Censi i bujqësisë nuk do të zhvillohet gjatë këtij viti. Burime pranë INSTAT thanë për Report Tv se numërimi dhe regjistrimi i bujqësisë dhe blegtorisë do të bëhet gjatë vitit të ardhshëm, pasi koha për të kryer procedurat për të zhvilluar këtë proces këtë vit është e pamjaftueshme.
Vonesat gjatë hartimit dhe dërgimit në Kuvend të projektligji për CENS-in e bujqësisë bënë që ai të miratohet në seancë plenare në korrik 2026, duke mos i lenë kohën e mjaftueshme në dispozicion INSTAT për të kryer procedurat e nevojshme.
I parashikuar për të nisur në muajin tetor të këtij viti, ‘fotografimi i bujqësisë dhe blegtorisë shqiptare’ shtyhet për një vjeshtën e 2027-ës.
Censi i fundit për bujqësinë është bërë në vitin 2012, dhe që prej vitit 2022 kur ishte afati i parë për të realizuar këtë numërim të ri, ky proces është shtyrë disa herë për arsye të ndryshme.
Brenda 4 javëve përmes CENS-it, INSTAT synon të regjistrojë tokën bujqësore që mbillet, fermat bujqësore e deri tek tufat e bagëtive.
Janë 3,400 anketues që do të dalin në terren për të numëruar çdo metër tokë që mbillet, çfarë kultivohet, sipërfaqja e fermave bujqësore, makineritë që përdoren e deri tek të punësuarit në këtë sektor.
Kostoja për këtë Cens parashikohet 1,081,499,000 lekë ose 11.7 milionë euro me kursin e sotëm.










Komente
Komento