isha në një teater klasik...nuk kisha miqtë dhe mikeshat e mia. Nuk kisha asnjë nga familja ime, por kisha vetëm vetveten dhe sytë e Leonardo Onides dhe besimin e tij që më ndiqnin deri ne momentin kur ndjeva muzikën e Liqenit të Mjellmave me të cilën cceli siparin shfaqja ime...Ajo që dëshiroj të them është se përpara se të fillonte shfaqja kërkova një orë të qëndroja e vetme larg trupës që më shoqëronte, duke u zhvendosur në thellësi të parkut dhe aty kërkova të flisja me vetveten dhe të sigurohesha që zëri im do më jepte siguri të mbaja premtimin që i dhashë familjes time dhe atyre që më besuan...Mbasi përsërita edhe njëherë gjithë tekstin, Sandra më shoqëroi të bëhesha gati dhe aty ndjeva se zëri po më thërriste të përballesha dhe të shprehja me lojën time aktoreske dhe me emocione të forta peshën e Nores së Ibsenit, peshën dhe sakrificën e secilës femër...
Si reagoi publiku i Sardenjës. Si u prit interpretimi yt?
-Mund të them me krenari absolute që publiku jo vetëm me pranoi si artiste shqiptare por për 60 minuta u unizuan dhe u bënë pjesë e lojës time interpretative, publiku për asnjë sekondë nuk më braktisi...them nuk më braktisi, pasi ishin me shpirt dhe me sy tek ajo që përcillja gjatë shfaqjes, unë komunikoja me ta përmes shikimeve dhe fjalëve që përcillja, komunikova kaq bukur sa theksi shqiptar nuk u bëri përshtypje...Ajo që mora nga ky publik ishte duartrokitja e gjatë dhe e ngrohtë. Kjo ma mbushi zemrën. Ajo që mora ishin urimet dhe ajo që dua të përmend ishin ndër të tjerave dy komente që më kanë rrëqethur një zonje e cila më tha “- Bravo publikut italian i mungojnë këto drama dhe këto mesazhe që përcollët ju...duhet të jepet në të gjitha shkollat e mesme dhe t’i shërbej shfaqja jote për të edukuar brezat e rinj... Ndërsa një zotëri m’u drejtua me fjalët- Klodi, në dramën tënde pashë një pjesë të jetës time...dhe nuk mund të lë papërmendur lotët e një zonje me emrin Bianca, e cila nuk foli vetëm më dha një shtrëngim të fortë, dhe tek ajo mora përqafimin dhe lotët e nënës time...Nuk kam ç’ të them më, jam vetëm e emocionuar.
Cilët bashkëpunuan me ty në këtë shfaqje dhe do të udhëtoj në vende të tjera... Çfarë projektesh ke në dore, apo mendon të kthehet në Tiranë?.
-Me mua bashkëpunuan emra që kësaj here vijnë jashtë vendit tim, ku dua të përmend Drejtorin Artistik Leonardo Omar Onida, skenografin dhe imazhet grafike nga artisti Giovanni Sechi, me pjesëmarrjen e aktorit të njohur Carlo Valle, i cili u paraqit përmes imazheve filmike dhe dublimit, Cristina Cossu, teknike e montazhit dhe Sandra Simula kostumiste si edhe pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të artistit Angelo Salvatore Baghino, i cili në fund të shfaqjes dhuroi për publikun disa skica të realizuara gjatë performancës time. Dhe nuk do të mungojnë as udhëtimet e shfaqjes. Për momentin kam marr dy propozime, për ta shfaqur në dy qyteza këtu në Sardenjë, në Tissi më 27 tetor në mbylljen e Festivalit Letrar POP dhe në Teatrin Tempio në muajin nëntor... Ndërsa po vazhdoj xhirimet dhe temën e doktoraturës me “Psikologjinë e emigracionit”. Besimi në vetvete dhe dashuria që kam për artin me bën që të kalojë çdo pengesë dhe të vazhdoj përpara...