Shtjefën Gjeçovi – themelues i etnografisë shqipe

Shtjefën Gjeçovi – themelues i etnografisë shqipe

Fjala është si uji i tokës, ujë që ka gjithë shijen e shkëmbit prej të cilit rrjedh po edhe të truallit përmes të cilit kalon e shpërndahet.

Në lumin e një gjuhe çojnë ujë shumë degëzime përrenjsh, rrëkesh e shehesh. Njëri syresh është ai ku derdhen mitet, legjendat e rrëfenjat. Dhe në këtë hulli, prej At Shtjefën Gjeçovit trashëgojmë njëmend plotën më të çmuar, pasi ajo ka gjarpëruar nëpër të gjitha viset tona, nga jugu në veri, nga mali në fushë, e kqyrur besnikisht prej tij.

Ndryshe nga kulturat rrotull nesh, të cilat janë bija traditash që njohën shkrimin dhe vijuan gjithnjë të shkruajnë, kjo jona nuk u shkrua në ag të kohënave e mandej, për ndeshtrashat e historisë, u shkrua teevona dhe shkrimet qenë të pakta. Kultura gojore e dëshmuar përmes miteve, legjendave, dokeve e rrëfenjave është edhe kripta e ngrehinës sonë etnokulturore. Nuk është krejt e errët falë dritave dëshmitare si ajo e At Shtjefën Gjeçovit, porse i duhet rënë pas me kqyrje edhe më të imëta, duke shfrytëzuar zhvillimin e gjuhësisënë këtë qindvjetësh. Tekembrama qysh nga shkolla filologjike e Max Müllerit e tekëndej mitet e sidomos mitet indoeuropiane konsiderohen magmëgjuhësore, studimi i tyre është pjesë e gjuhësisë së krahasuar, pasi janë në thelb përshkrime poetike të përshfaqjeve të natyrës, zotat s’janëgjëtjetër veçse të mistershmet dukuri natyrore dhe emrat e zotave lindin si epitete të këtyre dukurive. E kështu, përmes etimologjisë dhe krahasimit, gjenden dhe shpjegohen këto emra që janë fjalë, duke shpjeguar kësisoj përmes pranëvënies së fjalëve-epitete edhe marrëdhëniet mes gjuhëve e gjindjes që i ka folur. Ky është edhe ekskursi i etnolinguistikës: studimi dhe interpretimi i çdo shfaqjeje gjuhësore në lidhje të ngushtë me kulturën që e ka prodhuar, veçse e gjitha kjo në kuadrin e kategorive me vlerë universale.

Le t’i kthehemi një gojëdhane të dëshmuar nga Gjeçovi tek “Trashëgime Thrako-Ilirjane”: “Shkaf asht emen hyjnijet qi së vonit u vedituen prej kombesh te kanteve të dheut, i mueren prej Pellazgjësh a se prej atynve njerzve t’egjer e bjeshkana, njerzve gavej a vigaj qi në gjuhë t’onë edhe sot thirren ‘Katallaj’ e qi ishin me nji sy në ball si thotë Omeri (Kiklopes); njerëz qi quheshin farktorët e Rrëfeve të Jovit si e dishmon Hesiodi. Zoja Kjuro nga Palavlija (vend pranë Delvinës), kishte pasë rrëfye ket gojëdhanë mbi Hyun: Zoti kishte pasë lufët me Gegët, (se Gegët quheshin Qeravnarët a Titanët e të afërmit e tyne Antititant) edhe Zoti kishte ndimëtarë njerëz me nji sy (Kiklopët-Katallajët). Kjo luftë ngjati dhetë vjet.Shkaktarët e luftës kjen Titanët (Gegët) të cillët deshten me shthronëzue Zotin e në Kambë të ti me kunorue për mret Martin, pse ishte trim edhe i pashëm. Në ket luftë Zoti doli ngadhnjyes ; i vuni perpara Gegët edhe i qiti tej lumin e Vijosës e në vend të tyne solli Lapthit (Labët). Në ket luftë muerën pjesë të gjith trimat mbretnorë (të gjith perendijt pra). Gegët të muejtun u zhgulen, e në vend tëtyne mbretnoj Zoti, vëllazent e ti e fëmijt e ti”.

E bukur kjo gojëdhanë që e vendos luftën e Kryezotit pranë lumit të Vjosës sonë, e sheh atë si luftë mes Gegëve dhe Labve, pikërisht aty ku edhe kalon kufiri i lebërve me pjesën tjetër pra edhe me gegët e sotëm. E bukur edhe dëshmia shqiptare për luftën mes Jovit e Marsit, pasi gjejmë përkim të kësaj gojëdhane në studimin e Andre Martinet “Gli indoeuropei. Lingue, popoli e culture”, në të cilin autori dëshmon se për indouropianët e parë ndeshja kryesore ka qenë mes Kryezotit qëi kishte të dyja fuqitë e zjarrit, edhe të mirën edhe të keqen dhe Zotit të Luftës (Martit në gojëdhanën tonë), i cili fuqinë e zjarrit e përdorte vetëm për të shkrumbuar. Dhe po sipas Martinet-së kjo luftë zgjati derisa Kryezoti i indoeuropianëve e “ndau” pushtetin nëdy Zota: në Zotin e Dritës i cili ngrohte dhe në Zotin e Luftës i cili shkrumbonte (Marsi për latinët, Thori për gjermanikët, Odini më pas për skandinavët e kështu me radhë). E po ashtu edhe në mitologjinë greke, Titanët (të cilët në gojëdhanën tonë janë Gegët) dallojnë nga Gjigandët, të cilët sipas Hesiodit shkaktuan atë që njihet si Gigantomachia apo lufta kundër zotave të Olimpit. Dhe jemi brenda së njëjtës rrëfenjë si ajo e mbledhur në Palavli, porse me kah të kundërt luftimi.

Po le ta ndjekim edhe pas Gjeçovit këtë figurën e ushtarëve të Zotit, a siç e dëshmon ai me gojëdhanën e vet, të Katallajve me një sy.

Çabej shkruan se “një vëmendje të vecantë meriton ai divi vigan e me një sy në ballë, që del shpesh nëpër përrallat e shqiptarëve, të serbëve, të morlakëve e të së tjerëve popuj të Ballkanit po edhe në vise të tjera të Europës gjer lart në Finlandë. Është figura e atij kiklopi që ha njerëz, sikurse na shfaqet që te Odiseja e Homerit me emrin Polifem (…). Është për të vënë re që kjo figurë në shekullin e kaluar ishte gjallë edhe tek elementi arbëresh i Siqelisë, sikurse shihet nga një mbledhje e gjuhëtarit italian D. Compareti. Sikurse e vuri re G. Meyeri, tek emri i këtij divi të egër ruhet kujtimi i kompanisë së mercenarëve nga Katalanja e Spanjës, të cilët hynë më parë (më 1302) në shërbim të perandorit bizantin Andronik II Paleologut e më pas, si kusarë deti, ranë pre për disa kohë nëpër Gadishull të Ballkanit. Ky gjigand në Shqipëri përfytyrohet si një farkëtar div i palatuar, me një sy në ballë, pa gjunjë e me këmbë të drejta si dyrek. Po të sillemi nga jugu i Shqipërisë do të shohim se kjo figurë divi e cila na del sidomos në Labëri (kujtojmë edhe gojëdhanën e Gjeçovit këtu – shën imi), mban një emër vendi e quhet Siqënhenjeri. Ky emër që në formimin e vet është një bashkim dy kompozitesh, me kuptimin “syqen” që ha njerëz”, paraqet interes edhe për folklorin”. Le ta shohim shpërndarjen e kësaj figure mitologjike përsëpari në traditat folklorike rrotull nesh. Ky lloj qiklopi te bullgarët quhet “ednook” (me një sy), ndërsa te rumunët thirret “ochila” dhe lidhet poashtu me syun. Të njejtat veçanti demonologjike ka edhe kensa që në përrallat serbe e kroate thirret “psoglavi, pasoglavci” e që don me thënë “kryeqen, kokëqen”.

Sikundër vëren Çabej, këto figura Çajkanoviçi “objektivisht e gjuhësisht i afron me greqishten ‘kunokefaloi’ dhe sheh aty një kryqëzim figurash të besimeve orientale me demonët kufomë-ngrënës të disa popujve indoeuropianë”. Këtij vargu krahasimesh mund t’i shtojmë edhe apelativin bullgar “pesoglaveca” dhe atë rumun “capcaun”, që duan të thonë poashtu “kryeqen” dhe dalin si demonë që hanë mish njeriu. Vijon Çabej: “Është afërmendsh të mendohet në këtë mes që këto emra të gjuhëve slave e të rumanishtes të jenë të jenë përkthime (calques linguistiques) të greqishtes “kunokefaloi”, si reflekse të ndikimit bizantin në ato gjuhë. Përsa i përket Syqenit e Syqenëzës të shqipes, këto, si figura, për vetinë antropofage që kanë, hyjnë pas gjithë gjasash edhe këto në këtë grup demonësh.Nga pikëpamja e formimit gjuhësor ndërkaq këto largohen nga figurat në fjalë të popujve fqinj sepse janë emërtuar nga një krahasim me sytë e jo me kokën e qenit”. Mëtojmë ta shtyjmë mendimin, duke parë të shkrirë në një disa veti kensash që i përgjigjen të njëjtës figurë demoniake: syun e vetëm si tipar të cilin e vëmë re te Katallajtë (Kiklopes) me qenin që ha njerëz më anë tjetër. I do mëshuar faktit se gjetje të tilla në kulturat vernakulare janë tejet të rëndësishme, pasi ato nuk janë thjesht elemente përrallash. Sikundër vëren Max Müller, në kohët e lashta, figura të tilla të teogonisë ishin qeverisja e jetës së përditshme, e mandej me kalimin e njerëzimit nga besimi politeist në atë monoteist, ato u bënë thjesht pjesë e folklorit në trajtë përrallash e legjendash.

Si u shestuan këto figura në folklorin tonë dhe në atë rrotull nesh, le të vërejmë cfarë shkruhet në burimet historike mbi apelativët e lartpërmendur. Izidori i Siviljes (560-636 pas Krishtit), në vëllimin e tij Etimologie XI, 3 shkruan: “Sikundër mes njerëzve vërehen edhe individë të deformuar, ashtu edhe brenda farës njerëzore të vëzhguar në tërësinë e vet, ekzistojnë fise të përbëra nga përbindësha, sikundër janë Gjigandët, Cinoqefalët (Kokëqentë), Qiklopët dhe të tjerë të ngjashëm”. Edhe për Strabonin dhe Plin Plakun ekzistonin popuj të tillë, të thirrur Cynamolgi dhe banonin në Etiopi, ndërsa tek Tertuliani dalin si Cynopennae dhe ai i vendos në Persi. Kryeqentë vijojnë të dalin edhe në historiografinë mesjetare.Kleriku Hyon de Narbonne, në një letër dërguar arqipeshkvit të Bordosë, Gerardus de Malemort, përshkruan rrethimin që i bënë tartarët qytezës Wiener Neuestadt. Dhe kur flet mbi mizoritë e tartarëve, ai thotë se prijësat e tyre kanë Cinoqefalë (Kryeqenë) në radhët e veta, të cilëve u japin të hanë trupat e robërve të luftës.

Figura e Kryeqenit, mesa duket tejet e ngulët në besimin e popujve, mbërrin të kapërcejë edhe nëhagjiografinë e krishterë.Në mjaft ikona e afreske bizantine, Shën Kristofori paraqitet me shembëlltyrën e një Cinoqefali (Kryeqeni).E po ashtu nëPassio sancti Christophori martyris, tekst i cili pati një përhapje të madhe në Mesjetë, Shën Kristofori përshkruhet si një gjigand i llojit të Kryeqenve, i cili u konvertua pasi barti me mundim mbi supe Krishtin fëmijë nga njera anë e lumit në tjetrën.

Pas vëzhgimesh të tilla, bëhet edhe më e qartë pse rrëfenjat me Qiklopë e Katallaj kanë mbërritë të patrazuara deri në kohë të Gjeçovit, e sidomos bëhet edhe më i domosdoshëm rishqyrtimi i krejt trashëgimisë së tij mitologjike duke e krahasuar pa reshtur me arealin ku kultura jonë bën pjesë.

Këtu u ndalëm vetëm në njerën nga thërmijat e “Trashëgimisë Thrako-Ilirjane” të Gjeçovit, porse korpusi i tij përmban shumë mbledhje të këtilla, të shestuara si pikëpremje mes mitit dhe historisë. Gjejmë aty përralla, doke e zakone të lashta të gjindjes sonë, përshkrime të kostumografisë popullore, të tatuazheve për të cilat shtyhet thellë-thellë në kohë, gjejmë përshkrime të betimeve mbi gur e mbi rrufe, ligje e mënyra caktimi kufijsh e trojesh, nderimin e malësorëve tanë ndaj Diellit duke bërë kryq në ballë e gjithë çka janë rregullat e jetës zakonore të një populli që beson në Zot e ruan traditat. Ky korpus e bën Gjeçovin themeluesin e Etnografisë Shqiptare.Ky korpus i rishqyrtuar është edhe elementi integrues i kulturës sonë kombëtare.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë