SHKODER - Shtyhet për të katërtën herë seanca gjyqësore në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe Elidon Harizajt, për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës të Harizajt, Sokol Mengjeli dhe Blerim Bazhdari. Ky i fundit ishte caktuar nga gjykata për mbrojtjen e të pandehurve në rast se mungonin avokatët e kërkuar prej tyre, ndërsa në gjyq nuk është paraqitur asnjë arsye justifikuese për mungesën e tyre.

Emiljano Shullazi bashkë me Elidon Harizaj u arrestuan me 29 qershor të vitit 2012 për armëmbajtje pa leje në një makinë të blinduar te kryqëzimi i Shëngjinit, pasi policia dyshoi për ndonjë plan kriminal.

Trupi gjykues ka shtyrë seancën gjyqësore duke marrë në konsideratë kërkesën e prokurorit të çëshjtes dhe vendosi të pezullojë afatet e paraburgimit të Shullazit dhe Harizajt.

Dy të pandehurit kishin paraqitur prokurën për t’u mbrojtur nga avokatët e tyre mbrojtës. Në të tilla kushte seanca gjyqësore u shty.

Gjithashtu relatori i çështjes, kërkoi që të njoftohet edhe dhoma kombëtare e avokatisë për mosparaqitjen e avokateve Mengjeli dhe Bazhdari, si dhe të caktohet për të pandehurin Harizaj, një tjetër avokat. Seanca e radhës u caktua më 22 Prill.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)