Nga mbledhja e KLD-se Foto ATSH (ARKIVE)
TIRANË, 11 Korrik/ATSH-Arbi Fortuzi/- Këshilli i Lartë i Drejtësisë reagon në lidhje me mungesën e Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço në mbledhjen e zhvilluar mëngjesin e sotëm nga ky institucion.
Gjatë një deklarate për shtyp, zëdhënësi i KLD-së, Elis Kuçi theksoi se, Këshilli i Lartë i Drejtësisë bën me dije se për shkak të mungesës së përsëritur të Ministrit të Drejtësisë në mbledhjen plenare, dështoi shqyrtimi i procedimeve disiplinorë për tre gjyqtarë.
"Këshilli i Lartë i Drejtësisë e konsideron të qëllimtë mungesën e Ministrit të Drejtësisë dhe joserioze arësyet e kësaj mungese.", tha Kuçi.
Sipas tij, qendrimet e ministrit janë paradoksale. "Paradoksalisht me qëndrimet e tij publike për të zhvilluar në një kohë sa më të shkurtër procedimet disiplinore, Ministri i Drejtësisë, me mungesën e tij në seancën plenare të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pamundësoi zhvillimin e procedurës disiplinore për gjyqtarët, pasi referuar neni 34 të ligjit "Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë" e drejta për nisjen e procedimit disiplinor i takon ekskluzivisht Ministrit të Drejtësisë.", u shpreh Kuçi.
Po ashtu ai shtoi se, "me mungesën e sotme, Ministri i Drejtësisë tregoi edhe një herë se deklaratat e tij të papërgjegjshme të datës 27 maj 2014, në Komisionin e Ligjeve, se: "KLD nuk shqyrton procedimet disiplinore, prej 700 ditësh" apo se: "KLD nuk po emëron kryetarët e Gjykatave", në fakt qëllim kryesor kishin përbaltjen e këtij institucioni."
"Nëse Ministri do kishte shqetësim mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor, ekzkluziviteti që ai ka në fillimin procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve nuk duhet ta shfrytëzonte me standarte të dyfishta dhe për të goditur vetë KLD-në.", tha më tej Zëdhënësi Kuçi, i cili mbylli fjalën e tij duke shtuar se, "kjo kompetencë (fillimi i procedimit të gjyqtarëve) duhet ushtruar nga Ministri me transparencë, objektivitet dhe larg çdo lloj dyshimi të arsyeshëm për afera të çdo natyre."/a.g/