Që nga viti 1993, dy dhoma në godinën “Shtëpia me Gjethe” nën administrimin e SHIK janë përdorur dhe nga shërbimi inteligjent amerikan dhe më saktë nga CIA amerikane.
Nga viti 1993 deri më 1997 “Gjethi” ka vazhduar punë. Me të tjerave, atje janë mbyllur dhe Arben Imami dhe gazetari Bardhok Lala.
Historia e pathënë e “Shtëpisë me Gjethe” nuk është thjeshtë për një godine e cila është përdorur rëndom në kohën e diktaturës për të përgjuar “armiqtë e popullit” apo dhe qytetarët e huaj që hynin e dilnin në Shqipëri.
Historia e saj ka fituar më shumë se nota tmerri edhe gjatë periudhës së demokracisë, kur në pushtet erdhën demokratët që morën në dorëzim shtetin shqiptar për ta qeverisur pas 45 vitesh komunizën.
Një transferim i dhimbshëm i ndodhur nga fundi i viti 1992 për t’u konsoliduar në vitin 1993, që vijoi funksionin e përgjimit si një institucion sekret që operonte në kohën e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës për përgjimin e qytetarëve, nga kreu i SHIK Bashkim Gazidede që e vuri edhe në funksion të torturave që u përdorën nga të gjithë kundërshtarët politikë të Berishës dhe të PD në kohën e demokracisë.
Teksa ka qënë e hapur ditën e djeshme për qytetarët për t’u kthyer në një muze, premtim i dhënë nga kryeministri Edi Rama, përmes fotove ne mund të sjellim në vëmendjen e qytetarëve shqiptarë faktin e tmerrshëm se si kjo godinë i kohës së diktaturës së komunizmit, u përdor edhe nga SHIK-u i Gazidedes si një qeli tmerri dhe torturash për të gjithë kundërshtarët politikë, pasi nëpër tunelin e saj dhe dhomat e mbylluar me tela, por dhe me dopio-tullë si dhe në dhomat-bodrume, kanë kaluar pjesa më e madhe e atyre politikanëve dhe qytetarëve që kanë kundërshtuar qeverisjen e atëhershme të Berishës.
Fotot që “Shqiptarja.com” boton për herë të parë tregojnë qartë këtë, teksa shihen ambientet e brendshme, muret me pllaka të prishura të dhomave të torturës dhe birucave të sigurisë së lartë në katin e dytë, si dhe bllokimi i dritareve jo vetëm me tela, por dhe me tulla për të amortizuar britmat e njerëzve që dhunoheshin në këto qeli të improvizuara në kohën e demokracisë nga Bashkim Gazidede, kreu i atëhershëm i SHIK-ut, i cili i shërbente me devotshmëri ish-presidentit Sali Berisha për të mbajtur me çdo kush pushtetin.
Dhe si për ta vulosur periudhën deri në të cilën eshtë përdorur ja fotoja e një kalendari të gjetur aty që mban vitin 2001, dhe tregon që “Shtëpia me Gjethe” ka qenë në funksion, jo gjatë gjithë kohës si qeli torurash, deri në vitin 2000. Pamjet fotografike tregojnë se në anën e pasme dhe anash saj, të godinës së “Shtëpisë me Gjethe” ishte edhe një tunel që të çonte poshte godinë, dhe ku ishin të përshtatura dhe qelitë e tmerrit, në të cilat Gazidede dhe strukturat e SHIK-ut “shtrydhnin” të gjithë kundërshtarët politikë, dhe përmes torturash të tmerrshme kërkonin të merrnin atë që donin.
Një dëshmitar e emërton atë si "bodrum për dajak". Nëpër këto ambiente torture dhe tmerri kanë kaluar dhe ish-numri dy i Partisë Aleanca Demokratike, sot në strukturat e PD Arben Imami si dhe gazetari i asaj kohe i “Dita Informacion” Bardhok Lala. Të ndaluar në vende të ndryshme më 28 maj 1996, në protestën e opozitës së asaj kohe, vetëm dy ditë pas vjedhjes masive të votës në zgjedhjet e 26 majit 1996, SHIK-u i Gazidedes fillimisht i kaloi në “Shtëpinë me Gjethe” Imamin dhe Lalën për t’i torturuar dhe rrahur deri në maksimum për të shkëputur informacione dhe më pas i kaluan tek Komisariati numër 2 në Tiranë, sot Drejtoria e Policisë për Qarkun e Tiranës, formalisht për të thënë se janë arrestuar nga policia.
Fati i Imamit dihet, shpëtoi “paq” me dhëmbët e përparëm të thyer, ndërsa gazetari Lala u rrah dhe në polici nga SHIK për t’u hedhur për i vdekur te Liqeni Artificial dhe për t’u gjetur nga kolegët e tij. Dhe sot e kësaj dite nuk e ushtron më profesionin e gazetarit. Një dëshmitar okular na thotë se qelitë e tmerrshme të “dajakut” ishin në bodrum, ndërkohë që pastaj duke i rrahur i ngjisnin në katin e dytë ku ndodheshin “birucat” me hapësira të ngushta, 2 metra me 1, me dritare të bllokuara me tulla dhe tela, pa krevate apo stola por vetëm dysheme e ftohtë. Duke qenë se afërsia e kësaj godine përgjimi e favorizonte përgjimin tek telefonia, por dhe godinën e PS, ky përgjim ka vijuar deri sa PD dorëzoi pushtetin ne viti 1998.
Baza u shfytëzua edhe nga CIA
Që nga viti 1993, dy zyra u morën në përdorim nga amerikanët. Dy dhoma në godinën “Shtëpia me Gjethe” nën administrimin e SHIK janë përdorur dhe nga shërbimi inteligjent amerikan dhe më saktë nga CIA amerikane. Një ish-funksionar i SHIK-ut që ka punuar te kjo godinë na tregon me dorë dy dritare të katit të dytë të kësaj godine, të vetmet që janë me xhama të pathyer e kanë ende perde, që këtu pas vitit ‘93 me ardhjen në pushtet të PD kanë qenë instaluar efektivë të CIA-s amerikane që kishin marrë në përdorim dy zyra.
Nuk dihet ende nëse kishin lidhje me qelitë e Gazidedes në katin e dytë të godinës së “Shtëpisë me Gjethe”, por as nuk dihet nëse kanë vijuar dhe më vonë pas riardhjes së socialistëve në pushtet më ‘97. Ndërkohë që janë dhe të vetmet zyra të mirëmbajtura dhe që kanë ende dhe sot xhama të pathyer dhe janë me perde, ndonëse të thjeshta, nuk dihet nëse kanë qënë në përdorim të ndokujt deri më sot. Ajo që dihet është se marrëdhëniet dhe në atë kohë mes Berishës dhe amerikanëve kanë qënë me oshilacione.
Sidomos pas 1995, kur filloi shqetësimi për ngritjen e firmave mashtruese piramidale, për t’u acaruar më tepër teksa ish-presidenti i asaj kohe Berisha la zv.sekretarin amerikan të shtetit Timo Uorth jashtë dere pa e takuar.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 janar 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)