Shtohen 30 vepra të reja penale, nga konflikti i interesit me 5 vite burg, manovrat me tendera te nxitja e të miturve për të pirë alkool

Projekti për Kodin e ri Penal parashikon 30 vepra të reja penale, të cilat nuk ekzistojnë në Kodin në fuqi dhe që deri më sot, disa prej të cilave janë veprimtari të lejueshme apo që përbëjë vetëm kundërvajtje administrative. Për herë të parë kriminalizohet dhe do të dënohet deri në 5 vite burg, konflikti i interesit të funksionarëve në shtetit. Funksionari që merr pjesë në ndonjë çështje zyrtare, për të cilën e ka ditur apo duhej ta dinte që ai apo ndonjë i afërm i tij ka interes financiar, dënohet me gjobë ose me burgim nga 2 deri në 3 vjet. Kur çështja zyrtare është tender apo ankand publik, dënohet me burgim nga 2 gjer në 5 vjet.

Shtatë vepra penale të reja janë shtuar vetëm për të mbrojtur të miturit. Kodi i ri parashikon dënimin me burg të atyre që nxisin të miturit për të konsumuar alkool, i joshin në veprimtari seksuale, shpërndajnë mesazheve që i vënë në rrezik, u ofrojnë materiale pornografike apo që i nxisin për të mbajtur lëndë narkotike. Gjithashtu do të dënohen deri në 8 vite burg ata që bashkëjetojnë me të mitur.

Dënime të ashpra parashikon edhe për përfaqësuesit e kompanive që paraqesin dokumente të rreme për të fituar tendera apo që bëjnë marrëveshje paraprake me kompani të tjera, dhe çdo veprim tjetër që deformon garën e ndershme. Kjo veprimtari do dënohet deri në 8 vite burg. Një dënim nga 2 deri në 7 vite parashikohet edhe për moszbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga kontratat publike, me qëllim fitimi.

Projekti për Kodin e ri Penal, i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me përfaqësues të gjyqësorit dhe ndërkombëtarët, parashikon kriminalizimin disa veprimtarive të kompanive private, si deklarimin e kreditorëve inekzistentë, pengimin e kontrolleve nga administratori të ortakëve, çdo veprim në dëm të kreditorëve, formimi fiktiv i kapitalit si dhe shpërndarja e paligjshme e përfitimeve dhe e rezervave në shoqëritë tregtare.

Veprat e reja penale

1.       Konflikti i interesit dënohet me gjobë ose me burgim nga 2 deri në 3 vjet. Nëse çështja zyrtare është prokurim apo ankand publik, dënohet me burgim nga 2 gjer në 5 vjet.

2.       Provokimi i të miturve në përdorimin e pijeve alkoolike dënohet me gjobe ose deri në 1 vit burgim.

3.       Nxitja e të miturve në aktivitetin e mbajtjes, shpërndarjes së substancave narkotike dënohet me burgim nga 2 deri në 5 vjet.

4.       Bashkëjetesa me të miturin nën moshën 18 vjeç dënohet me burgim nga 4 deri në 8 vjet.

5.       Ofrimi i materialit pornografik të miturve nën moshën 16 vjeç dënohet me burgim nga 2 deri në 4 vjet.

6.       Joshja e të miturit në veprimtari seksuale dënohet me burgim nga 3 deri në 6 vjet.

7.       Shpërndarja e mesazheve që vënë në rrezik të miturit përmes shtypit të shkruar ose audioviziv, përmes komunikimit me publikun në internet apo qoftë dhe tregtimi me çfarëdo mënyre apo pajisje i një mesazhi me një natyrë të dhunshme, frikësues, që nxit terrorizëm, ose që mund të shkaktojë dëm serioz, dënohet nga 2 deri në 3 vjet burgim.

8.       Mospërmbushja e detyrimit për regjistrimin e fëmijës në ndjekjen e arsimit fillor të detyrueshëm dënohet me gjobë.

9.       Shkelja e konkurrimit të ndershëm në prokurim publik. (Paraqitja e dokumentacionit të rremë apo marrëveshja e fshehtë kundërligjore me ofertues te tjerë për te evituar garën reale, dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet”.

10.     Përdorimi i paautorizuar i pasurisë nga personi, në të cilat ka qasje për shkak të shërbimit apo punës së tij, për interesat e tij apo te ndonjë tjetri, dënohet me burgim nga 2 deri në 3 vjet.

11.     Mashtrimi në detyrë (Personi zyrtar, i cili me qëllim të përfitimit krijon, përdor ose prezanton raport të rremë të llogarive apo shtyn viktimën për te kryer pagesa ose transferua të kundërligjshëm të parave, dënohet me burgim nga 4 deri në 10 vjet).

12.     Arkëtimi dhe pagesa e kundërligjshme (personi zyrtar i cili me dashje arkëton pagese nga viktima që nuk është i detyruar të paguajë ose, arkëton më shumë se sa viktima është i detyruar të paguajë, dënohet me gjobe ose me burgim deri në 2 vjet).

13.     Përvetësimi i kundërligjshëm i pasurisë me rastin e kontrollit apo ekzekutimit të vendimit gjyqësor, dënohet me burgim nga 2 deri në 5 vjet.

14.     Përdorimi i paautorizuar i pasurisë (Kushdo që përdor paratë, letrat me vlerë apo pasuri tjetër të luajtshme e cila i është besuar atij në detyrë ose në përgjithësi në vendin e punës apo, për interesat e tij apo te ndonjë tjetri, dënohet me burgim nga 2 deri në 3 vjet).

15.     Cenimi i imazhit të personit. (Publikimi në çdo formë, mënyrë apo mjet i një montazhi të realizuar me fjalët ose imazhin e një personi pa pëlqimin e tij, nëse kryhet për qëllime përfitimi material ose jo material, apo kur ka qëllim të dëmtojë reputacionin e një personi, kur materiali nuk shfaqet dukshëm që është një montazh ose nëse nuk përmendet shprehimisht se eshtë i tillë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 1 vit).

16.     Vëzhgimi i paautorizuar i pjesëve intime të personit dënohet me gjobe ose me burgim deri në 1 vit.

17.     Ngacmimi moral (Ngacmimi i vazhdueshëm i një personi me fjalë ose sjellje të përsëritura, duke pasur si qëllim ose efekt përkeqësimin e kushteve të punës, cenimin e të drejtave dhe dinjitetit të tij, dënohet me gjobe ose me burgim deri në 1 vit).

18.     Përvetësimi i identitetit të personit (Përvetësimi i identitetit të një personi, ose të përdorimit të një ose më shumë të dhënave të çdo lloji që lejojnë ta identifikojë plotësisht atë me viktimën, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë. Kjo vepër penale dënohet deri në 2 vjet burgim kur kryhet në një rrjet komunikimi publik nëpërmjet internetit).

19.     Përgjimi i paautorizuar (Përgjimi i bisedës apo komunikimin e një personi, i bërë nga kushdo pa autorizimin përkatës sipas ligjit, ose që i mundëson një personi tjetër të jetë në dijeni për bisedën apo përmbajtjen e komunikimit të përgjuar pa autorizim, përbën kundërvajtje penale dhe, dënohet me gjobe ose burgim nga 1 deri në 2 vjet).

20.     Kontrolli i paligjshëm (Kontrolli i kundërligjshëm i banesës, objekteve apo personit, kryer nga personi zyrtar, në dijeni të plotë që po keqpërdor pozitën publike apo sipas autorizimeve të tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj gjer në 2 vjet).

21.     Porosia për të lindur fëmijë dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 2 vjet.

22.     Tjetërsimi i rezultatit të zgjedhjeve, referendumeve apo votimit për anëtarët e organeve kushtetuese, dënohet nga 5 deri në 10 vjet burgim.

23.     Vonesa apo mungesa për përmbushjen e funksioneve të veprimeve për përgatitjen,  publikimin dhe rishikimin e listave zgjedhore dënohen me gjobë ose me burgim deri në 1 vit.

24.     Regjistrimi ose fshirja e paligjshme e emrit të zgjedhësit në listën zgjedhore, dënohet me gjobë, ose me burgim nga 2 deri në 4 vjet.

25.     Refuzimi për të shpallur apo publikuar listat zgjedhore dhe të dhënat e nevojshme për votimin dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit.

26.     Deklarimi i kreditorëve inekzistentë ose fshehja e detyrimeve ndaj shtetit ne rastin e falimentit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobe ose me burgim gjer ne 1 vit.

27.     Pengimi i kontrolleve (Administratori që, duke fshehur dokumente ose nëpërmjet gënjeshtrës, u ndalon apo pengon ortakëve te shoqërisë mundësinë e kontrollit që ligji u njeh atyre apo organeve të tjera të shoqërisë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 vjet).

28.     Veprime në dëm të kreditorëve dënohen me burgim nga dy deri në tre vjet.

29.     Formimi fiktiv i kapitalit dënohet me gjobë.

30.     Shpërndarja e paligjshme e përfitimeve dhe e rezervave në shoqëritë tregtare

I.K/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 08/12/2020 01:29

    Nr-3 ka nevoje per shtese :duhen denuar dhe ata qe detyrojne femijet te lypin,apo I detyrojne te punojne nen moshen e punes,duke filluar qe ne biznesin e familjes,sidomos ne fshat,ku ne vend t'i cojne ne shkolle I kthejne ne barinj te kopeve te familjes.Nr-5,duhet rritur mosha ne 17vjec,pasi nuk quhen Akoma adult.Nr-8 duhet qe shkolla te jete me detyrim,denimi me burg qe rritet ne rast perseritje.Nr-15 eshte gabim formulimi,pasi nga nje ane preket e drejta e shprehjes,nga ana tjeter le hapesire per keq-interpretim,p.sh,nuk vjen asgje e keqe nga nje meme ta zeme e Rames,por ne se nje djale shperndan imazhe nudo te se dashures per t'i bere presion,atehere ndryshon puna.Nr-21 duhet hequr fare,pasi eshte nje praktike qe po perhapet cdo dite e me shume ne bote,n.q.s bejme kete,pastaj kush e ka rradhen aborti dhe pastaj te behemi si Polonia e Hungaria,qe po kritikohen nga BE,Ne se duam te hyjme ne BE per gjera te tilla duhet te jemi me liberale per te ndihmuar qe te marrim nje PRO nga vende te tilla si Hollanda qe kane lejuar deri dhe eutanazine.Nr-23-mund te behet I tille ,vetem ne rast se nuk justifikohen ligjerisht dhe nuk argumentohen veprimet qe permblidhen ne te.

    Përgjigju
  • Frida: 07/12/2020 18:04

    Do vaksinohem patjeter

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase