Shtëpia e Kongresit, shpresa
humbi, Atdheu ty po të thërret...

Shtëpia e Kongresit, shpresa <br />humbi, Atdheu ty po të thërret...
LUSHNJE – Muret janë çarë pothuajse të gjitha. Çatia është gati në të rënë. Në katin e dytë të shtëpisë së Kongresit të Lushnjes, nuk mund të hipin më shumë se 5-6 persona, apo tek një peshë prej 700 kilogramë. E për më tepër, brenda mureve të shtëpisë dykatëshe me papafingo, aty ku i vendos fati i Shqipërisë pas shpalljes së Pavarësisë, ka nevojë për ndërhyrje dhe restaurim të të gjitha materialeve brenda muzeut. Situata, në prag të tragjedisë.

Kjo ishte gjendja për të cilën anëtarët e Forumit të Trashëgimnisë Kulturore, Auron Tare, Artan Shkreli dhe Anila Basha, njëkohësisht drejtoreshë e gazetës Shqiptarja.com, morën rrugën drejt Lushnjës për të parë nga afër situatën e për të apeluar për gjendjen e vështirë.

Shkreli e Tare shohin me trishtim gjendjen e brendshme të mureve të çara nga lagështira, ndërkohë që parketet prej druri në disa vende janë zëvendësuar me pllaka që nuk e kthejnë monumentin në gjendjen e mëparshme.

Kryetari i Bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe është njëlloj i trishtuar. Qeveria nuk jep asnjë lek për të mbrojtur këtë muze, edhe pse kryeministri Berisha e ka konsideruar si një prej institucioneve monumentale më të rëndësishme këtë shtëpi, madje ngjarjen e 21 janarit 1920, kur u mblodh kongresi i Lushnjes e qeveria e Sulejman Delvinës zbriti në Tiranë, si kryeqyteti i ri që u zgjodh nga punimet e këtij kongresi.

“Ironike, thotë Auron Tare. Në muret e muzeut po shikoj që janë disa emra të njohur për ne: imzot Bumçi, apo Çoba. Pinjollët e tyre janë sot në qeveri, por askush prej tyre nuk i ka kthyer sytë për të parë këtë vepër që ka rrezik edhe të shembet”.

Artan Shkreli shkon pak më larg. “Ka vetëm katër godina historike, për të cilat qeveria duhet të ketë kontroll të plotë dhe që kanë vlerë historike. Eshtë Pallati i Brigadave, që edhe pse ka një ndërhyrje në muret rrethues nuk është prekur si godinë. Eshtë shtëpia e Flamurit në Vlorë që për turpin e të gjithëve festuam 100 vjetorin e pavarësisë dhe kioskat rreth asaj shtëpie nuk janë prishur; është shtëpia e ngritjes së Flamurit në Korçë, që u shemb brenda natës dhe shteti duhet ta rindërtojë urgjent, dhe si një ndër më të rëndësishmet është kjo shtëpi e Kongresit. Duhet të lusim zotin që në Lushnje të mos bjerë borë asnjëherë, ndryshe në të kundërt, në situatën që gjendet shtëpia e Kongresit, ku gjithçka bie nga qielli hyn brenda, do të ishte shembur me kohë”.

Anila Basha, anëtare e Forumit thotë se kthehet në qytetin e vendlindjes me shqetësimin e këtij forumi për këtë monument të rëndësishëm. “Ne jemi një Forum që nuk veprojmë nëpërmjet fondeve. Jemi një forum sensibilizues. Jemi këtu, për tu bërë apel të gjitha strukturave qendrore dhe vendore, të kthejnë sytë rreth këtij monumenti me vlera të veçanta. Duhet të kujtojmë të gjithë shumë mirë, se Kongresi i Lushnjes, ishte ai kongres tek i cili shqiptarët morën në dorë fatin e tyre pas shpalljes së pavarësisë. Kjo godinë, nuk ka vetëm vlerë muzeale, por ka një vlerë të rëndësishme historike”.

Kryetari i Bashkisë u shpjegon në çdo kat anëtarëve të Forumit gjendjen në të cilën ndodhet shtëpia muze. “I kemi kërkuar zyrtarisht qeverisë, madje edhe një vit më parë kur kryeministri erdhi këtu, që për këtë shtëpi Muze duhen fonde. Askush nuk ka dhënë asnjë lekë. Duhen ndërmarrë veprime emergjente. Gjendja është në prag të katastrofës. Bashkia ka bërë gjithçka me fondet e pakta që ka, për të bërë të gjitha ndërhyrjet emergjente, por këtu kërkohen specialistë për të bërë një ndërhyrje të plotë. Që nga viti 1970, nuk ka asnjë rikonstruksion të kësaj godine” thotë kryebashkiaku i Lushnjës Tushe.

Historia
Shtëpia muze e Kongresit të Lushnjës, administrohet nga bashkia e qytetit. Shtëpia është e ish pronarëve, por bashkia paguan qiranë për ta, në shumën prej 3 milionë lekësh për ta mbajtur atë si një shtëpi të hapur për vizitorët e shumtë. Kryetari i bashkisë sqaron për anëtarët e Forumit se ka shumë vizitorë që vijnë nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Madje edhe nga qytete të ndryshme të vendit. Por, askush prej tyre nuk lejohet të ngjitet në katin e dytë, në mënyrë që të mos ketë përkeqësim të gjendjes së godinës.

Ndërkohë bashkia tenton të ndërhyjë me një projekt të ri, për ta kthyer bulevardin përpara shtëpisë së kongresit në një zonë pedonale. Projekti i hedhur në letër, kërkon fonde. Do të jetë me pllaka kuq e zi, në ngjyrat e Flamurit, dhe përpara një kopsht i gjelbër. Dy buste, njëri prej të cilëve ai i Sulejman Delvinës, si kryeministri i qeverisë që doli nga ky kongres.

Tani, pritet të vijnë vetëm fondet. Deri atëherë, do të na duhet të këndojmë vargjet e këngës së kongresit: Shpresa humbi, Atdheu ty po të thërret..

Redaksia Online
(eç/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Priten kabllot e fibrave optike! Arrestohet një ekstremist i majtë pasi tentoi një tjetër sabotim në tren

Paris 2024/ Priten kabllot e fibrave optike! Arrestohet një ekstremist i majtë pasi tentoi një tjetër sabotim në tren