Me libra të rinj të të gjithë fushave, nga letërsia, filozofia, shkencat politike, memuaret, monografitë, studimet, librat për fëmijë, e deri tek antikuaret, Paraniri i 28-të i Librit në Tiranë, po befason  çdo ditë vizitorët e shumtë që prej çeljes së tij.

Në stendën e Shtëpisë Botuese “Toena”, gjejmë këtë vit plot 36 tituj të rinj, shumë prej tyre intrigues që në titull, siç është libri  “Në tunelet e Shqipërisë sekrete”, me autor gazetarin dhe kuratorin e muzeve Bunkart, Carlo Bollino.

“Ne bëmë një bashkëpunim shumë interesant me muzeun Bunkart 1 dhe 2, një botim me historikun e vetë këtij  muzeu të përfshirë në gjuhën shqipe, të ilustruar në detaje me shpjegime të jashtëzakonshme sidomos për ata që e kanë qejf historinë dhe duan të eksplorojnë nëpërmjet këtij libri të kaluarën tonë të afërt”, thotë Toçi.

Botuesja Irena Toçi, veçon mes titujve të rinj të Shtëpisë Botuese Toena edhe librin “Ngjyrat që ju më mësuat”, të cilin ajo e ka sjellë në gjuhën shqipe nga greqishtja, bashkë me Albina Pullën.

“Është libri i një prej psikologeve më të njohura greke, Ana Kandaraqi. Në këtë  libër përfshihen ngjarje të cilat ajo i ka mbledhur nga puna e saj si psikoterapeute. Dhjetë rastet që trajtohen në këtë libër janë të ngjashme me jetët tona. Mendojmë se është një nga punë te bukura, që kanë ardhur në këtë panair dhe mund ti bëjë për vete lexuesit e shumtë që vijnë këtu..”, shprehet Toçi.

Përveç hapësirës që i dedikohet shitjeve të librit, në stendën Toena nuk mungon edhe këtë vit hapësira e promovimeve. Gjatë ditëve të panairit janë planifikuar rreth 20 promovime vetëm në stendën “Toena”, ku lexuesit shpesh kanë fatin të takojnë autorët e tyre të parapëlqyer.  Nga promovimet e këtij viti veçohen Namik Dokle me romanin e tij të ri “Asnjë trokitje në qiell”,  Valentina Leskaj  me librin e saj “Politika si ide”,  dy autorët italianë  Daniele Mencarelli, dhe Donato Carrisi, etj.

“Në stendën e Toenës do të gjeni përherë  përkthime nga gjuha italiane. Daniele Mencarelli vjen sot nga Italia dhe do të bëjë vetë prezantimin e librit të tij “Gjithmonë në kthim”. Danele është fitues i çmimit “Strega” për të rinjtë në Itali.

Ndërsa Donato Carrisi, që Toena e ka sjellë për herë të parë në një trologji të tij sjell një triller policor pikologjik, që ka në qendër të vëmendjes situatat e vështira me fëmijë, të cilët Pietro Gaberi, i policisë italiane i hipnotizon, për të shkuar tek e vërteta absolute, por edhe për të zbuluar ngjarje, të cilat nuk zbërthehen vetvetiu”.

Panairi i 28-të i librit do të vijojë  aktivitet e shumta dhe prezantimet e librave, që rrëmbejnë vëmendjen e  lexuesve, edhe në ditët në vijim. Ai do të qëndrojë i hapur në Pallatin e Kongreseve deri në datën 16 nëntor.