Shtohen zërat kundër Nobel-it për Handke. Shkrimtari Salman Rushdie: Kam shkruar për idiotësirat e Handkes. Handke, serbëve: Do pimë raki dhe verë të bardhë

Janë shtuar zërat kundër shpalljes së austriakut Peter Handke si fitues i çmimit Nobel për letërsi për vitin 2019. Reagime të ashpra kanë ardhur jo vetëm nga eksponentë të politikës por edhe nga personalitete të ndryshëm të letrave.

Shkrimtari Salman Rushdie, autor i Vargjeve Satanike, tha se e kishte denoncuar Handken që në vitin 1999 për qëndrimet e tij ndaj fushatave të Millosheviçit. Në vazhdim të reagimit të Vlora Çitaku-t, ai tha se “Unë kam shkruar për idiotësirat e Handkes para 20 vjetësh dhe jam dakord me përfaqësuesen e Kosovës në OKB”.

Një nga gazetarët dhe shkrimtarët më të njohur boshnjakë, Zlatko Dizdarevic i tha Zërit të Ameriksë, se nuk habitet.

“Çmimi Nobel për letërsinë ka kohë që nuk është provë në vetvete e një cilësie të lartë apo madhështisë së punës së dikujt. Dhe meqë ra fjala, tetë vetë në historinë e Çmimit Nobel, e kanë fituar atë për çështjen palestinezo-izraelite dhe sot jemi më larg një zgjidhjeje se kurrë”, tha ai.

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, tha se vendimi për t’i dhënë çmimin një mohuesi të gjenocidit dhe justifikuesi të Millosheviçit është një shuplakë për të gjitha viktimat e luftrave në Kosovë dhe Bosnje.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, në një letër drejtuar Akademisë së Çmimit Nobel, shprehu indinjatën e saj, duke e quajtur Handken një eksponent të shquar të ideve fashiste të nënshtrimit dhe robërimit të popujve dhe mbështetës i pasionuar i Milosheviçit dhe luftërave të tij në Ballkan.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar se Handke vendosi t'i mbrojë e përkrah përgjegjësit e gjenocidit në Kosovë dhe se ky vendim sjell dhimbje të thellë për shumë viktima.

"Çmimi për Handken është fyerje për viktimat e shovinizmit serb", thuhet në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje duke shtuar se "për kujtesën e viktimave të dhunës serbe në Kosovë, ky çmim i dhënë nga Akademia Suedeze është fyerje e rëndë për viktimat".

Ministrja e Arsimit Besa Shahini është shprehur se ‘si viktimë e agresionit të Millosheviçit në Ballkan dhe si mbështetëse e paqes në botë, jam e tmerruar nga ky vendim’ kurse  Ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli e ka quajtur turp ndarjen e çmimit Nobel për Handkes ndërsa shkruan se ‘ky është një veprim i turpshëm që shkon kundër vlerave të çmimit Nobel’.

Më parë, edhe Kryeministri Edi Rama kishte reaguar pas vendimit për Nobel-in në Letërsi, duke e quajtur këtë një veprim të turpshëm që shkakton të vjella. “Paturpësia po bëhet pjesë normale e botës që jetojmë”, - shkruante Rama në Twitter.

Shkrimtari austriak, Peter Handke, në reagimin e tij të parë pasi u shpall Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, iu ka thënë mediave në Beograd se i vjen mirë që serbët janë të lumtur për të. “E ndiej gëzimin tuaj. sonte do të pimë raki dhe verë të bardhë”, tha ai për Programin e Dytë të Radio Beogradit.

Shkrimtari austriak të cilit iu akordua çmimi Nobel në Letërsi për vitin 2019, Peter Handke, njihet si një simpatizant i Sllobodan Millosheviçit, i dënuar për krime lufte, një emër që ka sjellë kaq shumë vdekje dhe hidhërim në Rajonin e Ballkanit dhe për shqiptarët e Kosovës.

Akademia Suedeze e vlerësoi Handke për “zgjuarsi gjuhësore në eksplorimin e përvojave njerëzore.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja