Vendimi për të pezulluar përkohësisht punimet e kompanisë kanadeze Bankers Petroleum në pusin që kishte hapur në afërsi të fshatit Marinzë, ku nga hapja shpërtheu gaz në formë fontane, është mëse i drejtë.

Krahas raportit paraprak të përbashkët të Ministrisë së Energjitikës, Agjencisë së Burimeve Natyrore (AKBN) dhe ndërmarrjes shtetërore AlbPetrol, shteti ynë, nëpërmjet AKBN-së, duhet urgjentisht të bëjë matjet e veta të tipit të gazit që del nga fontana dhe të përcaktojë qartë dëmet e shkaktuara popullsisë së atjeshme, mjedisit ku banorët do ta kenë të vështirë të qëndrojnë, pse uji i pijshëm është ndotur rëndë.

Duhet matur urgjentisht niveli i ndotjes dhe rreziku real për shëndetin e banorëve, nëse ata do të vazhdojnë të qëndrojnë në ato shtëpi të bllokuara nga gazi dhe era mbytëse. Dhe këto matje kurrsesi s’duhet t’i lihen në dorë vetëm kompanisë kanadeze, e cila i ka të gjitha interesat ta minimizojë dëmin. Dëmi i vërtetë duhet të llogaritet nga Shteti ynë dhe sa më shpejt. Asgjë nuk i duhet lënë ndërhyrjeve paralele të kompanisë së huaj, pavarësisht se ato mund të ndihmojnë dhe janë të mirëpritura.

Por fatura e dëmshpërblimeve duhet të përgatitet e plotë. Nga raporti paraprak del dhe se kompania e huaj ka injoruar historikun e shpimeve në të njëjtin pus që dha fontanën e 1-2 prillit 2015, kur në vitin 1991 AlbPetrol kishte injektuar gaz karbonik. Ky gaz që fillimisht ka qenë gaz karbonik, tani mund të ketë marrë shumë elementë helmues në nëntokë në këto dy dekada e gjysmë dhe Shteti ynë duhet të gjejë të plotë rrezikun që u kanoset shëndetit të banorëve.

Kompania Bankers kishte kryer shpim duke ushtruar gjatë punës një presion 3.8 herë më të lartë nga i lejuari, në shtresat ku shponte. Të gjitha këto e sjellin si domosdoshmëri që Ministria e Energjitikës të diskutojë me kompaninë e huaj një plan masash afatmesme për të rehabilituar plotësisht zonën e ndotur, nëse ky rehabilitim mund të ndodhë dhe do Zoti nuk ka dëme të pakthyeshme në ujrat e pijshme të Patos-Marinzës.

Kontrata e hidrokarbureve, pra kontrata e koncesionit, lejes që Shteti shqiptar i dha në vitin 2004 kompanisë Bankers për të shfrytëzuar nëntokën tonë, duhet rishikuar, në mënyrë që të përcaktohen qartë rastet e avarive dhe shpërthimeve që mund të kenë pasoja në shëndetin dhe sistemin ekologjik, edhe kështu mjaft të rënduar e të dëmtuar, të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinzë. Ka patur shumë raste kur veprimet e kompanive shfrytëzuese të naftës së nëntokës sonë kanë qenë abuzive, sidomos në marrëdhëniet me ndërmarrjen Albpetrol dhe këmbimin e naftës për pagesën në natyrë të rentës minerare.

Këto raste i ka sjellë të freskëta edhe denoncimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit i qershorit 2014, më pak se një vit më parë, për raporte shumë të errta e me pasojë dëm të ndjeshëm ekonomik ndaj Shtetit tonë, që Albpetrol ka me disa kompani shpuese e shfrytëzuese të naftës. Ministria përgjegjëse nuk e ka ngritur grupin e punës për vlerësimin e këtyre dëmeve të denoncuara nga KLSH, sipas të cilit dëmtimi i Buxhetit të Shtetit është shumë më i madh se shifra prej 9 milionë eurosh që auditimi i jashtëm publik i yni ka nxjerrë paraprakisht.

Ndoshta do të ishte e udhës që një audit i huaj, i kërkuar nga Kryeministri një ditë më parë, të bazohet në gjetjet e KLSH dhe të thellohet në marrëdhëniet shumë të errta e me raste të tejskajshme abuzimi të Albpetrol me kompanitë koncesionare të naftës tek ne.

Kryeministri ka premtuar që me naftën shqiptare të kryhet ajo transparencë dhe rikthim i autoritetit të Shtetit, si me energjinë elektrike shqiptare. Urojmë që ky premtim të realizohet sa më shpejt, në dobi, në rradhë të parë të shëndetit dhe së ardhmes së qindra banorëve në Marinzë, por edhe të Buxhetit të Shtetit dhe të pjesës së ligjshme që i takon Shtetit tonë, për çdo litër naftë që kompanitë koncesionare nxjerrin nga gjiri i tokës sonë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)