Shteti nen dëborë

Shteti nen dëborë
Kudo jashtë Shqipërisë ku tërbimi i motit ka sjellë fatkeqësinë e izolimit ndër zona të caktuara dhe ku shteti ka vështirësi në përballimin e situatës, nuk po bën vaki asgjë e ngjashme me atë që ndodh në vendin tonë me përjashtim të angazhimit të opozitës politike, shoqërisë civile, strukturave të solidaritetit social e mediave për të dhënë ndihmën e tyre. Në Rumani për shembull, ku ka ca ngjashmërira edhe pse të largëta me vështirësitë financiare e logjistike të shtetit, njësoj si këtu opozita e atjeshme socialiste ka mobilizuar të gjitha forcat e veta për t’u solidarizuar me komunitetet e familjet në nevojë. Përveç mobilizimit të njerëzve e mbledhjes së ndihmave në ushqime e ilaçe, nuk mungojnë padyshim as kritikat ndaj qeverisë apo propozimet konkrete për qeverinë nga ana e opozitës, në parlament e në mjedisin e debatit publik.

Ajo çka nuk bën vaki askund tjetër është çorodia totale e shtetit dhe sulmet e çoroditura të pushtetit ndaj opozitës. Pa llogaritur këtu shfaqjet banale të kryeministrit në sytë e publikut mbi tema pa asnjë lidhje me realitetin e vështirë të vendit, me nevojat imediate të dhjetëra mijëra familjeve apo thjesht me detyrën funksionale të tij e të Këshillit të Ministrave. Askund tjetër nuk ka bërë vaki që salla e Këshillit të Ministrave të jetë kthyer në një teatër parodish të përjavshme me aktor protagonist kryeministrin, i cili nuk kuptohet nëse tallet me popullin e me detyrën apo vërtet ka probleme të funksionimit të aparatit logjik kur flet me orë të tëra budallallëqe turpëruese jo vetëm për qeverinë e vendit po për vetë vendin. Por kjo e fundit është një temë më vete.
Akuzat vulgare të tij e të kanakarëve të tij ndaj opozitës në kushtet e emergjencës humanitare janë alarmante për faktin se dëshmojnë edhe njëherë në çfarë gjendje është mendja dhe morali i këtij pushteti të paaftë e të korruptuar deri në thonj. Opozita po bën vetëm detyrën e saj duke thënë fjalët e duhura në kushte si këto kur duhet shkundur qeveria dhe ngritur një rrjet solidariteti qytetar për të lehtësuar shpirtërisht po edhe materialisht, sadopak, gjendjen e sa më shumë familjeve në nevojë. Kush i kërkon opozitës të bëjë thjesht njërën apo tjetrën e jo të dyja bashkë gabon.

Opozita as mund të heshtë kur sheh të vërteta rrëqethëse siç është në këtë rast çorodia totale e shtetit të degraduar në pikën që s’arrin dot të parashikojë, parandalojë e planifikojë asgjë në situata si kjo, dhe as mund të mjaftohet vetëm duke thënë kështu nuk shkon. Të thuash se me këtë rast opozita po kërkon të mbledhë vota në dëborë pikërisht sepse po bën asgjë më pak se sa detyrën e saj, është njësoj si të kërkosh që opozita të heshtë teksa njerëzit në hall që telefonojnë nga zonat e bllokuara qeveria i quan provokatorë e paniknxitës të mobilizuar nga opozita për të telefonuar nëpër media nga kafenetë e Tiranës. Ose, është po njësoj si të thuash se opozita nuk duhet të dalë në dëborë e të flasë me njerëzit të cilëve u çon ndihma aty ku s’ka shkelur këmbë shteti, pavarësisht se ata mund të jenë në pikën e fundit të mundësive të mbijetesës.

Eshtë bërë modë që të shahet opozita apo të vihet në çdo rast shenja e barazimit mes saj e pushtetit dhe kjo modë imponon një hipokrizi konstante të shumë gjuhëve që kanë akses në media, deri në pikën ku edhe kur bëhet fjalë për një emergjencë kaq problematike sa kjo e këtyre ditëve përsëri të mos mungojnë sulmet krejt pa vend për opozitën. Po edhe kjo është një temë tjetër.

E vërteta është ajo që përjetojnë zonat e bllokuara dhe që falë mediave të pavarura nga litarët e qeverisë e gjithë Shqipëria mund ta shohë me zë e me figurë në çdo edicion lajmesh. E vërteta është se ky shtet i shkatërruar nga “reforma” strukturale të çoroditura, nga politizimi i tejskajshëm i administratës e për pasojë paaftësia skandaloze në drejtim e menaxhim, nga njësimi i plotë i makinerisë shtetërore me makinerinë partiake të pushtetit, nuk ka fuqi të parashikojë, parandalojë e planifikojë asgjë përballë fatkeqësive si përmbytjet apo si kjo dëborë e rënë masivisht. Kërkesë e ligjit kjo.

E vërteta është se të parashikosh do të thotë të kesh struktura të specializuara për këtë dhe shteti ynë nuk i ka më as ato pak që ka pasur. Të parandalosh do të thotë të kesh struktura të afta për ta bërë një gjë të tillë dhe shteti ynë nuk i ka më as ato pak që ka pasur. Të planifikosh do të thotë të kesh struktura të mirëpërgatitura për këtë dhe shteti ynë nuk i ka më as ato pak që ka pasur. Të gjithë janë shkatërruar e katandisur në miniatura pa asnjë peshë, në qoshera pa asnjë dritë e në zyra punësimi pa asnjë qëllim tjetër përveç harxhimit të parave të publikut për të paguar rrogëtarë të partive të qeverisë deri në turravrapin elektoral të radhës.

Emergjencat janë sfidë e madhe për çdo shtet, po janë edhe teste të qarta që vënë në provë organizimin e shtetit dhe kapacitetin menaxhues të qeverisë. Përsëritja e përvitshme e tyre kohët e fundit e ka nxjerrë cullak të vërtetën se organizimi ynë shtetëror ka rënë në një pikë pas së cilës s’ka më asgjë. Ndërsa kapaciteti menaxhues i qeverisë është katandisur në derexhenë e propagandës antidemokratike ku ka rëndësi vetëm çfarë thuhet e del në televizor apo gazetë, në formën e një çorbe sulmesh barbare ndaj opozitës e vetëlavdërimesh pacak për sukseset e paqena të qeverisë. Matanë ekraneve e faqeve të para të shtypit të përditshëm qeveria ka lënë Zotin të kujdeset për të gjithë dhe çdo shqiptar të gjejë dermanin për veten.

Sa herë flas apo shkruaj për çështjet e vendit e vendos veten në pozitën e atyre që përveç fjalës kanë edhe detyrën për t’i bërë konkretisht punët e këtij vendi, sepse nuk është në mendësinë e në kulturën time të akuzoj apo kritikoj në hava për gjëra që realisht nuk bëhen vetëm me dëshirë po mund të bëhen vetëm sipas mundësive. Dhe sinqerisht mendoj e besoj se Shqipëria jo vetëm e meriton padyshim, por edhe mund ta ketë një qeveri që t’i përballojë me standarde të tjera edhe emergjencat si çdo sfidë tjetër, pavarësisht mundësive të pakrahasueshme me simotrat e veta të vendeve më të zhvilluara ku dëbora bie po njësoj, po asnjë familje nuk zien kokrra misri në izolim të plotë. Ja pse nuk ngurroj të them me plot gojën sot që nesër ne vërtet nuk do të kemi një qeveri që të mund të shmangë çdo përmbytje apo aq më tepër të ndalojë dëborën të bjerë në përmasa të frikshme si këto të këtij viti, por ama do të kemi një qeveri që do të ndajë qëllimet e punët e shtetit nga orekset elektorale e nga punët e partisë dhe do të përballet me sfidat me dinjitetin e një ekipi të zgjedhur për të menaxhuar si duhet fondet, burimet njerëzore e strukturat shtetërore të këtij vendi. Pa ia hedhur fajin Zotit që ka zgjedhur kohën e mandatit të qeverisë për të derdhur shi e dëborë mbi Shqipëri siç nuk ka bërë prej një shekulli. Pa ia hedhur fajin opozitës pse bën detyrën e saj duke kritikuar qeverinë për çka ajo mendon se nuk shkon. Pa i quajtur njerëzit në hall që ankohen nëpër numra telefonash të mediave as provokatorë as paniknxitës të paguar nga opozita. Pa i gënjyer shqiptarët në televizor për operacione në terren apo angazhim mjetesh që thjesht nuk ekzistojnë. Pa u marrë me rishkrimin e historisë së Shqipërisë as kur Shqipëria pret nga qeveria e saj të jetë 24 orë në këmbë për të përballuar një emergjencë dhe as sa herë vëmendja duhet spostuar nga një çështje e nxehtë publike. Pa refuzuar propozimet racionale të opozitës kur ato mund të jenë vlerë e shtuar në një përpjekje si kjo e përballimit të emergjencës që ka nevojë për të gjithë. E mbi të gjitha pa harruar në verë se pas verës vjen dimri dhe shteti duhet të jetë i përgatitur për të përballuar çdo të papritur të dimrit.

Të gjitha këto e më shumë akoma kjo qeveri nuk i bën dot dhe qeveria jonë do t’i bëjë një për një. Kush mendon se ky nuk është një dallim i qartë për të cilin vlen t’i lihet opozitës së sotme barra e provës përmes votës kundër kësaj qeverie dhe rotacionit demokratik si e vetmja mënyrë për t’i ndihur ndryshimit të domosdoshëm, le të vazhdojë të vendosë shenjën e barazimit mes qeverisë e opozitës e le ta ndajë çdo faj të qartë të qeverisë si një faj të të dyja palëve po njësoj. Unë besoj se në zgjedhjet e ardhshme do të mbetet sidoqoftë në pakicë, bashkë me këtë qeveri të dështuar që e ka katandisur shtetin në një makineri të prishur si ai traktori i vetëm që qeveria kishte lënë në Dibër për të pastruar rrugët nga dëbora.
18 shkurt 2012
Shkrimi eshte botuar ne http://edirama.al/blog/2012/02/shteti-nen-debore/
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Ministri Hasani 'përplaset' me Lajçak: Përqëndrohuni tek dialogu Kosovë-Serbi, do jemi të lumtur nëse do ketë rezultate

Ministri Hasani 'përplaset' me Lajçak: Përqëndrohuni tek dialogu Kosovë-Serbi, do jemi të lumtur nëse do ketë rezultate