Shtrenjtohet libri në
panairin e Tiranës

Shtrenjtohet libri në<br />panairin e Tiranës
TIRANE- Nuk kanë kaluar as 2-3 vjet dhe dyfishimi i çmimit të librave është gjëja e parë që ka rënë në sy në edicionet e fundit të panairit të librit në Tiranë. Edicioni i 16-të i Panairit të Librit “Tirana 2013” do të çel dyert më 13 nëntor në pallatin e kongreseve në Tiranë. Tashmë për këtë edicion nuk shtrohet më pyetja “A ka interes publiku për panairin e librit?”, por “Nëse këta vizitorë të shumtë do ta dalin nga dyert e panairit të sivjetshëm me duart plot apo bosh?”. Organizatorët e konsiderojnë të mirëorganizuar në krahasim me vitin e kaluar panairin e librit Tirana 2013, por për çmimet e larta të librave krahasuar me edicionet e mëparshme kanë një arsyetim ndryshe.

Konstatohet lehtë se në një hark të shkurtër kohor çmimet e librave janë shtrenjtuar, kur jo më larg se tre-katër vjet më parë çmimi i një libri shkonte përafërsisht në limitet 200-1000 mijë lekë, e tashmë shkon mesatarisht nga 500-2000 mijë lekë. Rritja e çmimeve krijon një kontrast të madh me të ardhurat mujore të shumicës së shqiptarëve, të cilat për më shumë se dhjetë vjet nuk kanë pësuar asnjë rritje. Jani Malo, bashkëorganizator i këtij panairi me Shoqatën e Botuesve të Shqipërisë rrëfen shkaqet e rritjes së çmimit të librave, me të cilat blerësi do të përballet realisht më 13 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
 
Zoti Malo, në këtë prag panairi, ashtu si çdo vit ka pasur disa pakënaqësi nga pjesëmarrësit. Cilat janë dhe si i keni ndjekur ju vet problematikat e këtij panairi?
-Panairi i 16-të është vazhdim i panaireve të mëparshme të librit dhe, natyrisht, problematikat nuk mund të jenë të veçuara nga ato që ka pasur libri në të gjitha vitet, kur ky panair ka filluar të organizohet. Panairi i sivjetshëm është vazhdimësi pozitive i panairit të vjetshëm që mendoj se pati arritje, sepse ishte në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë dhe ishte një panair i mirëorganizuar në të gjitha drejtimet. Natyrisht për këtë të sivjetshmin, unë si organizator mund të them se ka synuar ta çojë më përpara këtë traditë. Masat janë marrë të gjitha. Sot nuk duket se çfarë do të dalë, por gjatë ditëve ju si media do ta shihni...
 
Pse mendoni se këtë vit panairi është më i mirëorganizuar, në cilat drejtime duket?
-Kemi krijuar hapësira më të mëdha midis stendave. Nëse vitin e kaluar kemi pasur një ngushtësi dhe numri lexuesve këto vitet e fundit ka qenë duke u shtuar, këtë vit do të ketë hapësirë dhe frymëmarrje më të mirë për vizitorin e këtij panairi. Duke krijuar hapësira lexuesi mund të komunikojë më mirë me librin. Në katin e parë janë vendosur shtëpitë kryesore botuese. Në katin e dytë ambasadat, institucionet e rëndësishme. Këta janë në katin e dytë jo se kanë më pak vlerë, por për të qenë më të organizuar në njëjtin vend.
 
Sa taksohet një vend në panairin e librit?
-Çmimi për metër katror ka mbetur i pandryshuar edhe për sivjet, është me të njëjtin nivel ku ishte edhe vjet. Ky natyrisht nuk është çmimi i lehtë për t’u përballuar nga të gjithë botuesit, një mënyrë e veçantë nga të gjithë botuesit e vegjël, por duke pasur parasysh shpenzimet e mëdha që ka pasur organizmi i panairit, kostot e mëdha që ai ka, organizatorët nuk mund të operojnë me çmime më të lira?
 
Çfarë ju kushton kaq shumë organizatorëve të panairit?
-Ajo që ne jemi munduar të bëjmë është krijimi i hapësirave dhe lehtësimi i punës së botuesit, duke krijuar mundësi të afishojnë më mirë librat, të komunikojmë më mirë me lexuesin dhe kështu ata rrisin mundësinë për të fituar, dhe kjo rikuperohet.
 
Sa është numri i botuesve që marrin pjesë në këtë edicion?
-Edhe sivjet ashtu si në vitin e kaluar është 100, është një numër konstant.
 
Botuesit e Kosovës janë ankuar për koston e panairit në Tiranë?
-Unë mund t’ju them se një grup i mirë botuesish nga Kosova vijnë në këtë panair dhe numri i tyre shkon deri në 15 botues. Ata kanë një vend të veçantë në këtë panair, tashmë kanë ngritur stendat e tyre.
 
Për çfarë botimesh bëhet fjalë se do të fitojnë hapësirë në këtë panair?
-Kjo i takon çdo botuesi. Botuesit në përgjithësi përpiqen të sjellin të rejat e botimeve të vitit të fundit. Në aspektin statistikor prurjet e këtij panairi do jenë aty-aty me ato të vitit të kaluar. Kjo për shkak se botues të ndryshëm nga kriza kanë një rënie të dukshme të botimeve gjatë këtij viti. Por megjithatë është për t’u përmendur fakti se ka arritje për sa i përket botimit të emrave më të mirë të letërsisë botërore dhe sot libri tek ne vjen me të njëjtën shpejtësi që shkon edhe në shumë vende të tjera të Europës, kjo falë përkthyesve të mirë, punës së shtëpive botuese dhe natyrisht edhe interesit të lexuesve.
 
Çfarë përvojash keni me shoqatën e botuesve me organizmin e panairit të librit në Tiranë?
-Mbaj mend kohën kur ka nisur. Kur edhe nga mungesa e përvojës, edhe për shkak të mungesës së financimeve e shiste librin në tezga, dhe natyrisht cilësia e librit me mënyrën si tregtohej shkonin bashkë. Linte shumë për të dëshiruar. Mendoj se sot ka arritur të bëhet një panair i përmasave dhe niveleve bashkëkohore.
 
Në një hark kohor prej dy-tre vjetësh është vënë re një rritje e çmimit të librave. Duke i parë në relacion me sasinë, cilësinë dhe vëllimin  e librit; nga 200-1000 lekë që ka qenë çmimi dy viteve më parë, shkon në 500-2000 lekë për libër. Madje këtë vit janë botuar mjaft libra me çmime akoma më të larta. Pse ka ndodhur kjo?
-E para, unë këtë nuk e shoh si shqetësuese. Ajo që më shqetëson në këtë mes, nuk është çmimi i librit, por cilësia që ne i japim lexuesit. Vërtetë, para dy-tre vjetësh çmimet kanë qenë jashtëzakonisht të ulëta, por po të llogarisim koston që kanë këta libra, ajo duhej të ishte jashtëzakonisht e lartë, nëse do të paguhej e drejta e autorit, e shumë procese që rrisin cilësinë e botimit. Ndërkohë që kanë nisur të vihen statuset dhe ka nisur të ndalohet pirateria, librat detyrimisht do të kushtojnë. Por po të krahasohemi me vendet e tjera europiane, në këto vende librat kanë çmime më të larta. Por duke parë fuqinë blerëse të lexuesit shqiptar, botuesit kanë gjetur një rrugë mesatare për të bërë diferencën në dobi të këtij lexuesi...
 
Shkrimi u publikua sot (12.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Mbytja e nënës bashkë me 3 fëmijët në lumin Buna, kreu i KMSH: Ngjarja tregon se familja shqiptare është në krizë

Mbytja e nënës bashkë me 3 fëmijët në lumin Buna, kreu i KMSH: Ngjarja tregon se familja shqiptare është në krizë